-Shënime për librin me tregime “Kthinat e kujtesës” të Arta Markut, Ombra GVG)
Nga Agim Baçi
Telajo është kujtesa. Portreti është i shpejtë, gati si akuarel me fjalë. Janë përdorur emra të veçantë për të dhënë një kohë të tërë. Ashtu, si një skicë mbi dhimbjen është ndërtuar buzëqeshja, kuraja për të ecur, për të besuar se mundet ta ruash ende njeriun brenda teje edhe kur kërkohet të ta rrëmbejnë edhe ndjesinë më të fundme që mund të kesh. Edi Luarasi, Maja Luarasi e Maks Velo janë aty për të përvijuar barrikadën shpirtërore që mundi të ruajë buzëqeshjet pas honit. Nuk ka dëshpërim. As ankim. Ka një përpjekje shpirtërore për ta kthyer kokën pas jo për të mbetur peng, por për të mos harruar.
Arta Marku ka guxuar t’i “përdorë” kujtesën për të rindërtuar pak e nga pak telajon e rëndësishme të disa jetëve që mundën të mbanin brenda tyre portretin e Njeriut, që nuk zhbëhet kollaj kur është i skicuar mirë, kur ka kaluar përmes besimit se ajo që kanë dashur ka qenë më e madhe se e keqja përballë. Një portret në kohë, ashtu siç vjen edhe “Tereza Nudo” e Kel Kodhelit, e mbetur brenda, si një dashuri e pamundur nga koha. Margarita Kristidhi është pak më përtej, në një krenari që bart shumë, atë të kohës kur bazuar në kodin e nderit, shqiptarët mundën të shpëtonin hebrenjtë e strehuar në Shqipëri. Ajo është njëra prej tyre, me vështrimin larg, por me krenarinë e përhershme se ka mundur të jetë gjaku i atyre që ditën ta ruanin “gjakun e tjetrit”. E në fund si një simfoni vjen Anida Take. Gjithë dashuri e sfidë për dashurinë. Me një linjë të paharruar të njohjes, të aftësisë për të ecur drejt asaj që besonte se i përkiste, se i takonte ta përjetonte.
Sa gra janë ndjerë përballë furisë së “moralit shoqëror” për të braktisur burrat që sistemi i fuste në radhën e armiqve? Portreti i Edi Luarasit vjen me gjithë dilemën njerëzore, ku fuqia e së brendshmes, ku dashuria, vihen përballë çmendurisë, përballë një përçudnimi që nuk njohu kufij, që nuk njohu as gjak e as miqësi.
“Po i tregonte se atje ku i kishin mbyllur dhe prisnin radhën për të dalë në gjyq, burrat ia kishin ngulur sytë R. Të nesërmen do të nisej për në gjykatën civile sepse e shoqja i kish kërkuar divorcin. Ai shtrëngonte nofullat që të mbante psherëtimat. E donte të shoqen dhe ishte i bindur se ajo e donte po aq, e megjithatë e kish kërkuar divorcin. Eh rrethanat! Apo ndoshta, s’e kish dashur asnjëherë e ai kish besuar verbazi, gabimisht?
-Të mendosh, çfarë ankthi…- Por më e tmerrshmja ishte se nuk qe rast. Nuk qe i vetmi rast. Nuk qe dhimbja e njërit, ishte e të gjithëve ne.
Sepse kjo histori përsëritej. Veç burrat, protagonist të saj, ndryshonin. Kurse ai, si dhe të gjithë të tjerët aty, gjithnjë këtyre rasteve, e gjente veten duke pritur radhën”. (“Kthinat e kujtesës” të Arta Markut, Ombra GVG, f 36)
Maja është një “Doruntinë”, që i ka kapërcyer “nëntë malet”. Ka ardhur nga Rusia që të jetë pjesë e dashurisë me Skënderin. Pengesat, dyshimet, përpjekjet për ta rikthyer, për ta larguar nga dashuria, nuk arrijnë dot ta kthejnë në Konstandin burrin e saj. Ajo i mbijeton duke përjetuar jo pak ndëshkimin që pësuan bashkatdhetaret e saj që guxonin të qëndronin pas dashurive të tyre.
Margarita vjen përmes “bebit”, thirrjes lozonjare ku ka mbetur edhe ora e saj e krenarisë, kur me sytë e fëmijës shihte Jozefin e të tjerët, që strukeshin si “pacientë” në shtëpinë e saj, në rrugën “Hoxha Tahsin”. E njëjta rrugë e Tiranës ku Maks Velo do të donte të rigjente të shkuarën e tij, i mbetur ashtu në foto, si në vitin e largët kur prangat ndaj tij ishin farkëtuar.
Gati një Dylqinjë vjen Tereza e Kel Kodhelit, e mbetur vetëm ashtu, në mendjen e pikturës, ndërkohë që vetë piktura kish shkuar si një pamundësi e tij për të riqenë, qoftë edhe një herë të vetme me vajzën romane që i rrëmbeu zemrën dhe i frymëzoi gjithë botën e tij prej artisti, duke mos u lakuar aspak nga vitet, ashtu siç kish ndodhur me Kelin. Bashkë me Anida Taken, plotësohet një simfoni dashurie, ardhur ashtu, pa moshë, pa kufij, me “letra që duhet të shkruajmë e lexojmë”.
Arta Marku ka patur aleat vitet në gazetari, duke sjellë përmes tregimeve një mozaik jetësh, që sa janë konkretë, aq edhe mbeten përfaqësues të fuqisë për të ecur, për t’i buzëqeshur jetës, pavarësisht se fati nuk ka qenë në të njëjtin rrugëtim me ta. Është futur në kthinat e kujtesës së tyre, por jo për të rrokur dhimbjen, por kurajën. Një prozë që nuk synon faktet, por që përmes emrave konkretë përforcon dëshminë e asaj që kemi nevojë gjithnjë të dimë: Kurajën!