Quantcast
Channel: Mapo Libri & Ide – Gazeta Mapo
Viewing all 738 articles
Browse latest View live

Dritëhijet e Përkthyesit

$
0
0

Fjalë e përkthyeses Diana Kastrati, mbajtur në workshop-in për përkthyesit e rinj, e organizuar dje në mbrëmje, vlerësuar si një nga ngjarjet më me rëndësi në ditët e Panairit të Librit, Tiranë 2017. Kjo është një traditë e përvitshme ku flitet për problemet e përkthimit në Shqipëri, ku këtë herë është vlerësuar kjo përvojë e re nga trashëgimia e dekadave më parë

Nga Diana Kastrati

Binomi përkthim-përkthyes është historikisht në fokusin e njerëzve të letrave, nën dritën e etiketimeve të ndryshme: nga artizan në mjeshtër, nga i domosdoshëm në të nevojshëm, nga (shumë e abuzuar shprehja) përkthyes në tradhtar e kështu më radhë…

Gesualdo Bufalino (shkrimtar, përkthyes, poet e njeri i kulturës) shkruante: Në gjykimin tim, detyra e përkthyesit është më e përunjët e njerëzore se sa mendohet, ajo është një shërbim, një asistencë që i jepet nga ana e një njeriu që sheh mirë, dikujt që nuk sheh…diçka që shëmbëllen me dhënien e dorës një të verbri për të kaluar rrugën në anën tjetër, ku me verbëri nënkuptohet pengesa e një gjuhë të huaj…Përkthyesi është si ai që thyen kasafortat. Mjerë ai nëse i dridhen duart…Pra, ftohtësi e pasion, lipsen të jenë të dyja njëherazi.

Përkthyesi duhet të jetë njëkohësisht një mistik e një inxhinier. Pra, të përkthyerit është më shumë se një ushtrim: ai është një gjest hyjnor e dashurie”. Gjithmonë Bufalino: “Përkthyesi është i vetmi lexues autentik i një teksti. Nuk flas për kritikët që nuk kanë dëshirë as kohë që të cementohen në një betejë trup më trup…., por as vetë autori nuk ia ka idenë asaj që ka shkruar, më shumë se sa zbulon një përkthyes i dashuruar. Sepse nëse për tekstin kritiku është vetëm një joshës kalimtar, autori është babai dhe bashkëshorti, përkthyesi është vetëm dashnori i tij”.

Në përcaktimin e qasjen time, përkthyesi është vula e lavdisë ose e shkatërrimit të një autori e teksti. Ai është hija e padukshme që qëndron pas çdo fjale të lëmuar, është “shërbëtori i dy zotnive” i gjuhës së vet e asaj të mbërritjes, është “eminenca gri” e autorit, është ai që në rastet më fatlume thyen edhe postulatet e Paul Ricouer “të pamundësisë së të përkthyerit”, që gjithmonë në këtë suazë kundërshton tezën e Antoine Bermanit, te “L’epreuve de l’etranger”, duke e quajtur “të huaj” gjuhën nga e cila po përkthehet; i kthehet kundër edhe tezës së Marcel Detienne (helenist) te libri i tij “Comparer l’incomparable”, ku në mënyrën e tërthortë flet edhe për sloganin: “Nuk mund të krahasohet veçse çfarë është e krahasueshme duke hedhur togfjalëshin e “komparatizmit konstruktiv” (krahasimit ndërtues).

Kjo është madhështia e përkthimit, por edhe rreziku i saj. Por, a nuk e gjetën formulën e suksesshme të të “krahasueshmeve”, “ekuivalenteve” apo gjegjësve për ta thënë më shqip, paraardhësit e racës së ndritur të përkthyesve kur në epoka të tjera “Të shtatëdhjetët”, siç u quajtën, përkthyen në greqisht Biblën hebraike. Po latinët që vendosën për të gjithë ne pasardhësit kur ndërtuan të “krahasueshmet” me arëtë duke e përkthyer me virtus, polis me urbs, e polites me civis. E duke i mbetur kontekstit biblik mund të themi se Luteri jo vetëm ndërtoi të krahasueshmen duke përkthyer Biblën në gjermanisht, “duke e gjermanizuar”, siç guxonte ai vetë të thoshte, në krahasim me latinishten e Shën Jeronimit, por edhe duke krijuar gjuhën gjermane si të krahasueshme me latinishten.

Tradita shqiptare në lëmin e përkthimit ka parë shumë mjeshtra. Periudha 50-vjeçare e komunizmit, pavarësisht ideologjizimeve të pashmangshme, risolli një klasë të përkthyer mjeshtrash, vitet postkomuniste deri më sot shumëfishuan numrin e tyre. Si çdo fenomen, në ngritje, kjo solli zgjerimin sasior të njerëzve me interesin nga përkthimi, por solli edhe shtrembërime jo të vogla në limën e domosdoshme që ky zanat kërkon. A është tregu ynë i përkthimit në cilësinë që kjo zeje kërkon? A mund të flasim për një rritje të mjeshtërisë? Sa shkolla jonë furnizon këtë treg me cilësinë e duhur të përkthyesit e të përvojës së tij vetmitare, ndër më sublimet që ka ekzistuar ndonjëherë?

*Shefe e departamentit të italianistikës në Universitetin e Tiranës


Kurt Kola, kujtime me vlera social historike, nga personaliteti human

$
0
0

Në prill të vitit 2016 doli nga UET pres Memoriali i pasur me fakte dhe rishqyrtime social-historike, kthjelluese, i personalitetit të njohur shqiptar, Kurt Kola. Intrinsiku i lidhjes së rrëfimeve vetjake të autorit, dhe mesazhi i kujtimeve është se: “duhet ruajtur besimi dhe virtytet e trashëguara në breza” për të mos humbur njeriu.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Në prill të vitit 2016 doli nga UETPress Memoriali i pasur me fakte dhe rishqyrtime social-historike, kthjelluese, i personalitetit të njohur shqiptar, Kurt Kola. Intrinsiku i lidhjes së rrëfimeve vetjake të autorit, dhe mesazhi i kujtimeve është se: “duhet ruajtur besimi dhe virtytet e trashëguara në breza” për të mos humbur njeriu.

Libri hapet me një Memorial në të cilin me germa kapitale shkruhet: “PER TË RUAJTUR DHE PËRVETËSUAR SHPIRTIN, NDËRGJEGJEN DHE KARAKTERIN NË SHKALLËN MË TË LARTË, MË TË IDEALIZUAR TË POPULLIT, DUHET RUAJTUR BESIMI DHE VIRTYTET E TRASHËGUARA NË BREZA. THEMELI I KËTYRE ËSHTË KARAKTERI FAMILJAR I NDERSHËM, KU NJERËZIT RRITEN ME MENDIMIN SE I PËRKASIN ASAJ SHTËPIE TË MIRË, QË PËR BREZA E BREZA NUK ËSHTË KORIT. TË PERSEKUTUARIT QË KISHIN KËTË RRJEDHË FAMILIARE DHE PËR ASNJË ÇAST S´E HARRUAN, DIKTATURA NUK MUNDI T´I MPOSHTË AS ME TORTURË, AS ME INTRIGË.”

Lëvizjet e dhunshme të formacioneve historike shoqërohen me dëme të pallogaritshme njerëzore dhe tjetërsime të dukshme vlerash të krijuara e trashëguar në breza, por kur është fjala për ardhjen e një rendi me këputje, si ai i “njeriut të ri”, sigurisht ndërprerja e rrjdhës dhe pasoja ishte tmerrsisht e ashpër dhe diskriminuese.

Me sa duket era e çmendurisë që pëshkruan Michel Folcault në librin e tij “Çmenduria në moshën e arsyes”, që tregon krijimin e formacionit social paramodern, nëpërmjet përjashtimit drastik të grupeve të padëshirueshme dhe keqtrajtimit mizor të tyre, në galerat e qytetit, te ne ndodhi në formë tjetër, edhe më të ekzagjeruar e irracionale, pas Luftës së dytë Botërore, me rezultimin e sistemit të luftës së klasave, ku të gjithë qenë viktima e dhunues, pasi një psiqikë nihilimi shoqëroi dominimin dhe një frustrim mbytës kundrejt shumë grupimeve sociale të investuara mendërisht e shpirtërisht në vlera të larta, u krye.

Familje si ajo e Kurt Kolës dhe të tjera në krahina të ndryshme të vendit, në Veri, në Shqipërinë e Mesme apo dhe Jug, të njohura prej emrit të madh që trashëgonin në breza, por edhe prej diskriminimit që pësuan në dekada, hedhin dritë për një keqtrajtim që u bë kundër të drejtave minimale të njeriut, si dhe presionit fizik dhe psikologjik, për të ndryshuar bindjet dhe karakterin e besimit, të virtytit që mbartnin e dinjitetit që trashëgonin.

Një hipotezë-apel mbetet ky libër për mënyrën se si është shkruar historia e Shqipërisë për përiudhën e viteve 40 deri 90 të shekullit të kaluar.  Sipas historisë së shkruar të trashëguar nga regjimi i vjetër, lufta e viteve 40-44 ishte një Luftë Nacional Çlirimitare, një lutë kundër pushtuesit gjerman dhe okupatorit Italian, ku Balli Kombëtar paraqitet si një forcë që shoqëron invaduesit dhe është në unitet qëllimi e veprimi me ta. Por nga interpretimet dhe evidence e faktete që autori i këtij libri, zoti Kurt Kola, paraqet, dhe i përmbledh ato, rezulton se kjo forcë, të paktën për të dhënat që ai na vë në dispozicion, në horizontin e gjerë të Kolës, është një forcë që luftoi kundër pushtuesve, të të gjithë llojeve, për të çliruar Shqipërinë, e për të marrë në duar, më pas, pushtetin.

Duket se variablat e forcave sociale dhe politike si dhe marrëdhëniet mes tyre, përgjatë Luftës Dytë Botërore, jashtë e brenda vendit, kanë qenë më të përbëra e komplekse nga sa na janë përshkruar e paraqitur nëpër libra, dhe në mënyrë të tërthortë, por me fakte të drejtpërdrejta, autori bën një akt vemendjeje për të rishkruar drejt historinë dhe për të mos mohuar a tjetërsuar përpjekjet e forcave shoqërore për legaci e drejtësi dhe çlirim, që bënë me mish e me shpirt, siç bëri familja e Kurt Kolës, që u dënua padrejtësisht pa mëshirë pastaj, pikërisht për këtë.

Përsa i takon autenticitetit dhe metodës së përshkrimit të fakteve e të dhënave në shpërfaqen e konfliktit në faqe, Romeo Gurakuqi, në parathënien e tij për këtë memorial shkruan:

“Libri i Kurt Kolës është një libër i shkruar me kulturë historike, njohje e së kaluarës, rikthime të sakta në të shkuarën dhe përdorim i së kaluarës për të interpretuar të tashmen dhe të ardhshmen…që përmban zbërthimin perfekt të historisë së Shqipërisë 1944-1991, që historianët e arrijnë në fakt, vetëm pas studimit të jetës dhe vëzhgimit të kujdesshëm të saj, analizës së dramës së mijëra bashkëvuajtësve…”

Bashkë me homazhin që mbart ky libër për kalvarin e mundimeve, thotë Romeo Gurakuqi, ai është edhe një thirrje për reflektim e pastrim, në nivel kulturor dhe institucional, prej mbetjeve të pushtetit të së kaluarës dhe mendësive të tij.

Në planin filozofik kjo vepër memoriale e personalitetit human të Kurt Kolës, hedh dritë për sjelljen e sistemeve ndaj kulturës. Kultura dhe sistemi me sa duket, nuk prezantojnë në mënyrë të plotë njeri-tjetrin. Madje ata janë edhe në kontradiktë, disa herë shumë të thellë, mes tyre.

Personaliteti i sistemit mund ta inkurajojë një kulturë sjelljeje virtyti, por mund edhe ta nihilojë atë, ta përjashtojë, ta insinuojë.

I mbrojtur nga ligji, sistemi gjithmonë hedh fajin e tij, më vonë, mbi diçka abstrakte: si rrethanat, shtrëngimet, ligji i kohës…Por në kujtesën njerëzore, ata që fiksohen dhe mbeten janë njerëzit, fytyrat, emrat, marrëdhëniet, etika, emocionet, hijeshia a mizoria e tyre, pavarësisht sistemit si koncept abstrakt.

Sistemi sigurisht është i krijuar nga impostimi i koshiencës: por një diktator apo një mbret nuk është mbret edhe kur fle. Roli që luan çdo pjesëtar i sistemit, nga pikëpamja njerëzore dhe etike, kërkon reflektim, dhe nuk mund të fshihet, siç bëhet, në shtrëngim, edhe pse mbështetet në arsyet e veta sociale, që janë forcë dhe jo drejtësi, ligj në pushtet.

Kështu në Historinë e ardhshme të marrëdhënieve të Sistemeve me Kulturat, libri i Kort Kolës është një gur, ditar dhe interpretim për mizorinë e keqtrajtimit të një kulture, apo grupi të saj, nga më të mirët, prej sistemit që vjen si një logjikë force kundër saj, per determinim.

Nga historia njohim se regjime e dyndje ushtarake u drejtuan kundër kulturave, por ende nuk kemi një kulturë për natyrën e arsyes së sjelljes irracionale të regjimeve, etikë e pamjaftueshme e tyrja kjo, për një reduktim final të personalitetit apriorik e vulnerabël që ushtrojnë mbi individin apo grup individualitetin karakterial.

Kjo është arsyeja që autorë modernë mendojnë se aspektet njerëzore- psikologjike, dije dhe përvoja vetjake nga njera anë, dhe finalizime social politike, me ligjet e tyre si sisteme nga ana tjetër, janë të paintegrueshme.

Libri është i mbushur edhe me aspekte profilesh njerëzore të papërsëritshme. Piktura në akuarel fjalësh poetike do të mbeten shumë bashkëvuajtës të përshkruar me dashuri nga Kurt Kola, të cilët kaluan kalvarin e tmerrshëm pa e humbur hijeshinë e dinjitetit.

Personazhe të sotëm, të gjallë e aktive në fushën e shoqërisë civile, janë përshkruar nëpër faqe të librit, nga të cilët do të dalloja portretizimin e Fatos Lubonjës, që të impresionon me dëshirën e tij të pashterueshme dhe djegëse, për të parë përsëri fëmijët dhe familjen.

Titulli i këtij libri është i rëndë: “Çfarë ndodhi, çfarë pashë, çfarë hoqëm, në Shqipërinë burg!

Megjithatë, jo për të ngushëlluar bashkëvuajtësit për vitet e vështira, por ndoshta për të thënë një të vërtetë të pa evidentuar: ata që e kishin përballë kundërshtarin politik dhe qenë vetëdijshëm pozicionuar përballë tij, ishin më të lirë se shumë të tjerë, të cilët jetonin të frustruar, me moskuptimin se nga buronte shtrëngimi dhe me përpjekjen e dëshpëruar të tjetërsimit, e cila nuk u solli në jetë asgjë të vyer veç frikës.

Liria, me sa duket, është një qenie e brendshme që buron nga pastërtia e përjetimit të natyrshëm të bindjes. Këtë na thotë me shumë dije autori Kurt Kola dhe bindja e tij mbetet besimi te virtyti e ndershmëria dhe vazhdimësia me një të vërtetë të qartë historike për brezat e ardhshëm. Rikonstruktimi i ndershëm i së kaluarës mbetet një kusht për vazhdimin normal të jetës.

“Pashallëqet” e fjalës

$
0
0

Nga Dr. Mirela Oktrova

Kohë si këto, në të cilat media e ndjen të nevojshme të ridefinojë raportet e veta me politikën, evidentojnë më fort se kurrë të vetëndjerin e saj si “pushtet i katërt”, pavarësisht hasjes apo jo të termit në ligjërim. Po pikërisht në mëtimin për autoritet shoqëror dhe matje forcash, media rezulton jo vetëm e ngjashme me pushtetet e tjera, por edhe bashkëpërgjegjëse, për situatën, që sot rastësisht e pëson vetë.

Po ç’e bashkon median me pushtetet e tjera?

Së pari, karakteri përfaqësues i informacionit të përzgjedhur, krejtësisht në kontradiktë me masivitetin e komunikimit. Në aktivitetin e përditshëm seleksionimi ka peshë gjithnjë e më të konsiderueshme në raport me hetimin dhe komunikimin. Punonjësit e medias kanë gjithnjë e më shumë për profesion dhe mision jo të pasqyrojnë, por të peshojnë lajmet, për të ndarë, se cilin prej tyre do ta kalojnë në komunikim masiv dhe cilin jo – një vendim i ngjashëm me atë të çdo parlamentari, të cilit i duhet të ngrejë dorën pro ose kundër vendimeve me pasoja jetike për miliona jetë, mbi të cilat bien pasojat e vendimmarrjes së tij. Pushtetin politik e legjitimon vota, gjyqësorin ligji, median interesi publik. Pushteti politik s’është përjetësisht legjitim – mund të humbasë shumicën apo të mos marrë votëbesim. Legjitimiteti i gjyqësorit është gjithashtu i lidhur në mandate, hierarki, afate dhe procedura. Shkurt: tre nga katër pushtetet kontrollohen nga votuesit, nga hierarkia, po dhe nga mediat.

Po kush kontrollon vallë “pushtetin e katërt”? Kush verifikon legjitimitetin e tij? Kush i jep votëbesim?

Vallë publiku? Po cili publik? I specializuari, që është vetë pjesë e problemit? Apo i paspecializuari, që njeh pak ose aspak parimet e funksionimit të medias në demokraci dhe alternativat që përbëjnë etalon. Se edhe nëse i njeh nuk është patjetër e thënë që t’i identifikojë si të tilla. Po nëse jo publiku, atëherë kush tjetër? Ekzekutivi? Legjislativi? Gjyqësori? Me cilat mjete dhe para së gjithash, me cilat standarde?

Në fakt mediat e “kalojnë lumin” me marrjen e licencës dhe janë gjithmonë në “bregun e thatë” të tij nëse dinë të manipulojnë audiencën dhe instrumentet e matjes së saj si edhe ta përdorin çadrën e interesit publik jo vetëm për t’u mbrojtur, por edhe për të sulmuar. Për nëse shoqëria nuk njeh asnjë ekzistencë apo kontribut nëse s’ka prani mediatike dhe nëse legjitimimi i pushteteve të tjera vendoset në media, ndonëse ajo vetë s’ka nevojë për legjitimim, mediat nuk janë më thjesht pushtet i katërt…, po pashallarët e vetëm të fronit të lirisë fjalës, tri këmbët e pushtetshme të të cilit jo vetëm kujdesen ta mbajnë atë ngrohtë e drejtë, po dhe të kapen fort pas tij, që të mos u bien këmbët në tokë…

Synim, që i bashkon po aq sa i dobëson…

Të vetëndjerit e botës nën këmbë është jo pak i përhapur në rrethet mediatike. Dukuria, që në Perëndim njihet si të vetëndjerit e “mbinjeriut mediatik”, është kurthi, që e bën median akoma më arrogante se politika dhe publikun njësoj mosbesues ndaj të dy palëve, sëmundja që ha tirazhe e kuota teleshikuesish dhe bren së brendshmi demokracinë. Po ndonëse tejet e mprehtë lokalisht, dukuria ka karakter global. Sondazhe të specializuara në Evropën Perëndimore, evidentojnë se sipas 60-75% të të anketuarve media prej kohësh nuk reflekton shqetësimet dhe nevojat e audiencës. Nuk është e vështirë të përfytyrohen rezultatet eventuale të një sondazhi të tillë në peizazhin tonë mediatik, me superprani operatorësh, inekzistencë rregullatorësh dhe standarde kaotike, që respektohen po aq pak sa sanksionohen.

Po media si dhe pushtet e tjera nuk është thjesht dhe vetëm indiferente. Ajo është para së gjithash manipulative. Shmangia – formale sigurisht – e gazetarisë së angazhuar apo pozicionimit politik është njëri prej manipulimeve më të mëdha të dy dekadave të fundit. Pretendimi gjithnjë e më i fortë i paanësisë sterile të gazetarit apo/dhe medias, megjithëse çdo veprimtari editoriale – nga ideja te shenjat e pikësimit – është rezultat i një vendimi thjesht subjektiv, jo vetëm që është objektivisht paradoksal, por ndikon negativisht edhe në raportet profesionale me faktin dhe perceptimin. Besimi i verbër i mitit të “objektivitetit të tyre profesional” i shtyn gazetarët në rrugën “fatale” të identifikimit të vlerësimit të tyre subjektiv me standardin. Për rrjedhojë ata nuk janë pjesë e sistemit, nuk janë as jashtë sistemit, por thjesht “lundrojnë” mbi të. Kjo lind mentalitetin e rrezikshëm të arbitrit dhe vlerësimin ex catedra, që i vështirëson jetën kujtdo që bën diçka jashtë kornizave – paçka se në politikë, biznes, shkencë apo në arte.

Fushatizmin dhe mungesën e strategjisë media i vuan po aq sa pushtetet e tjera dhe i mbulon gjithashtu me arrogance, njësoj si ata. Një media që publikonte dikur një histori interesante, do të ndiqej të tjerat vetëm nëse ofrohej ndonjë trajtesë krejt të veçantë. Sot, motoja “pse ata dhe jo ne”, jo vetëm që nivelon informacionin, por dhe rrit peshën e stërhollimeve në mënyrë joproporcionale, duke rrezikuar manipulimin e së vërtetës dhe fakteve. Sigurisht, duke pretenduar monopolin e së vërtetës apo të ekskluzivitetit. Hulumtimi, verifikimi, konsultimi i burimeve të shumëfishta dhe jo së fundi monitorimi i zhvillimeve në kohë dhe hapësirë janë pjesë gjithnjë e më pak e rëndësishme e gazetarisë, së vërshuar e mbytur nga pseudolajmet politike dhe interesat klanore – që stisin lajme, inskenojnë intervista e prodhojnë debate.

Të përsëritura, jotransparente, kakofonike, pa informacion, synimi i vetëm i të cilave është menaxhimi i interesave dhe politika e vetë medias. Pra, pa kurrfarë interesi publik! Se ajo që publikut i intereson, është shumë më tepër se interesat mediatikë të politikës dhe interesat politikë të medias – po nëse kjo nuk respektohet, ne sigurisht, që s’kemi për çka të flasim tjetër, përvese vetëm për ish-ministrin e Brendshëm, për vettingun apo qoftë dhe për arrogancën e komunikimit të politikës me median.

Një shprehje idiomatike e rëndësishme komunikimi thotë: “u njohëm si shumë bashkë”. Dhe shprehja ka logjikën e saj: midis medias dhe politikës duhet ruajtur një distancë e shëndetshme, ashtu sikurse midis drejtësisë dhe politikës apo medias dhe drejtësisë. Çdo afërsi përtej kësaj distance, mund të të bëjë po aq protagonist, sa edhe të varur, mund të marrësh vëmendje dhe të japësh pavarësi. Për sa kohë palët e kanë të qartë se nuk mund të jenë miq, po thjesht bashkudhëtarë interesash, duhet edhe ta dinë, se kush pranon favore, s’mund të jetë objektiv dhe kush blen vetë status me prapaskena, nuk mund të jetë instancë morali. Po që e gjithë kjo të mos ndodhë, duhet që prioritetet të jenë diku tjetër. Dhe që kjo të funksionojë duhet të funksionojë më së pari, monitorimi i respektimit të kushteve të licencës. Nga i cili asnjë media nuk duhet të gjejë mburojë në sqetullën e politikës–majtas ose djathtas, në pushtet apo në opozitë. Vetëm një media, që s’ka gjë për të fshehur, as në burime financiare dhe as në bilance, as në burime teknologjike dhe as në menaxhim burimesh njerëzore, në licenca programore, kushte të sigurimit teknik apo të drejta autori, mund të jetë e lirë në aleanca, strategji apo objektiva, mund të kritikojë pa pasur frikë për të nesërmen…

Media e luan rolin e pushtetit të katërt, nëse, siç shprehet Maks Veber, është e aftë të ushtrojë kontroll mbi sjelljet e aktorëve të tjerë – qoftë edhe pa pëlqimin e tyre – me synim që ushtrojë ndikim në vendimmarrje. Po ndikimi i saj mund të jetë vetëm ndikim në emër të interesit publik dhe jo kundër tij. Pushteti i medias buron nga transparenca, integriteti, lidhja e fortë me audiencën dhe autoriteti i informacionit, që prezanton. Kulisat, paktet dhe spekulimet për llogari interesash në konflikt, dëmtojnë politikën ose palët e saj, po nuk sjellin asnjë përfitim afatgjatë për median dhe aq më pak dobi për publikun.

Jo më kot, nga anketimet në Europën Perëndimore rezulton, se një pjesë e konsiderueshme e publikut është e mendimit, se “politikanët vërtet nuk marrin vesh” po edhe mediat nuk punojnë më mirë, se sa subjektet, të cilëve u referohen. Po atje, problemi arrin të tematizohet, të hulumtohet dhe të pasqyrohet dhe në media, duke nxitur një proces, të cilin media duhet ta kapërcejë me sukses, nëse do të legjitimohet.

Kjo duhet të nisë dikur këtu – mbase nga vetë mediat, që debati të mos mbytet dhe debatuesit të mos etiketohen shpejt si “cenues të lirisë së shtypit”. Media bën vërtet karriera dhe i shuan ato, sajon ngjarje dhe i zhbën ato, ushqen simpati dhe i mbyt ato …, po ajo kurrsesi nuk mund të jetojë vetëm për këtë dhe vetëm nga kjo… . Nëse po, arroganca dhe arbitrariteti i saj ushqehet nga padija, varfëria dhe standardi i ulët i zhvillimit shoqëror e demokratik. Që s’mund të mbajë përjetësisht! Se pavarësisht se sa vonon, edhe shikuesi më indiferent e kupton dikur, se nuk po i flet më atij… Dhe nëse ky moment vjen – atij nuk i vlen kurrfarë legjitimi. Ai thjesht të shmang sapo të mundet: sa në kioskë – sa me pult.

Atëherë s’bëhet fjalë më as për ekzistencë – jo më për pashallëk…!

Shkrimtarë e botues, pse shqiptarët s’mund të bëhen kurrë lexues?!

$
0
0

Organizuar nga UET Press dhe Instituti Pashko në ditët e panairit forumi i mbajtur me shkrimtarë e botues ka sjellë në vëmendje problematikën e letërsisë bashkëkohore shqipe, pse nuk lexohen autorët shqiptarë, çfarë po ndodh me lexuesit, çfarë është kjo shmangie nga libri; çfarë po ndodh në komunikimin letrar mes trevave shqipfolëse…flasin shkrimtarët Kim Mehmeti, Preç Zogaj, Diana Çuli, Natasha Lako, studiuesi Ag Apolloni, administrator i UET, Henri Çili, shkrimtarja e botuesja Flutura Açka, dhe Ermir Nika përfaqësues i Ministrisë së Kulturës

Kim Mehmeti: Krijuesit nga Shqipëria i lexoj jo se shkruajnë mirë, por se dua të jem i informuar

“Kur flasim përgjithësisht për artin, e posaçërisht për letërsinë duhet patur parasysh që, në përgjithësi, kultura shqiptare funksionon ende sipas principit, të principatave të veta. Ne nuk jemi ende një tërësi, prandaj edhe nga ky këndvështrim mendoj se duhet të shihet edhe letërsia bashkëkohore, sa lexohet. Thënien se shqiptarët nuk lexojnë, më së shumti e kanë fryrë autorët që nuk shkruajnë mirë, që s’dinë të shkruajnë. Unë mendoj se letërsia e mirë lexohet, dhe se, shqiptarët lexojnë. Posaçërisht në Shqipëri lexojnë, në Kosovë e Maqedoni lexueshmëria është pak më e dobët, për arsyen se ne jemi pjesa e popullit më e paarsimuara dhe që kemi filluar shumë vonë të arsimohemi. Mirëpo edhe atje, besoj se lexohet. Ajo që duhet ndoshta, që ne ta shtrojmë si çështje është se çdo gjë që zhvillohet tek ne, në kulturë e letërsi, është se ajo lind në në shoqëri kur janë rrënuar të gjitha standardet vlerësuese, ku ekziston një tollovi e plotë. Në këtë pamje është shumë vështirë edhe ta akuzosh lexuesin  pse nuk lexon, sepse në këtë rrëmujë ku nuk ke si i vlerëson krijuesit nuk ke të drejtë të hysh në terrenin tjetër. Shkrimi është një proces individual që ka të bëjë me vetveten, edhe leximi është një lloj formati që duhet kultivuar po aq sa edhe shkrimi, prandaj këtu duhet të shtrojmë pyetjen se sa ne, e kultivojmë lexuesin. Unë nuk e di si është në Shqipëri, por në Maqedoni pas mbarimit të shkollës, te ndonjë klasë, nxënësve më të mirë u dhurohen libra. Në momentin që sheh se cilët janë ata autorë që u jepen si dhurata fëmijëve, ju do të kuptoni se ata nxënës kurrë nuk do të lexojnë. Kurrë nuk do të bëhen lexues. Se thjesht, ata janë njerëz që partia a ndonjë qendër tjetër vendos që ata shkrimtarë duhet të shiten në atë shkollë. Çdo gjë është bërë një biznes, një tregti. Edhe arti e letërsia është bërë tregti. Ne u shndërruam në një shoqëri ku përveç politikanëve, të gjithë vajtojnë. Ne vajtojmë ato kënaqen. Unë mendoj se në këto rrethana me të cilat ne funksionojmë letërsia shqiptare nuk qëndron keq, përkundrazi. Mendoj se qëndron mirë. Unë, në këto rrethana në të cilat funksionojnë shoqëritë shqiptare, ku më lehtë gjen një vrasës me pagesë, mendoj se lexues kemi mjaft. Ende mbahemi mirë. Këtë e mbajnë bash ata entuziastët, asketët se ç’duhet të jenë krijuesit në fund të fundit. Krijuesit s’mund të jenë nga ata që presin të bëhet krijimtaria me programe shtetërore, e as qeveritarë. Mirëpo ajo që është, mendoj se hetohet mungesa, që më pengon mua si krijues është se ne filloi të na pëlqejë ajo që çdo njëri të jetë shkrimtari më i mirë i mëhallës së vet. Edhe çdo njëri të funksionojë në principatën e vet. Neve shqiptarëve filloi të na pëlqejë që të kemi kulturë të fragmentuar, letërsi të fragmentuar dhe të mos të kemi të kompletuar bibliotekën tonë nacionale. Nuk është diçka e vështirë të bëhet kjo. Le të dalë ndonjë e të më thotë se cilin krijues nga Maqedonia ka lexuar, qoftë edhe më të dobëtin, të paktën me qenë të informuar. Krijuesit nga Shqipëria unë i lexoj jo se shkruajnë mirë, por se dua të jem i informuar. Kjo mendoj se është një temë shqyrtimi, sepse pjesa tjetër se sa lexohet, është më e ndërlikuar nuk ka të bëjë vetëm me atë sa lexuesi, por edhe sa shkrimtari ofron tregun. Ne jetojmë edhe në kohën e mediave elektronike ku nuk mundesh që çdo gjë të vlerësohet në principet e asaj se sa blihet libri, por ka edhe forma të tjera sot për publikimin e librit.” 

Diana Çuli: Kritika s’flet dot për nivelin e librit, përcillet me heshtje

“Përgëzoj UET Press dhe Institutin Pashko për këtë nismë, na mungonte. Është vërtet një kontribut për kulturën, debatin letrar për mendimin letrar. Vazhdimisht jemi ankuar, ja që vijnë gjërat në vendin e tyre dhe ne,  po fillojmë të diskutojmë. Nuk mendoj se vitet e fundit ka qenë një boshllëk kritik, sepse vetë gazeta Mapo ka pasur faqen e saj letrare, libri&ide, ka qenë gazeta “Milosao”, është gazeta “Nacional” që do të thotë se disa hapësira i ka patur, po ashtu edhe hapësira televizive si Top Channel, TVSH, Ora News…ka pasur një ndërgjegjësim të medias për t’i dhënë një vend mendimit kritik, por kanë qenë të paorganizuara. Kështu që tani, ne po vijmë drejt organizimit. Ashtu si Kim Mehmeti mendoj, se ka letërsi shqipe herë pas here edhe me nivele shumë të mira. Gjithnjë bëj krahasime me vende të tilla si Italia, apo Franca me 60-70 milionë banorë, kanë  4-5 shkrimtarë të njohur, pavarësisht se atje ka me qindra. Nëse ne jemi gjithsej në Ballkan 3-4 milionë banorë, nëse kemi katër shkrimtarë të përkthyer, dhe katër shkrimtarë të njohur këtu , ne jemi mirë, vazhdojmë një traditë. Ne mund të mos marrim të gjithë lexuesin, indeksin, por ja që vazhdojmë të shkruajmë. Sigurisht që probleme ka shumë. Për mua problem më i madh është që ne nuk dimë të bëjmë një rrafshim  të vlerës, të kemi një hierarki vlerash në letërsi, se cili është shkrimtar i mirë, mesatar dhe i dobët. Këto nuk i kemi më, kritikët letrarë nuk i thonë më këto. Ose bëjnë një heshtje totale, dhe ndoshta kjo shpjegon gjendjen. Atëherë autori duhet ta kuptojë se ku ka heshtje libri nuk është përcjellë mirë. Këtë situatë është e vështirë ta kuptojë vetë autori. Ndoshta me kalimin e kohës.” 

Preç Zogaj: Do mbështes çdo nismë për uljen e çmimit të librit, më i larti në Evropë

“Ka shumë probleme për të folur, dhe kjo është një tryezë spontane dhe nuk di nga t’ia fillosh. Meqë është një bisedë po them dy problematika. Le Clezio thotë se vetmia është fati i shkrimtarit. Por në Shqipëri, kemi kaluar në një lloj ekstremi që ndjehemi shumë më të vetmuar, se sa ajo vetmia e domosdoshme e krijimit. Nuk ka komunikim shkrimtari me botuesin, dhe e kundërta, shkrimtari me kritikun. Nga eksperienca kam parë që shumë shkrimtarë poetë, apo prozatorë, e ndjejnë shumë mungesën e këtij komunikimi. Nuk ka redaktim. Ndonjëherë të duhet edhe orientim. Kjo është një gjë që ndodh kudo. Shkrimtari është pjesë e një mekanizmi më të gjerë se sa vetmia e tij. Ai në fund vetëm është, por nuk sugjeron askush, asgjë dhe mund ta marrë librin dhe të vendosë vetë nëse e boton apo jo. Por duhet të ringremë mekanizmin ku vepron vetë industria e krijimtarisë artistike. Këtë mund ta fillonte më përpara edhe shtëpia botuese e UET, qoftë duke komunikuar edhe për problematika. Sepse e shikojmë se aktualiteti vjen pak në letërsi. Shqipëria ka tema të gatshme, mendoj unë, për letërsi që të eci, për të mos thënë për letërsi të madhe, që e bën autori. Por subjekte ka jeta plot, dhe është një çudi që gjithë këto drama të mëdha që jeton Shqipëria nuk i shohim shumë në letërsinë tonë. Kjo është nga çuditë më të mëdha. Unë nuk jam prozator, por e them këtë si një vëzhgim që kam bërë. Kemi dëgjuar për vrasje të tmerrshme. P.sh vjen vajza në orën 1 të natës edhe vritet  nga të afërmit. Por, kjo ka një mentalitet të gjerë, që flet për shpërnguljen, mentalitetin, qytetin, jetën këtu, iluzionet, zhgënjimet etj këto janë drama të mëdha, vijnë pak në letërsinë tonë, nuk them se s’vijnë fare. Ndoshta këtu mund të ishte një temë e komunikimit mes botuesve me shkrimtarët për më shumë realizëm. Dikush i tha njërit, që të shkruajë me realizëm, provo e bëj një roman realist, përgjigjja qe: ti po kërkon të bëhet! Pra, i kërkoi të bëhej shkrimtar, shkrimtar realist sepse  jemi çmend me gjithë ato manierizma në art. E dyta, lidhet me jashtëletërsinë, për çmimin e librit. Unë mendoj se çmimi i librit është shumë i lartë në Shqipëri. Bëhen fushata sensibilizuese, madje investohet nga Ministria e Kulturës, harxhohen para për këtë që të lexojnë libra…por, nëse libri është i shtrenjtë, dikush i sëmurë pas leximit do lexojë nuk do të rrijë. Por, që libri të bëhet popullor nuk ka mundësi. Ne kemi, pak a shumë, çmime që ka Evropa, por me rrogat në Shqipëri. Nuk mund të pretendojmë që të kemi tirazhe. Duhet parë në themel kjo gjë, që prej kostos së prodhimit deri tek politikat e taksave. Sepse gjë më absurd, sesa të ketë politika kapitaliste ekstreme për librin në një vend të vogël, si Shqipëria, me një numër popullsie të vogël që të përballet me sfidat e globalizmit, dhe libri të kushtojë mbi 1 mijë lekë. Njerëzit hyjnë në panair vetëm me 2 mijë lekë. Unë mendoj se në kushtet e Shqipërisë, libri normal duhet të shkojë 400 lekë. Duhet bërë çmos të ketë këtë çmim. Kjo mund të merret si nisme nga kushdo, dhe nga UET. Dhe ne do ta mbështesim kudo për këtë gjë. 

Henri Çili: Zgjidhja e kohës s’është as ulja e çmimeve, por legjitimimi i mecenatit

Unë mendoj të kundërtën e Preç Zogajt sa i takon çmimit të librit. Në rolin tim krejtësisht modest, që janë bërë 5-6 vjet, që në kuadër të iniciativës Mapo ne kemi zhvilluar, jo thjesht gjëra për librin profesional, por edhe për letërsinë, kemi organizuar një grup aktivitetesh, ose një rruazë aktivitetesh, gjej rast të them një shqetësim, mënyrë se si e kemi konceptuar çfarë mund t’i kontribuohet kësaj tryeze. Në fakt kapitalizmi ka zgjidhjet edhe aty ku politikat e ashpra kapitaliste, apo tregut real të kostos reale, janë kundër kulturës. Është koncepti i mecenatit. Ne, si shoqëri nuk po e zhvillojmë, që vërtet do ishte një iniciativë shumë e vlefshme. Jemi ndër të rrallat vende që nuk e kemi dhe nuk e përdorim nocionin e mecenatit. Këtu kemi deputetë, ish- ministra në kohë të caktuara, dhe autoritete publike por është e pabesueshme se si 27 vjet më vonë një shoqëri e vogël, e cila e ka shumë të vështirë të ketë treg kulturor në kuptimin  e eficiencës të produktit kulturor në përgjithësi, të mos kemi ligjin e mecenatit ose ligjin e sponsorizimit. Ajo që është sot, s’është reale. Cila është ideja? Ka disa gjëra që nuk mbahen dot në treg, për një arsye apo një tjetër; çmimet e librave janë shumë të ulëta për shpenzimet që bëjmë, duhet të jenë dyfish më të larta, për strukturën e shpenzimeve që bëjnë shqiptarët në kafe, pushime, rroba etj. Pra është një problem tjetër me natyrë kulturore. Biznesi shqiptar bën mjaft sponsorizime të natyrave nga më të ndryshme, nëse ky kontribut i tij do të legalizohej, do strukturohej dhe do të njihej fiskalisht në të paktën mes 2.5 apo 5%  të detyrimeve vjetore tatimore, do të çlirohej në Shqipëri një buxhet për artin, kulturën, sportin, arsimin, bamirësinë, jetën komunitare etj., midis 200- 250 milionë euro, që është e paimagjiniueshme në kushtet e buxheteve të sotme publike për këtë çështje. Cila është ideja? Ushtrimi është shumë i thjeshtë, shumë vende e kanë kështu, sidomos vendet anglo-saksone, në totalin e 100% të taksave që i njeh subjektit ose individit, i bie të paguajnë në vit nëse paguan 2.5% ose 5% maksimalisht, dëshmon në mënyrë të rregullt ligjore, se këtë e ka bërë për botimin e një libri, një shfaqje teatrore, opera, teatri, filmi, azile pleqsh, kërkimi shkencor etj. etj., kjo të detaksohej. Shqipëria mbledh nga taksat rreth 3 miliardë euro, pak a shumë, nëse do ishte kjo lloj iniciativë, do të decentralizohej e çlirohej menjëherë një buxhet tmerrësisht i madh, në lidhje me kulturën, që do të ishte shumë më demokratik. Në ndonjë vend edhe do abuzohej që mund të jepej në ndonjë shfaqje missi ose ndonjë tallava, po nuk ka problem, se paratë e tyre janë- por në shumicën potenciale, njerëzit pak nga pak do ishin të prirur t’i çonin paratë drejt vlerave. Unë 27 pas vendosjes së kapitalizmit në Shqipëri, këtë e shoh si rrugë të vetme për të ndërtuar një lloj produkti kulturor, aty ku tregu nuk e mbulon. Po them modestisht iniciativën tonë, çfarë kemi bërë ne, dhe si e kam parë unë nëse do ishte e defiskalizuar, dhe tani që nuk është në kuadrin e iniciativës letrare Mapo, ne zhvillojmë disa aktivitete; japim çmimin Kadare; botojmë çdo javë 10-12 faqe letrare, jo thjesht Mapo libri; kemi 5 vjet që mbështesim rrjetin e kritikës shqip, ku disa nga autorët tanë më të mirë, pedagogët, a kritikët letrare si Preç Zogaj, Diana Çuli, Agim Baçi, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Gentian Çoçoli etj të cilët shkruajnë recensa kundrejt një honorari për autorin shqiptar; kemi nisur klubin e letërsisë kontemporane me librin e Preç Zogajt; do kemi qendër kërkimore në Universitet etj…të gjitha janë krejtësisht mecenat, pa kthim pas…nëse këto nga pikëpamja fiskale do ishin të defiskalizuar, do ishte shumë më e lehtë. Imagjinoni sikur kjo mundësi të zgjerohej gjithandej. Mendoj se zgjidhja e kohës s’është as ulja e çmimeve, por legjitimimi i mecenatit si e vetmja mënyrë për të plotësuar në mënyrë kapitaliste, e me vullnet të lirë ato gropa që lë tregu pa mbuluar.”

Flutura Açka: Nëse pas janarit taksa e librit nuk ulet, lexuesi do largohet përfundimisht

“Unë kam parë libra me çmime të lira, dhe mendoj se si ia dalin?! Kam 27 vite që merrem me librin, dhe mendoj se si del libri me çmim aq të lirë, kjo më ngre një pikëpyetje të madhe. Kostoja e librit është e lartë; paguaj copyright, janë autorë të mirë…etj., kështu nuk mund ta shes një libër me çmim të lirë, më mirë nuk dal fare nga shtëpia. Nuk di se si mund të rregullohet ky treg, por unë shqetësimin më të madh e kam mbas janarit çfarë do të bëhet, mbas TVSH-së së librave çfarë do të bëhet, mbas botuesve të vegjël…etj.. Unë mendoj se ky çmim do të shkojë në stratosferë, do të bëhet kërdia me librin. A mund të vëmë një barrierë, për të mbrojtur librin nga kjo se çfarë do të ndodhë? Unë këtë nuk e di. Për këtë duhen specialistë që ta analizojnë e studiojnë. Nëse libri pas janarit merr një goditje të kësaj natyre, ne nuk do ta ngremë më kokën. Lexuesit do të largohen përfundimisht. Unë kam 20 vjet që vij në panairin e librit. Edhe sikur mos të bëj asnjë gjë tjetër, unë vij për lexuesin tim personal, për lexuesit e “Skanderbeg’s book”, dhe vij sepse më pëlqen libri, panairi si një mundësi për t’i dhënë dorën njerëzve që më lexojnë. Dhe po ju them se ky është panairi më i vakët në 20 vite. Po e shqyrtoj: çfarë ka ndodhur me shqiptarët që nuk vijnë, e nuk e kthejnë panairin në festë?! Nuk është çështje varfërie, të varfër kanë qenë edhe para 10 vitesh, edhe më ’97, ’98 kanë pasur arsye që të mos jenë të gëzuar shumë, prapë kanë ardhur e kanë bërë festë tek panairi. Sot, nuk e kanë kthyer në festë, unë do të bëja një thirrje, se çfarë po ndodh me ne, çfarë po ndodh me lexuesit, çfarë është kjo shmangie nga libri?!  Panairi është si një dasmë, ku njeriu shkon të gëzojë, të jetë i gëzuar. Në panairin e librit të sivjetmë, nuk janë të gëzuar, kam parë njerëz të dëshpëruar, nuk e di pse?! Arsyet mund të jenë ekonomike, qoftë edhe atmosfera, ndoshta njerëzit s’janë të gëzuar në këtë vend – por është një gjë që më ka dëshpëruar shumë, ky panair i sivjetmë. Në këtë atmosferë si mund të pretendosh të mbash kiminë, lidhjen me lexuesin – për çështjen e çmimit. Për çështjen e kritikës, më vjen mirë që UET i ka kushtuar letërsisë në mënyrë sistematike në faqet e gazetës Mapo janë vërtet faqe të hapura, por ndodh që hapësirat në media botojnë gjithfarë tekstesh duke i sharë shkrimtarët për arsye ekstraletrare, që për syrin tim nuk është normale,  ku e kam gjetur ndonjëherë edhe veten. Kam respektuar gjithë punën e kritikëve si Agim Baçin etj., ku në këto kushte, kritika letrare as nuk ka nerva të na lexojë, nuk ka kohë, ndoshta nuk i blen të gjitha librat tanë, nuk kanë faj. Sa duhet krijuar mundësia? Kritikët duhen paguar, pasi nuk kanë ku t’i gjejnë librat tanë. Libraritë tona janë vajmedet, të gjitha të konkurruara nga butiqet me drita, me ngjyra. Shikoni libraritë shqiptare, a ka menduar kush për to. Duhen bërë një rrjet librarish dinjitozë për të ndihmuar shkrimtarët shqiptarë. A kemi bërë ne një librari që të jetë kombëtare ku çdo libër nga Kosova të jetë këtu, dhe anasjelltas. Ne s’kemi menduar për një çmim kombëtar që të jetë çmim i letërsisë shqipe, kudo që të jetë.” 

Natasha Lako: Proza në krizë, s’ka vepra personazhë të fuqishëm, zëdhënës të kësaj kohe

“Nëse gjejmë libra të akademikëve jo vetëm të qendrave studimore por edhe botuesve, që janë vërtet seriozë; Kur merremi me një autor, në fund të faqes përveç biografisë letrare do të gjesh paralel edhe periudhën kur ka jetuar.  Kështu edhe për shqiptarët. Periudhat tona të zhvillimit të letërsisë duhen parë në këtë formë. Historikisht historia e shkrimtarëve shqiptarë ka qenë e veçantë. Zakonisht u ka dalë për mirë, atyre shkrimtarëve që kanë qenë pranë elitave, të oborreve se sa atyre që kanë qenë në periferi. Kjo tregon se politikat e përgjithshme kulturore janë shumë të rëndësishme, dhe mecenatët sot janë të rëndësishëm, të mos flasim për perandorë, dhe forma të tilla duhet patjetër të aplikohen edhe në Shqipëri. Kjo është një çështje duhet shtruar dhe ka rrugëzgjidhje të ndryshme. Problemet që shtrohen për leximin por edhe çmimin, janë në gjithë botën. Dihet që leximi ka rënë në gjithë botën, dhe ne këtu harrojmë influencën e madhe të komunikimit të drejtpërdrejtë, dhe facebook që janë gjëra që duam s’duam godasin vlerat. Janë demokraci e madhe, janë ballafaqim i drejtpërdrejtë por është presion i jashtëzakonshëm nga çdo njeri, që në fund të fundit është një prirje që çdo njeri të bëhet qendra e botës: unë jam dhe s’ka tjetër. Kjo godet vlerat, dhe nuk është vetëm problem shqiptar. Ne, nuk e dimë akoma, edhe gjithë bota, se në çfarë perspektivë po shkon letërsia e sotme. Fatmirësisht ne, si shoqëri shqiptare, por edhe qenie njerëzore, në kohën e kulturës së papirusit që vazhdoi deri në piktura të mesjetës në fakt nuk kemi qenë ndryshe nga njerëzit e tjerë të kësaj bote, pavarësisht na kanë shkatërruar. Periudha më e rëndësishme, më e madhe demokratike, që solli një revolucion të madh është që me shpikjen e shtypshkronjës ku fatkeqësisht ishim në një humnerë në këtë periudhë, dhe ne tashi na duhet të rikuperojmë mangësira të mëdha shekullore për të përmbushur traditën tonë. Dhe papritur koha e librit na gjeti edhe në diktaturën më të egër, dhe sërish papritur gjendemi në këtë kohën e re të sotme që ne nuk mund ta parashikojmë. Ne, nuk kemi një aftësi për të analizuar ku jemi, nga ky vërshim shumë i madh i botimeve. Për mua poezia është shkëlqyeshëm sot, sepse është më e shpejtë, më telegrafike, i përgjigjet kohës së sotme. Por problem më i madh është letërsia në prozë. Nuk është çështja nëse ka apo jo, por ndoshta është prirja e re si eseistike, prirje për të distiluar kohën e së kaluarës sonë, për të cilën kemi pasur nevojë për një distilim artistik. Por nëse duam të shikojmë më tej është mungesa e personazheve. Ne, në prozë, nuk kemi në vepra personazhë të fuqishëm, zëdhënës të kësaj kohe. Pse? Mendoj se jemi në krizë, dhe na vjen pyetja se, pse nuk e shprehim më veten, ashtu siç jemi. Është një lumë krijimesh, veprash, por seleksionim nuk ka.  Mësuesit në shkolla nuk e njohin letërsinë, ndërsa bibliotekat tona nuk e dimë se sa fonde jep shteti, se çfarë politikash kulturore ndiqen. Periudha e sotme po u shkurton shumë lidhjet me lexuesin. Në Shqipëri thelbi i krizës është se nuk kuptohet se çfarë është konflikt interesi, a vret mendjen ndonjë instancë se përveç Bibliotekës Kombëtare që furnizohet me libra me detyrim nga botuesit, çfarë po ndodh me bibliotekat e tjera, kush e seleksionon letërsinë e mirë, serioze që të shkojë nëpër bibliotekat shqiptare.” 

Ermir Nika: Duhet të lobojmë të gjithë për ligjin e sponsorizimeve, libri të mos jetë në terren të pambrojtur

“Ministria e Kulturës bën herë pas here  studime për gjendjen e librarive publike. Nuk i kemi në varësi financiare, pasi janë  të decentralizuar qysh prej vitit 2002. Por bëjmë studime për të parë të gjithë treguesit, stafet, infrastruktura edhe buxheti. Buxhetet janë më të voglat që pushteti vendor ia akordon bibliotekave, kulturës. Lufta e madhe në vitin 2000 ka qenë për të mos shkurtuar stafin, pasi sa herë vinte reforma punonjësit e bibliotekave ishin më në shënjestër, pasi duke hequr këtë do mungonte, katalogimi, regjistrimi, hartimi i bibliografive  gjë që pushtetarët nuk i kuptonin mirë. Kemi ndërmarrë fushata të tëra për të ruajtur infrastrukturën e bibliotekave. Si ministri, prej vitesh, kemi dhënë e japim duke i pasuruar me fonde, që asnjëherë nuk i plotësojnë dot nevojat. Në pushtetet vendore, këto nevoja janë shumë të mëdha, lexuesi ka interes për librin, përballë gjithë sfidave. Me ndarjen e re administrative tani po identifikohen sa qytete kanë biblioteka, ku ndihet nevoja më e madhe për ndërhyrje. Shenja të mira ka, psh Korça po bëhet me një bibliotekë të madhe të re. Aty po bën një punë të madhe poeti Skënder Rusi për pasurimin e zgjerimin e bibliotekës.

Shpërngulja e intelektualëve nga qyteti ka sjellë ngërçe shumë të mëdha për këto qendra të kulturës dhe artit, ka qytete që nuk kanë aktorë, regjisorë, librarë apo bibliotekarë etj. Në vitin e fundit, që është bërë dhe fushata e leximit, në rrethe këtë muaj ka qenë një punë e ndjeshme, duke afruar njerëzit me librin, bibliotekën dhe ndjehet nevoja kryesisht te brezi i ri, që ka interes për të lexuar edhe letërsi shqipe. Sigurisht problemet janë të shumta, duke prekur edhe çmimet. Këto janë rritur pasi është rritur edhe cilësia e botimeve, duke mëshuar shumë tek e drejta e autorit, që gjithmonë e kostojnë një libër; letra vjen nga importi që merr kosto qysh në doganë, kemi bërë punë me Kosovën që libri shqip të kalojë pa doganë. Logjika fiskale që është sot nuk e pranon bindjen tonën për çmimin e sotëm të librave. Ne kemi bërë një punë, por duhet të lobojmë shumë, pasi duhet më shumë ndërgjegjësim. Libri nuk mund të jetë i lirë, ka shumë komponentë përbërës. Sa të jetë i mundur të paktën që libri të jetë pa taksa, ose i sponsorizuar. Ligji për sponsorizimin është hartuar pas viteve ’90-të, ka hyrë si logjikë, por në drejtim të librit e kulturës nuk ka funksionuar, duhet gjetur për këtë mekanizma, ashtu si sporti që po jep tregues se funksionon. A do të ndodhë edhe kjo tek kultura? Unë mendoj se një tryezë e tillë duhet të përsëritet, për të sensibilizuar. Ndoshta është edhe çështje mentaliteti që një biznes duke sponsorizuar kulturën mund të ketë ulje të taksave, dhe mund të fitojë më shumë se sa mund ta mendojë. Në këtë pikë ngulmoj që ta shikojmë më fort në të ardhmen, që të gjithë të lobojmë për ligjin e sponsorizimeve që të paktën kultura të mos gjenerojë në një terren të pambrojtur.”

Ag Apolloni: Është dobësi e jona që sot nuk kemi një kritikë sociologjike ku çalojmë me librin e lexuesin

“Problemi i lexuesve është nga problemet më të gjata në historinë e letërsisë sidomos këtë shqetësim e kanë përcjellë dramaturgët. Megjithatë ata e kanë gjetur ngushëllimin tek spektatori duke e zëvendësuar lexuesin. Është interesante që atë lexues që e kishte shmangur e larguar modernizmi, në botë e kthen postmodernizmi. Ndërsa këtu në Shqipëri nuk kemi një zhvillim normal të letërsisë dhe kjo është arsyeja pse postmodernizmi nuk ka arritur ta kthejë lexuesin tek letërsia. Ky shqetësim vazhdon të jetë i pranishëm. Rast i rrallë, nuk e di në botë, por në Evropë besoj po, që arsyet pse një letërsi nuk funksionon, nuk gjen lexuesin e vet është se janë edhe rrethanat historike së pari, politike, sociologjike…Është një dobësi e jona, që sot nuk kemi një kritikë sociologjike që do t’i evidentonte këto fakte dhe do t’i gjente shkaqet se ku çalon ky problem. Letërsia postmoderne, me të cilën jam marrë më shumë, dhe e ligjëroj në Universitetin e Prishtinës, është një paradoks, se si nuk arrin të krijojë lexuesin e saj as në Kosovë, as  në Shqipëri, as në Maqedoni, ku sigurisht në Kosovë ka më shumë lexues të kësaj letërsie. Ndërsa në Shqipëri ka një refuzim të çuditshëm që për mua është shqetësim i dyfishtë që letërsia postmoderne, refuzohet. Jo pse nuk ka autorë, apo libra të mirë, madje ka edhe kritikë që i kanë parë këto vlera, por lexuesi shqiptar duket se është lexues tradicional dhe nuk është mësuar të sfidohet ka mbetur te letërsia realiste, që në fakt Shqipëria kurrë s’ka pasur, për shkak se ajo ka qenë impresioniste, ose socrealiste, po kurrë realiste. Ndërsa pas viteve ’90-të kemi një letërsi të shëndoshë, letërsi me shumë elementë postmoderne, edhe kur vepra nuk është një ekzemplar i mirëfilltë i postmodernizmit është një vepër që kalon nivelin e letërsisë para ’90-ës. Kemi një ngecje të lexuesit që ndihmohet pak edhe nga botuesit, ku rastet janë të dukshme. Mendoj se botuesit duhet të përpiqen më shumë që të fokusohen tek kjo letërsi e margjinalizuar, por që është letërsia e vërtetë, letërsia e kohës sonë.”

Haruki Murakami, përditshmëria e së shkuarës

$
0
0

Nuk ke pse të kthesh kokën pas- ajo që ke ëndërruar në fëmijëri është në lëkurën tënde, udhëton me ty edhe kur ti nuk ke mundur apo nuk ke dashur ta lexosh. Haruki Murakami ka fuqinë të na tërheqë për të besuar se po dëgjojmë veten tonë teksa ai flet. Ai kërkon të ngrejë një urë, mes botës sonë të imagjinatës dhe kujtimeve me atë realen, që e kemi përballë

(Shënime për romanin “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit” të Haruki Murakamit)

Nga Agim Baçi

Nuk ke pse të kthesh kokën pas- ajo që ke ëndërruar në fëmijëri është në lëkurën tënde, udhëton me ty edhe kur ti nuk ke mundur apo nuk ke dashur ta lexosh. Haruki Murakami ka fuqinë të na tërheqë për të besuar se po dëgjojmë veten tonë teksa ai flet. Ai kërkon të ngrejë një urë, mes botës sonë të imagjinatës dhe kujtimeve me atë realen, që e kemi përballë. E menjëherë vjen një pyetje që s’i shmangesh dot: “A duhet t’i besojmë asaj që shohim apo asaj që kemi menduar?”. E më pas: “Çfarë na bën të plotësuar në këtë jetë?”

Romani “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit” është një stil realist, edhe pse ndërtohet si një udhëtim i nëndheshëm i mendimeve tona, i kujtimeve tona. Haxhime, një personazh që nuk ka synim të na trondisë, vjen përmes një bote të largët, të mbetur në sytë e tij si e paarritshmja, ndërkohë që e tashmja ka pikëpyetjet e veta. Duke kujtuar atë që ka njohur dhe ka dashur fëmijë, Shimamoton – vajzën krenare dhe të zgjuar por që një këmbë e tërhiqte pakëz zvarrë-, Haxhime  i Murakamit na fton të kujtojmë se, e shkuara është përditë me ty dhe se ti ke nevojë ta dish që është aty, e t’i japësh atë që meriton. Sidomos kur nuk je më vetëm ti me veten tënde, por je duke bashkëndarë përditshmërinë me një tjetër jetë, apo edhe me më shumë se sa një jetë, siç mund të jenë familja, gjaku yt.

“-Edhe unë doja të të shihja, – tha ajo. – Por ti nuk erdhe kurrë. E kujton këtë? Pasi fillove shkollën e mesme në një qytezë tjetër, unë të prita. Pse nuk erdhe? Kam qenë shumë e trishtuar. Mendoja se kishe zënë miq të rinj në vendin tënd të ri dhe kishe harruar gjithçka rreth meje.

Shimamotoja shtypi cigaren në tavëll. Kishte vënë llak të tejdukshëm. I dukeshin si punim dore i bërë me mjeshtëri, me shkëlqim, por nuk binin në sy.

-Kisha frikë, ja pse, – thashë.

-Frikë?- pyeti ajo. – Frikë nga çfarë? Nga unë?

-Jo. Jo nga ty. Frikë nga refuzimi. Isha ende fëmijë. Nuk e përfytyroja që ti po më prisje vërtet. Kisha tmerr se do më refuzoje. Se do të vija në shtëpinë tënde për të të parë dhe do të të bezdisja. Prandaj nuk erdha më. Nëse do të lëndohesha, mendova se do të ishte më mirë të vazhdoja të jetoja me kujtimet e bukura të kohës kur ishim bashkë”. ( Haruki Murakami, “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit”, Përkthimi: Artan Kuçi, f.91)

Haruki Murakami arrin të shmangë gjithnjë banalen në rrëfimet e tij dhe plot elegancë të na tërheqë vetëm në atë çka vlen të kujtohemi apo ëndërrojmë. Në këtë rrëfim, pa shumë surrealizëm si në romanet e tjera, Murakami risjell të gjitha kujtimet si një përrallë – ato që kemi imagjinuar dhe ato që na kanë ndodhur. Dhe për dashurinë, që është gjithnjë me kohën e vet brenda nesh, ai rikthen nevojën për t’i dhënë përgjigje vetes, se ç’vlen për ne për të ruajtur nga e shkuara.

Por a janë rikthimet pas një shpëtim i shpirtit? Vetë titulli i romanit, ku përmenden kufijtë, dielli dhe perëndimi, duket si një ftesë për të parë veten përtej një çasti të vetëm, që të mos mbetemi peng dëshpërimesh. Sepse ne nuk mund të jemi tjetërkush përveç asaj që na ka ndodhur, përveç takimit tonë me fatin.

Një rikthim i Haxhimes në përditshmërinë e tij me Jukikon dhe dy vajzat pasi Shimamoto e fëmijërisë zhduket, është si një zgjim për të të shkundur nga ajo që nuk munde dot të ishe. E shkuara është në përditshmërinë tonë, në lëkurën tonë. Por ajo vlen ashtu, shpeshherë si e pamundur, si një ëndërr, që vlen të shihet duket ditur se do të zgjohesh, se do të shohësh atë që ke pranë vetes duke i dhuruar dashuri.

Jukiko mblodhi krahët në kraharor dhe më vështroi. – Edhe unë kisha ëndrra, e di? Por në një farë mënyre, u fashitën rrugës. Para se të të takoja. I vrava. I shtypa dhe i hodha tej. Si një organ i brendshëm që nuk të duhet më dhe që e shkul nga trupi. Nuk e di nëse kjo ishte diçka e drejtë. Por ishte e vetmja gjë që mund të bëja në atë kohë… Ndonjëherë shoh një ëndërr. Të njëjtën ëndërr herë pas here. Me dikë, i cili, tek mban diçka në të dyja duart, vjen tek unë e më thotë: ‘Ke harruar këtë’! Ka qenë lumturi për mua të jetoja me ty. Nuk më ka munguar asgjë dhe nuk kam pasur asnjë ankesë. Prapëseprapë, diçka më përndjek. Zgjohem në mes të natës e mbuluar nga djersët. Më përndjek ajo që kam hedhur tej. Ti kujton se je i vetmi që përndiqesh, por e ke gabim. Nuk je i vetmi që ka hedhur tej diçka, që ka humbur diçka. E kupton se ç’dua të them?” (Po aty, f. 203-204)

 

PËRKTHYESI

$
0
0

Ka tre vjet që u bë me bujë promovimi i botimit të përkthimit në shqip i  një përmbledhjeje me poezi të shkrimtarëve francezë, nga Mesmal Binjaku, një ish i burgosur politik. Në fakt, që kur e dëgjova lajmin në televizor m’u krijua një dyshim nga ato që nuk largohen. M’u ringjallën të forta përjetimet e burgut. Doja ta sqaroja këtë pyetje: “vërtet ai e ka përkthyer?”

Nga Maks Velo

Mundohem që atë periudhë, ta harroj. Kohën, atë vend, njerëzit. Kanë kaluar 30 vjet.

Por me sa duket është e pamundur.

Ka tre vjet që u bë me bujë promovimi i botimit të përkthimit në shqip i  një përmbledhjeje me poezi të shkrimtarëve francezë, nga Mesmal Binjaku, një ish i burgosur politik.

Në fakt, që kur e dëgjova lajmin në televizor m’u krijua një dyshim nga ato që nuk largohen.

M’u ringjallën të forta përjetimet e burgut. Doja ta sqaroja këtë pyetje: “vërtet ai e ka përkthyer?”

Pastaj akuzova veten: “Ti dyshon në çdo gjë! Dole i gjallë nga burgu,  por të është thyer lidhja me botën, je dyshues i pashpresë.”

E dija, vetëm një njeri mund të më japë një përgjigje të saktë.  Ky ish Xhuvi,  i burgosur i vjetër.

***

Këtë gjë e ndjeva qysh  në fillim, në mënyrë të pavetëdijshme, anësore, tangjent, si një rrymë ajri që vinte nga mbrapa. Nuk ish as adhurim, as nënvlerësim. Ish diçka e vulosur nga koha, si shtresat gjeologjike. Ish thjesht një klasifikim. I pandryshuar, por ish më i rëndësishmi.

Ata i përkisnin një bote tjetër, të përjetësisë.

Rrinin me ty, të tregonin edhe ndonjë ngjarje, por ato më kryesoret, më të fshehtat, të pashkruarat, nuk t’i tregonin kurrë.

I thosha vetes se kam hyrë gabimisht, se jam i pafajshëm, se duhet të më lirojnë , se nuk kam punë me këta të burgosurit e përjetshëm.

Ata më shihnin me njëfarë përçmimi, me një dyshim,  sikur pyesnin: “ Kush është i fajshëm këtu?”

Kjo nuk ka lidhje me fajin apo pafajësinë,  burgu është tjetër gjë. Është një zonë historike njerëzore, është një copë fati, është e domosdoshme. Paçka se nuk e pranojmë. Ndofta ndonjë ditë do jesh dhe Ti i vjetër si ne. Tani për tani nuk je. S’i dihet…!

Këta të burgosurit e vjetër –mendoja –janë  si një popull më vete. Këta i mbulon misteri, i mbulon faji, i zbulon pafajësia, i ndriçon një dritë tjetër, si e përtej jetës… Janë të vetmit që kanë këtë aromë, këtë lëkurë transparente, këtë qëndrim mospërfillës.

Kanë atë shikimin e munguar, të thellë, pa ndriçim, pa dritë, pak.

Rrinë gjatë në një pozicion, shohin larg dhe mezi të kthejnë përgjigje.

Ata i shkojnë jetës anash pa pushuar.

Me ne, këta nuk kuptohen, kurse mes tyre kuptohen në heshtje.

I dinin jetët e njëri-tjetrit, se kishin pasur vetëm jetë burgu. Jeta e mëparshme ish shuar, sikurse shuajmë me gomë një fjalë që s’ka kuptim më.

Që të fitoje besimin e tyre duhet të bëheshe edhe ti si ata;  i burgosur i vjetër.  Pastaj,  mund të të tregonin jetët e tyre.

Ata të zonës së mesme, si unë,  kalitnin durimin dhe besonim se një ditë do të liroheshim, po edhe dyshonin në këtë fakt të lumtur… Sikur jeta të vazhdojë kështu!  Se,  ja ku i kemi, të burgosurit e përjetshëm të pashpresë, të burgosurit e vjetër… Prandaj edhe na shtinin frikën se ishin fakt prezent i pandryshueshmërisë. Sikur të mos ishin këta edhe mund të kishim shpresë, por këta sikur na thonë “Do të bëheni si ne”.

Ky Komunizmi doli i fortë si ata boksierët që ngrihen nga tapeti dhe luftojnë prapë.  Po ku i dihet, ja pëson një infarkt…

-Çfarë the? Pse,  pësojnë infarkt sistemet? Njerëzit po, por sistemet jo.

– E ke gabim.  Edhe sistemet si trupi njerëzor janë.

-Pse çmenden sistemet dhe nuk iu rënkësh  infarkt ?! S’i dihet.  Ti gjithmonë ke qenë fantashkencë dhe fantaart,  prandaj dhe je këtu.

– Epo,  njerëzit nuk janë njëlloj.

Pastaj është edhe zona e shpresës.

Janë ata që kanë edhe pak dhe lirohen.  Ata sikur bëhen gati, janë gjysmë të liruar dhe gjysmë të burgosur. Fillojnë mbajnë distancë, sigurisht me takt.

-Epo tani na pret bota jashtë, lumturia.

-Kam 12 vjet pa bërë seks, e mendon se çfarë lumturie është?!  Po ti ke bërë të paktën…

-Ç’regjim, mo! Para seksit nuk vë gjë në botë.  Unë s’kam parë pidh me sy…të prekësh femër me dorë…t’i futësh dorën poshtë…O zot…!

Sytë fillojnë dhe u shkëlqejnë. Bëjnë ca lëvizje që nuk i bënin përpara, ndalin papritur, pastaj shpejtojnë për çdo gjë sikur kjo ua shpejton ditën e lirimit.

***

Galeria dhe burgu, kanë shumë gjëra të ngjashme.

Burgu ka një hyrje dhe prej andej duhet të dalësh, dhe galeritë e minierave po ashtu.

Galeritë kanë aksidente. Për shembull, të bie një bllok shkëmbi sipër. Edhe burgu ka aksidente të papritura. Në galeri ka raste kur sheh një vezullim drite në ballë të frontit, është ndonjë damar i pastër minerali.

Edhe në burg vijnë lajme shpresëdhënëse për ndryshime politike dhe ndonjë amnisti.

Në galeri dhe në burg janë minjtë që të sulmojnë bukën  dhe ti merr masa; e lidh qesen me një spango në tubat e ajrit. Do ruhesh  nga spiunët dhe minjtë.

Dhe ajri në galeri dhe kapanon është po i njëjti, i rëndë,  pa aromë pylli.

Pylli është sipër galerisë, jashtë burgut.

***

Përsëritja bën zakonin. Zakoni projekton traditën. Zakonisht njeriu ecën paralel me kohën që jeton. Burgu i gjatë është një shkretëtirë ku koha ka humbur, nuk dihet ku është.

Në burg mundohesha të ruaja habitatin tim, sikurse bëjnë kafshët. Habitati është personaliteti.  Ky krijohet me sende. Sendet përcaktojnë si e sheh botën.

Hapësira ime e krevatit ish e kufizuar;  2m.X1m.X0.9m. Pra, një vëllim prej 1.8 metrash kub.

Dhe këtë vëllim mundohesha ta emërtoja: fjetore, studio dhe ndenjje, bibliotekë, teatër dhe muze.

***

Pashë se  nga fundi i fjetores, aty ku flinte Xhelal Beu, u ngjitën tre të dënuar. Në mes tyre ish edhe Ganiu. Mbylla librin, e vura nën jastëk dhe shkova të dëgjoj. Ish ngjarje.

Mendoj se Ganiu, me aq sa e njoh, ish futur vetë në burg, për të bërë humor.

Nuk i mjaftonte humori socialist jashtë dhe tha me vete: “Ta  provoj njëherë brenda!”

Çdo situatë e kthente në qesharake dhe kënaqej pafund. Siç duket kjo ish e dhëna e tij.

Nuk qe bërë dot shkrimtar humorist dhe e vetmja mënyrë ish t’i provonte mbi lëkurën e tij.

Ishin sheshuar të gjithë, caktuan një roje se mos vinte polici, drodhën nga një duhan…

Ganiu e pyet:

– Ç’është prezervativi Xhelal Bej?

– Nuk e di more djalë.

-Po nga ta dish zotrote!

-Je i paparë o djalë! Prezervativ ? Po është një agjenci spiunazhi në Tokio, mor Gani!

– Po Afganistan, ç’është Xhelal Bej?

– Afganistan?  Nuk e di more djalë.

– Hahaha!

-Po është e thjeshtë more djalë, Afganistan është vend me shumë stane!

– Po Pakistan Xhelal Bej?

– Pakistan o djalë…Pakistan? Po vend me pak stane, o djalë!

– Po Bolivi Xhelal Bej?

– Bolivi? Hahaha! Po bole dhie more djalë, bole dhie!

Tellali thiri për apel. Duke shkuar për në tarracë e pyes Ganiun.

– Si ka qënë puna e këtij, mor Gani?

– Xhelal Beu  është nga Kolonja.  Ka tërë jetën në burg, e liruan njëherë dhe e arrestuan prapë.  Qysh atëherë nuk ka dalë më.

Xhelal Beu adhuronte Aleatët, kështu i quante, i kish mbetur që nga ’44,  që nga koha e luftës.

Ishin të katërt në birucë, tërë grupin e planit të pjerrët të zonës së dytë i kishin futur si grup.

Në  pjacale po bëheshin shpërthime.

Ademi, i thotë Xhelal Beut: “ I dëgjon shpërthimet? Kanë ardhur Aleatë. I janë afruar kampit…”

Vjen Komisari t’i lirojë se kish rënë plani në zonë, dhe i thotë … “Po ju lirojmë para afatit, po punoni mirë…”

Xhelal Beu i kthehet: “Tani që kanë hyrë Aleatët në kamp, do më lirosh ti ? Po tani do të të fus unë ty në birucë…”

Kështu përfundoi keq shakaja e shokëve. Komisari e futi të vetëm në birucë.

Po Xhelal Beu, në fakt ish Xhelal Cenko, po titullin Bej ia kish vënë vetes.

Por ish punëtor i pashoq ama. Lopatën e adhuronte, kur mbaronte punë e pastronte , e rrotullonte, e kontrollonte, ia kruante bishtin, e fërkonte me një leckë, derisa shkëlqente.

Shokët i thërrisnin.. “ Ikëm Xhelal Bej, po futemi në kamp!” po ai vazhdonte ta pastronte lopatën.

Planin e realizonte deri në 300 për qind, sidomos kur transportonte trupa.

Merrte 2000 lekë në muaj dhe blinte sheqer, kafe dhe makarona.

Por jashtë nuk jetonte dot. Donte burgun, ish i vetmi vend ku mund të jetonte, ku e thërrisnin Bej.

Ish dënuar dhe me revoltën. E thërrisnin njëri-tjetrin “ Dora jonë”, por policia dha urdhër që mos përdorej kjo shprehje, atëherë filluan ta quanin njëri tjetrin “ Cao La Nostra mano”…

***

Secili e përjetonte burgun sipas mënyrës së vet. Dikush e trajtonte si gjë normale. Këta ishin malësorët e veriut. Dikush e bënte tragjedi me ububu , dikush e shihte si tragjikomike.

Unë e përjetoja sikur ish burgu i një tjetri, se ndryshe nuk e shpjegoja dot.

Përndjekja ish e zezë si një letër karboni, ku çdo prekje lë shenjë. Kjo ish frika ime e përhershme në Socializëm. Se mos lija shenjë. E me të gjithë masat që mora, prapë lashë shenjë.

Kjo letër e zezë ish brenda meje. Ish si një ekran ku projektoheshin edhe mendimet, edhe dëshirat.

Pas arrestimit dhe gjykimit isha mosbesues për çdo njeri.

Kampi ish një turmë që kalonte para meje. Miqësi zura me pak njerëz. Pjesa tjetër,  më e madhe në numër,  ish asnjanëse.  As afroheshin, as largoheshin.

Një pjesë e vogël ishin refuzues.  Nuk mund të dije se çfarë ishin. Për ta nuk interesohesha.  U rrija larg.

E dija se,  sado të pyesja,  të vërtetën nuk mund ta zbuloja.

Si një libër që,  kur e hapim, shohim të njëjtën faqe.

***

Çdo gjë e kthej në figurë.  Edhe imazhet,  edhe fjalët,  edhe zhurmat, madje edhe heshtjen.

Pastaj e kam më të  lehtë t’i analizoj këto imazhe. Këto figura më mbeten në memorie dhe që andej i nxjerr sa herë të dua.

Në fillim heq vijën e horizontit, kudo që jam. Tani jam ulur në krevatin e burgut.

Kjo në fakt,  është një vijë imagjinare që nuk shihet dhe aq më tepër që,  shumica e njerëzve as nuk e dinë se ekziston.

Unë, qysh në fillim fare,  e dija se ekzistonte.  Dua të them që kur kam qenë  foshnjë.

Kjo vijë imagjinare e ndan të sipërmen nga e poshtmja. Kjo varet ku je.

Tani jam ulur në krevatin e burgut.  Vija e horizontit është drejt. Botën e ndaj si një mollë në dy pjesë.

Pastaj bëj ndarjet me kuadrate ku futet çdo gjë, bile edhe sendet e imagjinuara.

Pastaj të gjitha këto, gjërat reale dhe imagjinare i kompozoj ashtu si dua.

Kështu tani kuadratin e rreshtit përballë e kisha afër dhe po e shqyrtoja.

M’u bë si një skenë e vogël teatri.  Aty ish një aktor, një i vetëm, por që luante fuqishëm.

Ai nuk fliste, zërin nuk ia dëgjova kurrë.

Ai nuk të shihte në sy, as tani nuk po shihte në drejtimin tim.

Palëvizshmëria e tij ish me nënkuptime, të cilat  mundohesha t’i zbërtheja.

Kish vënë në të dy anët, majtas e djathtas,  çarçafë  për t’u ndarë nga të burgosurit e tjerë.

Këtë gjë policia nuk e lejonte, po çuditërisht atij nuk i flisnin, nuk i hiqnin vërejtjen.

Gjatë kontrollit bënin sikur nuk e shihnin. As ai nuk i shihte.

Shpesh vinte një çarçaf edhe përpara dhe kështu mbyllej krejt  në një kub të bardhë.

Brenda skenës ish një libër, një fjalor,  një fletore dhe një laps. Flitej se përkthente.

Tani nuk e kish vënë çarçafin para, por  kish mbuluar kokën me batanije.

Ky ish edhe pozicioni i tij më i shpeshtë.  Mbulonte kokën me batanije.

Ashtu rrinte me orë të tëra derisa thirrej Apeli.  Atëherë zbriste ngadalë, vishte çizmet, ecte drejt tarracës, por nuk shihte njeri me sy.

Doja ta shihja në sy. Ish e pamundur. Shmangej me kujdes.

Sytë i mbante ulur përdhe, gjithmonë shikonte anash, mesa duket imazhet i vinin indirekt si në pasqyrat konvekse.

Ishim në Apel, ecej me ritëm të shpejtë, duke zbritur shkallët, ktheva kokën. E pashë drejt në sy.

Sytë i kish të bardha, sikur nuk kish bebëza. Apo ashtu m’u duk?

Duket se shikimi i tij kish problem me të  gjithë botën.

Të nesërmen u ktheva nga turni, isha i lodhur… nuk e kisha mendjen, u futa në krevat, kur rastësisht kthej kokën… ai po më shihte drejt, qëndronte i palëvizur.

Vetiu hoqa shikimin, nuk po e përballoja dot.

Kish një ndriçim si ekranet kur nuk kanë filluar programin.

Mbulova kokën.

Shikimi është e gjitha. Gjithë qenia njerëzore përmblidhet në një pikë, në shikimin.

Shikimi është e kaluara. Shikimi është arkivi i njerëzimit.

Shikimi është libri i krimeve.

Shikimi është libri i faljeve.

Shikimi është diktatura.

Çdo shikim është një autobiografi. Që atë ditë nuk tentova ta shoh më në sy.

***

Vetëm unë isha i ri. Të tjerët , të gjithë që erdhën me autoburgun,  ishin të ridënuar.

-Merre! Tha shefi i zyrës teknike.

Magazinieri i rrobave eci para , pa e kthyer kokën.

Hapi drynin, shtyu derën, ndezi dritën. Ish një tunel. Tuneli ish krijuar nga hapësira midis murit mbajtës të fushës së zezë dhe murit kallkan të pallatit numër dy. Sipër ish hedhur beton mbi shina dhe pllaka galerie. Përtokë,  diku në thellës,  ish një tok me pallto. Kapi njërën për jake dhe ma hodhi në këmbë , pa më parë.

-Merre!  Nuk ke pse e provon.  Të gjitha njëlloj janë.

Pastaj më dha tasin dhe lugën. Kaq ish marrja.

Pjata ish me gunga, kur liroheshin të burgosurit dorëzonin pjatën. Unë po e rimerrja.  Ish si një stafetë. Burgu në Komunizëm kalonte nga dora në dorë. E lava me sapun, e fërkova me hi. E fshiva e futa në trastë, dhe shkova u rreshtova për të marrë supën e darkës.

Kjo është jeta – po mendoja –si  togu i kapotave. Nuk ke të drejtë ta provosh… ç’të të bjerë!

Dhe kur dola nga burgu, kur kalova portën mendova se nuk kam të drejtë të gjykoj njerëzit, se ata nuk janë pyetur për dëshirat e tyre.

***

Ganiu punonte në Metalurgjik. Tërë shteti në një pesëvjeçar përqendrohej në një vepër madhore. Atë pesëvjeçar ish metalurgjiku.

I kishin mbledhur me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes së udhëheqësit.

Do shpërndanin stimuj, për punëtorët pararojë.

Thirrën dhjetë emrat e parë. U dhanë nga 10 mijë lekë dhe veprën e fundit të Enver Hoxhës.

Pastaj thirrën dhjetë emrat e dytë dhe  u dhanë nga një fletë lavdërimi dhe një vepër.

Ganiu u ngrit i fundit, u afrua në tavolinë, mori fletë lavdërimin, po kur Kryetari i Bashkimeve Profesionale i zgjati librin, i tha : “ Mbaje për vete, po deshe më jep lek se kam nevojë!”

Ai e tërhoqi veprën, nuk i tha gjë.

Të nesërmen e arrestuan.

I telefonova Xhuvit. Pas tri thirrjesh së fundi doli në telefon.  Lamë takim në “Qendra Stefan”. Te kjo kafene takoheshim zakonisht. Ish vend i qetë. Erdhi në kohë.  Sa u ul, nuk prita, por i bëra pyetjen:

-E vërtetë është që vëllimin me përmbledhje të poezive franceze e ka përkthyer Mesmal Binjaku?

-Ai nuk rron më. E njoh gjatë 20 viteve në burg. Ish nga një fshat i Vlorës. Jo, jo, nuk i ka përkthyer ai. E kam lexuar atë përmbledhje. Këta erdhën të dy nga Burreli. Ai dhe Njaziu.

Ai e kish këtë libër të shkrojtur me dorë, të qepur. E mora, e lexova. Duhet të ishin përkthyes të ndryshëm. Janë përkthime për të kaluar kohën nga shumë përkthyes. Këtë e praktikonim edhe kur isha në grupin e përkthyesve.

Ai dhe Njaziu thesin e kishin bashkë. Njaziu tentoi të arratisej, e vranë. Mesmali e ka marrë dhe e botoi tani. Vuri emrin e tij.

Po, ka një histori. Ai kish vrarë një djalë në  burgun e  artizanatit. Djali ish nga Vlora. Po, i kish nxjerrë edhe sytë. Histori dashurish… Unë atëherë isha në kampin e Elbasanit, nuk isha aty.

Ti e di, këto raste nuk diskutohen gjatë në burgje… se nuk dihet e vërteta, po thom se ka pasur një rivalitet, një xhelozi…E kish mbytur me duar, duket sytë e tij të hapur si kish dhënë shpirt e kanë tmerruar… Ia nxori që mos e shihte…  Ia nxori me lugën që mbante me vete…

Dashuria nuk të bën vetëm fisnik, të bën edhe egërsirë.

Ti e di , kemi qenë bashkë në Spaç, nuk ka pasur shumë raste, Atëherë ndodhën dy ngjarje të përgjakshme; një i ri e goditi keq me sëpatë atë që i bëri propozimin. E ridënuan gjashtë vjet. Në fakt ish pa faj. Edhe tjetri po ashtu e goditi me sëpatë.

Jam menduar shpesh si duhen gjykuar, se burgu në fakt nuk janë vuajtjet e tjera, është vetëm mungesa e femrës.

-Po ja, ti bëre 26 vjet dhe nuk u deformove.

-Jo, e ke gabim. Unë u deformova, por ndryshe. U bëra asket. Asketët janë drurë të tharë, lëngu u ka ikur. Femra është lëngu i botës. Prandaj njeriu lind mes ujërash.

Mesmalin e çuan në Burrel.  Aty admironte përkthyesit. I dukej se përkthimi është gjëja më fisnike, se ajo çon larg dituritë, se përkthyesit janë më të rëndësishëm se shkrimtarët. E di ç’thoshte?!  “Shkrimtari e shkruan nga qejfi, i vërteti është përkthyesi. Ai e mban në supe gjithë peshën e diturisë. Kripën e bën deti,  por  mushka e çon në fshat”.

Donte të ishte përkthyes dhe sikurse e sheh u bë. Libri ka si përkthyes të 22 poezive emrin e tij.

*Tetor 2017

“I pakuptuari”, nga Rrethi letrar “Pena e re”!

$
0
0

Një rreth letrar me emrin “Pena e re”, formuar e zhvilluar që prej tri vitesh në vendin tonë, na dhuron disa zëra të rinj poetikë të cilët të mbresojnë. Një prej tyre është edhe vëllimi me poezi i Iridon Mulaj, me titullin “I pakuptuari”. Libri, i sapopromovuar ditën e enjte, në një takim të rinjsh; ndoshta do të ishte e udhës të ndaleshim pak për të kuptuar prirjet e reja të gjuhës, simbolikës, metaforës, mjete këto që rinovojnë kuptimin.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Një rreth letrar me emrin “Pena e re”, formuar e zhvilluar që prej tri vitesh në vendin tonë, na dhuron disa zëra të rinj poetikë të cilët të mbresojnë. Një prej tyre është edhe vëllimi me poezi i Iridon Mulaj, me titullin “I pakuptuari”. Libri, i sapopromovuar ditën e enjte, në një takim të rinjsh; ndoshta do të ishte e udhës të ndaleshim pak për të kuptuar prirjet e reja të gjuhës, simbolikës, metaforës, mjete këto që rinovojnë kuptimin.

Pyetje direkte e tundojnë shpirtin e të “Të pakuptuarit” apo të të pakuptueshmit! Me sa duket natyra pyetëse e unit të tij, për gjëra që janë pranuar e bërë rutinë nga mes nesh nga pranimi, pra, guximi për të pyetur kundrejt normës, e bën të pakuptuar personalitetin e poetit ndaj të tjerësh. Poema “Pyetjet e një të pakuptuari” drejtohet me: “Çfarë është tabuja? Çfarë është nderi? Po normat në punë? Po shtrëngimet, streset, vuajtjet për të fitue dy lekë? Çfarë është përpjekja për të ruajtur moralin gjithë jetën? Çfarë janë fjalët, thashethemet? Çfarë është njeriu, përse vjen në jetë? Po jeta, çfarë është? Pse mërzitemi? Pse stresohemi? A e dimë ne që, përveç shëndetit, tjerat janë dallgë që herë ngrihen e herë bien? Njëherë i kemi, një herë, jo. Çfarë janë inatet? Refuzimet? Lidhjet, ndarjet, çfarë janë? A e dini çfarë është jeta? Një puthje, një fjalë e mirë, një përqafim, ngrohtësi shpirti e pak ndjenjë…

Kjo është jeta”

Pasi ka vënë në pikëpyetje të gjitha esencialet e determinizmit, kuptimit normal, ai e gjen përgjigjen në diçka aq të thjeshtë si: pak ndjenjë e ngrohtë e një fjalë e mirë. Kaq pak mjafton për të bërë të lumtur njeriun.

Por retorika poetike nuk është karakter i papushimtë i kësaj pene. Shpesh ajo ia le vendin ndjenjës së thellë dhe përparësisë për botën dhe misterin feminin i cili duket se evokon mrekullitë e diellit dhe zotëron kodet e jetës së harruar prej pjesës tjetër të njerëzisë. Dhe ashtu si falet dielli, pa kushte, poema mban titullin “Falmu”:

Çohu me diellin në këtë nadje,

Ku era t´përkëdhel flokun e gjatë.

Mos mendo, zhytu në përsiatje,

Ma njom me dashni zemrën e thatë.

 

Vish fustanin e andrrave të ktjellta

Nji lule të kuqe lidhe mbi kry.

Dil, lodro rrugëve, mes shikimeve t´vjedhta –

Ti sytë në qiell e na sytë mbi ty.

 

Vallzo me erën, fluturo mbi re

Tregoja kësaj bote sa e lirë je në shpirt,

Mos jeto për vete, jeto pak dhe për ne,

Vishna me ngjyra këtë zemër të hintë.

 

Mbasi të kënaqesh me botën mbarë,

E me nurin tënd të kesh pru pranverë,

Të kesh çmend të gjallët, të mbramë e të parë

Hajde falmu mu, të jetoj dhe unë një herë.

Në disa analiza të Malarmesë rreth raporteve të njeriut me qiellin, ai thotë se dëshira lind nga shkëputja e njeriut me yjet. Dëshira është kompensim për shkëputjen.

Drita përfshin një nga misteret e mënyrës sesi përhapet, se çfarë krijon, dhe sa e paanshme është në dhurimin e saj. Principi dhe përhapja e dritës ndryshon nga ai i njeriut: edhe përhapjes prej dimensionit social- të dritës së tij- me përbindësha e xhind.

Liridon Mulaj e quan dritën: “Perëndeshë”:

“Lëshoje trupin në hapësirë të dëlirojë,

E sytë e zjarrtë hapi në pafundësi.

Më jep nga vitet e tua, dhe unë të jetoj,

E në vdeksha, të paktën jeto ti.

 

Jetë e imja-me përbindësha e xhind,

Jetës tënde, perëndeshë, s´i shkon për shtat.

Dije se ai diell çdo ditë për ty lind

Ne tjerët asnjë rreze nuk e patëm fat.

 

Kur të nisësh fluturimin mbi botën e shkretë,

Shpirtin vezullues hidhe të lundrojë mbi dete,

Ti´perëndeshë e dritës, ndriçon mijëra jetë

Ne, tokësorëve, që lindim e vdesim për vete.

Nismëtarja e rrethit letrar të “Penës së re”, Flogerat Krypi, në disa paragrafe të parathënies së hyrjes për vëllimin me poezi të poetit “I pakuptuari”, shkruan:

“…kanë kaluar më shumë se dy vite dhe ja ku jam sot, në një nga kafenetë pariziene të Tiranës, duke shkruar një parathënie për librin e tij të parë “I pakuptuari”. Përpara se të lexoni këtë libër, ju sugjeroj të merrni frymë thellë. Pastaj vendosni Bachun ose Chopen në sfond dhe lexoni poezitë dhe shkrimet e tjera të Donit. Ju premtoj që do të qani dhe më besoni, nuk ka qarje më të bukur, se ajo që vjen nga letërsia. Do futeni në skutat e kujtesës dhe aty do të gjeni gjithë ëndrrat që latë pas, gjithë zhgënjimet, ndjenjat, besimin dhe luftën për mbijetesë…

Libri i tij, herë në gegnisht (në gjuhën time, siç e quan Doni), e herë në gjuhën letrare shqipe, ku do të gjeni copëzat e shpirtit që jeta i ka shpërndarë, atje ku i deshi qejfi. Jeta luan me ne, por edhe ne luajmë me jetën. A e dini si? Duke biseduar me shpirtin nëpërmjet gjuhëve të tjera që na dha universi. Na u dhurua arti dhe atëherë gjetëm rrugën e vërtetë të shpirtit. Ndaj nuk duhet të keni frikë kur lexoni këtë copë shpirti. Është shpëtimi nga kjo botë e shurdhër dhe memece…do të kërkoj të ngjallni fëmijën brenda jush. Pafajësia nuk vdes. Ajo është në skutat e jetës sonë dhe na pret krahëhapur që ta ngjallim sërish…Ne të gjithë kemi qenë të paktën një herë në jetë të pakuptuar.” Aroma e viseve dhe ajo historike jo rrallë e prekin tushtin e kësaj poezie. Nga e përthekshme, e përulur, ajo paraqitet shpesh tendencioze dhe karakteriale për të mbërrirë në pikën sublime të besimit të vet. Melankolia që e pushton ngandonjëherë nuk është në gjendje të mposhtë krenarinë e identitetit me të cilin shpirti rinor është veshur e formuar.

“Do ta shkruaj një poemë…

S´ka natë që sé mendoj

Do i shkruaj tradhëtarëve

Që Shqipqrisë i ngjiten bishta,

Fisit, etërve, ose të parëve,

Sic u shkruante Gergj Fishta.

Anës Drinit do shëtis,

Në Bunë ku zemra foli,

Kodrat, mallet doi ngjis,

Vjosës që i këndoi Fan Noli.

Ndikimi i poezisë shqipe sidomos një ngjyrë e këndellshme trishtimi që shoqëronte dikur fuqinë në artikulimin migjenian, gjen ekon e vet në riperceptimin e Liridon Mulaj, duke e bigëzuar vargun e tij midis dialektit të ngrohtë shkodran dhe normës letrare shqipe. Sidomos vendlindja e tij linguistike ndihet te poezitë e dashurisë, mallit dhe melankolisë, si një element që përfton shfaqen e më së thellës në mënyrën më të natyrshme.

Libri përmban edhe disa skica në prozë poetike, me një tonalitet, edhe ato, pakënaqësie të stilit migjenian. “Mos bëni sikur s´më njihni. Më keni kudo në përditshmërinë tuaj. Jam ai kamerieri që iu shërben kafen çdo ditë. Jam lavazhieri që ju lan makinën kur mbytet në pluhur. Jam portieri që ju mban valixhet në hyrje të hotelit për një bakshish. E nëse doni të më njihni më mirë, shikoni djersët që më rrjedhin çurk. Aty do të kuptoni që nuk jam asgjë tjetër, veçse një kurban i këtij sistemi të padrejtë, e që ato djersë janë uji që i pi diplomës sime të pavlerë, për një rrogë që s´shkon më shumë sesa çmimi i dy librave në fakultet”.

Vihet re se nga shprehja metaforike dhe artistike kalohet lehtësisht në bashkëbisedim të hapur. Ndoshta kjo nuk është mungesë arti sesa një prirje për të thënë më në fund të vërtetën e vetes ashtu si e mendon. Libri u promovua në mjediset e Qendrës Rinore të Tiranës, në fillim të Rrugës së Kavajës, në një atmosferë miqësore shokësh e poetësh.

Letërsi fason, me krah të lirë pune

$
0
0

Lexuesit e Ballkanit Perëndimor, ardhur nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku, përdhunimi fizik e kulturor, e kuptojnë se luftërave një ditë u vjen fundi, por luftrat nuk mbarojnë. Luftrat zhvendosen. Nga malet dhe fushat e luftimit drejt librarisë. Kush hyn në një librari e ndjen se aty kujtesat përplasen, e shkuara ndeshet me perspektivën dhe se vdekurit u kondërvihen të gjallëve

Ndajmë të njëjtin raft, por jo të njëjtën ëndërr

Nga Arian Leka

Pesëdhjetë vjet nga sot, Michel Foucault kumtoi mbi heterotopitë. Libraria nuk përfshihet në këto hapësira. Spitalet dhe anijet, motelet dhe burgjet, muzetë dhe kuplaratë, bibliotekat, varrezat dhe saunat, po. Me gjithë fjalët dhe përfytyrimet e bukura, libraritë ruajnë ende diçka prej kampeve të shfarosjes ngulur në epokën e pranëvënieve dhe të njëkohëshmërisë. Lexuesit e Ballkanit Perëndimor, ardhur nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku, përdhunimi fizik e kulturor, e kuptojnë se luftërave një ditë u vjen fundi, por luftrat nuk mbarojnë. Luftrat zhvendosen. Nga malet dhe fushat e luftimit drejt librarisë. Kush hyn në një librari e ndjen se aty kujtesat përplasen, e shkuara ndeshet me perspektivën dhe se vdekurit u kondërvihen të gjallëve. Por në libraritë e kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor luftohet për një kauzë tjetër. Aty luftimi ndodh për zgjerim të hapësirës letrare dhe zaptim territoresh kulturore. Pakashumë këto po sillja nëpër mend më 23 prill 2017, në Ditën Botërore të Librit, teksa ecja përmes rafteve të njërës prej librarive të mëdha në Tiranë. Ndërsa këqyrja tituj të pafundmë “botimesh fason”, nga ata që në frymën e globalizimit kulturor publikohen në miliona kopje të njëjta në të gjithë botën, mora guximin të pyes libërshitësin nëse gjatë asaj dite të veçantë për librin kishte patur ndonjë interesim edhe mbi titujt e autorëve të rajonit tonë? Europa Juglindore. Bllkani Perëndimor. Shkrimtarë malazezë, serbë, maqedonas, boshnjakë, sllovenë, kroatë dhe shqiptarë u detyrova të qartësoj bashkëbisedimin me libërshitësin, që më pas mori këtë formë:

Unë: Ku mund t’i gjej të ekspozuar librat e autorëve ballkanikë?  Ai: Në ekspozitorin e librit të ri.  Unë: Zakonisht si i ndani? A ka ndonjë kriter dallues? Si e gjen lexuesi këtë letërsi?  Ai: Sipas vendeve dhe sipas gjuhëve? Një raft me letërsi franceze. Një rast letërsi italiane. Letërsia angleze është aty.  Unë: Po letërsia e rajonit tonë në cilin raft rri? Ai: Ata i kemi bashkuar në atë raftin e madh. Në të njëjtin raft me letërsinë ruse… Ja! Shihi! Unë: Përse aty..? Ai: Ku tjetër?…Letërsi sllave…?!

Nuk është aspak fjala për fobi ndaj ndonjë kulture, por për verbimin kolektiv. Librashitësi kishte të drejtë. Kush beson se prej vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të vijë letërsi e mirë? Prej atyre viseve Europa merr vetëm sinjale negative, telashe, grindje, trafikim, luftra, konflikt dhe punëtorë me pak kualifikim. Kur paska ndodhur që ndonjë autor i rajonit tonë të jetë vlerësuar në vendet fqinje? Kurorat u takojnë superfuqive kulturore. Ballkani Perëndimor duhet të jetë i kënaqur që e përmendin dhe që zë një vend në periferi të territorit kulturor.

Përballë nesh vendoset sërish Foucault me gjenealogjinë e racizmit, që shfaqet jo vetëm si paragjykim iracional dhe diskriminim social, politik dhe kulturor, por edhe si formë për të manipuluar mendjet militare të rajonit tonë.

Në këtë kontekst pamja e letërsive të zhdukura nga harta kulturore qëndron përtej kornizës simbolikës. Në atë librari promovohej mosbesim, diskrimim kuluror. Shfaqen trajta të ideologjive koloniale në kulturë. Tregu urdhëron krijimin e perandorive letrare. Për strategji merkantile letërsia europiane e Ballkanit Perëndimor futej në sqetullën e hapësirës së letërsisë ruse dhe sovjetike. Mes librave të Tolstojit, Korolenkos, Majakovskit, Dostojevskit, Paustovskit, Turgenievit e Pushkinit si dhe të disa librave antikuar të autorëve të realizmit socialit sovjetik, mes tyre “Si u kalit çeliku” – i Ostrovskit,  “Garda e re” – i Fadajevit apo “Çapajevi” – i Furmanovit, ishin edhe librat e Daša Drndić, të Luan Starovës, të Eqrem Bashës dhe Ali Podrimes, që kishin nënshkruar Vox clamantis in deserto në 1971.

Në po atë raft, librat e Georgi Gospodinov dhe Jeton Neziraj rrinin pranë e pranë me Shollohovin e Nekrasovin, siç Jurij Hodolin, Adrian Kyçyku, Tomaz Šalamun e Shpëtim Selmani rrinte përbri me Lermontovin, Shçedrinin, Srdjan Valjarevićin, Nikola Madzirovin dhe Ballsor Hoxhën. Pak më tej, Enes Karić, Arben Idrizi, Ognjen Spahić e Qerim Ondozi ishte futur përkrah e përbri librave të Leonovit, Gorkit, Çehovit e Gogolit, për të vijuar më tej me Miljenko Jergović, Alek Popov, Vladimir Arsenijević, Ervina Halili, Edo Popović, Renato Baretić, Emir Imamović Pirke e Drago Janćar, që mbyllte serinë e librave në raftin e madh mbi të cilin lexohej tabela LETËRSI RUSE.

Mbivendosja e realiteteve në librari më solli ndërmend disa vargje, të cilat nuk do të kisha dashur t’i kujtoja aq gjatë. Ishin botuar në gazetën “Bashkimi”, fill pas Luftës së Dytë, në pranverë të vitit ’45. Autor ishte Lame Kodra, Ministri i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës së asaj kohe. Duke u përpjekur të sajonte një vjershë kushtuar kryeqytetit të kryeqyteteve të botës, Kremlinit, Moskës, Romës së Tretë, ai kishte krijuar rima një shtrat të përbashkët kulturor përmes tri fjalëve: Kremlini – Lenini – Shkumbini. “Si yll’ i Karvanit / Mi botën ri Kremlini / E drita që lëshon / Po vjen gjër te Shkumbini… …Përpëlitet kuçedra me gulçime / Lavdi për jetë paç, o Moska trime.” Ishin vargje të frymëzuara nga i njëjti burim ideologjik, shkruar në kohën kur, nga Moska në Tiranë përktheheshin dhe botoheshin të njëjtët libra, kur shkrimtarët përvetësuan fasonerinë e parë letrare të realizmit socialist, teksa lexonin udhëzimet e Vitalij Ozerov dhe Branko Ćopić që bënin fjalë mbi themelet e përbashkëta kulturore. Ishte ky një realitet në kushtet e déjà vu-së, apo frika nga përsëritja e së shkuarës ishte aq ende aq e fortë saqë prirej të kujtonte vetëm elementet negative?

Në kontekste si këto, libraria e Tiranës shfaq haptazi mosbesimin se letërsia që vjen nga Ballkani Perëndimor apo Europa Juglindore, siç quhet ndryshe, mund të krijojë vlera të veçanta. Ndaj për ta bëtë të shitshme mund ta klonojmë me çdo gjë, përfshi këtu të qenit kulturë satelit. Por a ndajnë të njëjtën perspektivë dhe të njëjtin sfond social kulturat që u bashkuan në të njëjtin raft? A mund të gjejë përkrahje nën këtë simbolikë ideja e dekolonializmit kulturor, shthurja e hierarkive me bazë raciste mes kulturave të vogla dhe perandorive kulturore?

Duke ju kthyer çështjes së librave në rafte më duhet të pyes se ku gjenden librat e autorëve shqiptarë në libraritë e Beogradit, në Sarajevë, në Podgoricë, në Zagreb, në Shkup a në Ljubljanë? Janë futur nën sqetullën ndonjë letërsie tjetër apo përfytyrimi mbi letërsinë shqiptare është ai i një një zone pa përfaqësim?

 

Krahinë autonome apo Republikë letrare

Letërsia bashkëkohore e fqinjëve ballkanikë njihet pak në Shqipëri dhe prej këtej nënçmohet për vlerat që ka. Ky paragjykim ndodh edhe pse në shumë raste këto vepra letrare botuar në shqip vijnë të “çertifikuara” me çmime ndërkombëtare dhe të shoqëruara me jehonën që i ka ndjekur pas botimit në anglisht, frëngjisht apo gjermanisht. I tillë është, për shembull, rasti i romanit dokumentar “Sonnenschein” i autores kroate Daša Drndić (“Fëmijët e dashurisë dhe urrejtjes” në versionin shqip), që kaloi pa vëmendje, edhepse institucionet kombëtare të Shqipërisë e shpallën vitin 2017 si “Vit të Kujtesës”.

Ndërkaq, si të bëhet fjalë për një hakmarrje, edhe letërsia shqiptare vazhdon të mbetet letërsia më pak e njohur në Europë. Madje ndër fqinjët tanë kjo letërsi paragjykohet, jo për ekzistencën, por për mungesën e cilësisë së saj. Për shkaqe të tilla kjo letërsi përkthehet dhe lexohet pak. Përkthimet, botimet dhe përurimet e saj përtej gjeozonës shqiptare kanë ndodhur më fort si vullnete dhe dëshira vetjake që nuk përfshihen as në projektet e institucioneve dhe as në ato të faktorit alternativ.

Kemi të bëjmë me përplasje praktikash në paraqitje. Letërsia shqiptare, nuk është, por bëhet e padukshme. Ajo nuk shfaqet, rri e tërhequr, e izoluar brenda zonës së saj gjuhësore. Kjo letërsi nuk merr pjesë me vëmendjen dhe me dinjitin që meriton në panairet rajonalë të librit dhe as të atyre në Europë. Duket sikur kjo letërsi dhe faktorët që e shoqërojnë demonstrojnë sjellje asociale dhe mungesë vetëvlerësimi.

Por ideja jonë e ngulmët, pas çdo dështimi, është të gjejmë jo zgjidhje, por fajtorë. Më e lehta mes anastezive mbetet qetësimi përmes iluzionit se dikush na pengon. E kush mund të jetë tjetër, përveç fiqnjëve tanë, armiqve shekullorë, që na shpërfillin dhe na keqtrajtojnë?

Pas fqinjëve të ligj, politika mbetet fajtori ideal – dhe sigurisht që është – përderisa ka zgjedhur të jetë invertitori kryesor i “produktit kulturor shqiptar”. Por ndërkaq elementet e tjerë kontribues në këtë fushë nuk ofruan kurrë modele alternative dhe të pavarura, që nuk do e lejonin shtetin të merrte formën e një korporate sponsorizuese. Shteti josh, dhe korrupton ëmbëlsisht përmes çmimeve, granteve, bordeve, fondeve, titujve, dekoratave dhe funksioneve publike “artistët e tij”, por të njëjtën gjë bëjnë zakonisht edhe korporatat mediatike e botuese, që zgjedhin jo vetëm “autorët e tyre”, por krijojnë edhe hartat e shpërndarjes së shpërblimeve letrare, bashkë me simbolikat e tyre të përfaqësimit.

Përtej kësaj panorame, autorët në Shqipëri mund ta kishin zgjidhur tanimë marrëdhënien me dy çështje, që në të vërtetë duhej të ishin kapërcyer me kohë. E para është tabuja e nyjes, që këputet kur nuk zgjidhet dhe kur të pengon. Tabuja e dytë ka të bëjë me fillin, që ka humbur në labirint. Të dy proceset, ndonëse duken si mision i pamundur, gjejnë shpjegim te një mendim i Jorge Luis Borges, kur shkruan se filli mund të ketë humbur, por nuk ka fill të humbur që nuk gjendet, përderisa ekziston qëllimi dhe ngulmi për ta gjetur fillin dhe për ta lidhur atë me pjesën që u këput. Tabuja e nyjes nënkupton ndarjen nga marrëdhënia që i mban autorët dhe letërsinë shqiptare të lidhur pas mendësisë së të kaluarës së afërt të artistit të gatshëm. Me këtë është i lidhur edhe modelimi i krijimtarisë  si veprimtari dhe art në shërbim.

Ndërkaq,  a ekziston me të vërtetë ndonjë ofertë prej letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe, që meriton vëmendje, vlerësim dhe investim dhe që nuk është vënë re? Ajo që nge krye më dhunshëm dhe nuk lejon të dallohen prurjet e përveçme, janë stereotipet. Stereotipet letrare e kanë krijuar fondin klisheve tematike dhe stilistikore të post-Realizmit Socialist, që letërsisa shqiptare solli pas viteve 1990. Meqë një listim të tyre e kam botuar më herët në “Milosao”, po shtoj vetëm faktin se fabrikimi i stereotipeve dhe klisheve në kushtet e një industrie letrare ka nxitur ardhjen në jetë të “letërsisë fason”. Ajo që përfaqëson termi lidhet me formën e produktit që prodhohet me kërkesë të porositësit, i cili modelon, përcakton lëndën e parë dhe gjen tregun, duke shfrytëzuar krahun vendas të punës.

Mbetet për t’u vëzhguar më mirë nëse ajo që u shndërrua në prirje ndaj letërsisë fason, ishte thjesht zell dhe ngut i autorëve për zaptim territoresh letrare dhe sigurim i suksesit të lehtë. Ky zell a përkrahet edhe prej disa botuesve të huaj, të interesuar për asortimentin shqiptar, që mungonte në tregun e librit? Apo letërsia fason gjen mbështetje institucionale që, teksa e promovon, e vlerëson me çmime dhe e rekomandon, mbëshetet letërsinë e stereotipeve, duke e zgjeruar mosbesimin ndaj letërsisë shqipe dhe duke vonuar përpjekjet serioze të saj shfaqen edhe jashtë zonës së brendshme të komunikimit?

Kujtoj sërish Michel Foucault, kur shkruante se në përpjekjet për të gjetur diçka në këtë shtresa të arkeologjisë kulturore, ne thjesht ia bëjmë të dukshme vetes, por edhe vendit tonë të heshtur, disa ndodhi që ndodhin para syve tanë dhe me përkrahjen tonë, përfshi këtu edhe të metat e pakorrigjuara prej kohësh edhe ngurrimet e dikurshme edhe padrejtësitë e një dite më parë.


Botim i UETPress: “Larg dhe afër”, prezantohet libri i intelektualit shqiptar Ismet Toto

$
0
0

“Larg dhe Afër”, titullohet libri i autorit Ismet Toto, një nga intelektualët më në zë të viteve ’30, i dënuar me vdekje nga Mbreti Zog për organizimin e një kryengritjeje të armatosur.

Libri që u promovua në Muzeun Historik Kombëtar është një përmbledhje me artikuj dhe shkrime që Toto ka lënë pas, e që është bërë e mundur të botohet nën kujdesin e mbesës së tij, Prof. Dr. Nevila Nika.

“Klubi i leximit pranë muzeut”, është logoja e veprimtarive periodike javore që po zhvillohen në Muzeun Historik Kombëtar, e cila mbështet gjithashtu fushatën kombëtare të leximit “Takohemi për një Libër” iniciuar nga Ministria e Kulturës.

Në këtë takim, nga ana e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi e vlerësoi Ismet Toton si një tribun të mendimit intelektual shqiptar.

“Me aktin e vdekjes së tij, kur Ismet Toto përpara trekëmbëshit të varjes ka kërkuar një krehër të krihte flokët e të vdiste i bukur dhe heqjen e vetë stolit duke e kryer në këtë mënyrë vetë ekzekutimin e tij, ka kryer një akt civil”, u shpreh Koçi.

Sipas Dr. Dorian Koçit, gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, emri i Ismet Totos u fut në analet e harresës, por dhe në vitet e demokracisë figura e këtij intelektuali të madh nuk ka marrë vlerësimin e duhur.

Nga ana e saj, mbesa e Ismet Totos, studiuesja e njohur. Prof. Dr. Nevila Nika tregoi për të pranishmit historinë familjare dhe aktivitetin shoqëror e politik të Ismet Totos dhe odisenë e gjatë për të mundësuar botimin e gjithçkaje ai kishte lënë pas si një intelektual e mendimtar përparimtar.

“Gjyshi im, Ismeti, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje më 12 korrik 1937 në Kalanë e Gjirokastrës, ndërsa dy vëllezërit e tij, Et-hemi e Tahsimi dhe xhaxhai i tyre, Arifi, ishin vrarë ditë më parë. Shtëpinë e Totove e kaploi zija. Mbrapa kishin lënë babanë e moshuar, bashkëshortet, atë të Et-hemit dhe Ismetit, që ishin edhe motra, dhe 6 fëmijë nga më i madhi 10 vjeç e deri 1 vjeç. Shtëpia e Totove u bastis nga xhandarmëria zogiste. Humbën gjatë kësaj bastisje mjaft sende e objekte të çmuara të familjes. Me këtë rast humbën ose më troç u rrëmbyen  letra origjinale që Mustafa Kemal Ataturku i kishte dërguar Ismetit sëbashku me penën e kallamarin e bojës prej ari në shenjë falenderimi për librin që ai kishte shkruar për të. Nuk u gjetën kurrë. E vetmja shenjë e kontaktit të Ismetit me Ataturkun është një kopje e librit “Gaziu” dërguar  atij nga vetë Ismeti dhe që ndodhet në Bibliotekën e tij në Ankara.

Gjirokastra e përcolli  Ismetit me të gjitha nderimet. Dyert e familjeve gjirokastrite Çuçi e Hajro u hapën për kësollë, populli e vajtoi me ligje e  xhandarmëria vëzhgonte e njoftonte Tiranën zyrtare. Gjesti i padëgjuar më parë i Ismetit para ekzekutimit, kërkoi krëhër për të rregulluar flokët e tij të dendur e të dredhur rregulloi xhaketën dhe u ngjit vetë në stol. E pikërisht aty ai kreu aktin e fundit heroik, nuk pranoi që xhelati ti hiqte stolin, por duke thënë….”nuk ka mbetur Ismet Toto  që ti heqë fronin xhelati i kalasë së Gjirokastrës”, e largoi vetë atë. I dënuar me vdekje nga një gjykatë, që pasi nuk mundi të vërtetonte dot se ai kishte vrarë apo tentuar të vriste qoftë edhe një njeri e aq më tepër vetë Mbretin, se nuk vërtetoi dot se lëvizja apo kryengritja e Delvinës kishte qenë komuniste, por vetëm e drejtuar kundër një administrate e cila vazhdonte të kishte pothuaj të njëjtin mentalitet të trashëguar nga Perandoria Osmane, Ismeti me këtë akt të paprecedent tregoi gjithë përbuzjen, dëshmoi rebelimin e kundërshtinë e tij ndaj “fitimtarëve të përkohëshëm”. Ishte i bindur se nuk do të vononte dhe rinia, apo siç atij i pëlqente ta quante Djalëria, do t’ja dilte mbanë për të hedhur tutje “rreckat e vjetra”, të cilat po “i merrnin frymën Shqipërisë”.”, ka shkruar ndwr tw tjera nw parathwnie, e mbesa e Ismet Totos, Nevila Nika

Ismet Toto, intelektuali që u dënua me vdekje nga regjimi i Mbretit Zog, është dhe një prej njerëzve që ka kontribuar për mendimin e ri shqiptar.

Ai ishte më i riu i një plejade neoshqiptariste studiuesish, gazetarësh, kritikësh dhe shkrimtarësh të cilët u shquan për talent, aftësi, interesa të gjera dhe erudicion, guxim qytetar dhe prirje për shtigje të pashkelura. Shkrimet dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar revista letrare përbëjnë ngjizjen e një mendimi intelektual evropian shqiptar. Ky vit shënjon 80-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Loja, shembja e qiellit

$
0
0

E shkuara e tij, jeta e tij, ngjarjet që e kanë shënuar e bëjnë Bashkim Shehun sot një shkrimtar që përmes një regjistri të kultivuar përçon te lexuesit ndjenjat kontroverse të personazheve të tij.  Sikur ato të ishin duke vepruar në momentin që ne lexojmë. Duket sikur kemi të bëjmë me personazhe 3D, të cilat mbijnë dhe formësohen përmes germave që formojnë fjalët, fjalëve që formësojnë fjalitë, fjalive që formësojnë paragrafët e kështu me radhë, deri te fundi i paralajmëruar.

Nga Bisej Kapo

E shkuara e tij, jeta e tij, ngjarjet që e kanë shënuar e bëjnë Bashkim Shehun sot një shkrimtar që përmes një regjistri të kultivuar përçon te lexuesit ndjenjat kontroverse të personazheve të tij.  Sikur ato të ishin duke vepruar në momentin që ne lexojmë. Duket sikur kemi të bëjmë me personazhe 3D, të cilat mbijnë dhe formësohen përmes germave që formojnë fjalët, fjalëve që formësojnë fjalitë, fjalive që formësojnë paragrafët e kështu me radhë, deri te fundi i paralajmëruar. Kaos në fillim, flashback-e, narratori si pjesë e së tërës me zë të rëndësishëm në rrëfim. Sa jetëshkrime? Si ndërthuren? Ku takohen? Këto janë çështjet e para që të shkojnë nëpër mend teksa ke hapur pazllin prej 100 000 copëzash, te Loja, shembja e qiellit, dhe, pikërisht aty, në leximin e tyre një e nga një ndërtohet Historia në të dyja trajtat.

Ky sistem udhëheq edhe strukturën e kapitujve ku rrëfehet jetëshkrimi i Aleks Krastës. Çdo rrëfim na vjen nga një narrator, i cili rrëfen jetëshkrimin e shkruar etshëm nga vetë Aleks Krasta. Mirëpo, narratori ka një zë të rëndësishëm në përmbushjen e amanetit të fundit të shokut të tij. Kemi të bëjmë me një rrëfim brenda rrëfimit. […] ndërsa këto radhë që po shkruaj, dhe të tjera që do t’i shkruaj në vetën e parë duke ndërhyrë vende-vende, janë njëfarë kornize e rrëfimit të Aleks Krastës, rrëfimi i këtij të fundit është njëfarë kornize e atij të pater Shtjefnit. […] rrëfimi i pater Shtjefnit është si një pikturë brenda një pasqyre […]. Element teknik i narrativës, por na tregon dhe na udhëzon që në fillimet e leximit se me çfarë do të përballemi në vazhdimin e kapitujve.

Pra, boshti është jetëshkrimi brenda të cilit ndërthuren koha, personazhet, ndërgjegjja dhe e pandërgjegjshmja, ëndrra dhe realiteti. Secili kapitull na jep një element, pastaj një tjetër dyshim, pastaj i njëjti element rimerret pas dy kapitujsh për t’u zgjeruar pak më tej. Çdo pjesëz e kohës së (për)jetuar duket si një pazëll, i cili është i shpërndarë, por çelësat e zgjidhjes së tij i merr taksa kalon faqet. Ato shndërrohen brenda copëzave të pazëllit në imazhe reale përmes një fjalori që është tërësisht në funksion të (për)vijëzimit të plotë të personazheve. Forma e narracionit për nga fuqia që mbart të çon deri te fundi i paralajmëruar me një ndjenjë të fortë ankthi. Kërkon të kuptosh nëse koha, dilemat, besimi, dëshirat, dashuria, shoqëria… kanë marrë një formë reale apo përsëri do të pluskojmë mes ëndrrës dhe realiteti, pa arritur as njërën as tjetrën.

Fillimisht kemi kohën, si element kontekstual. Shqipëria e treguar në dy kohë të ndryshme. Para dhe pas ’90-ës. Pra koha si element kontekstual i dy sistemesh vlerash dhe organizimesh të ndryshme. Vlerat dhe antivlerat e secilit prej këtyre dy sistemeve, të cilat vijnë përmes veprimeve të personazheve. Dy rini. E para, para viteve ’90, që jetonte brenda një kornize me rregullat e padiskutueshme të një superstrukture që vigjilonte përmes agjentëve të saj, strukturorë ose jo, mbi individin. Pas ’90-s, e gjen atë rini të copëtuar, pa rini, pa qëllime, pa hiçgjë.

Pra koha, për rrjedhojë, si personazh.Koha në fakt, te Loja shembja e qiellit, nuk është vetëm një konturim kontekstual. Por, kthehet në një personazh brenda personazheve, në personazh brenda dilemave, në personazh brenda Lojës shpaguese. Pra, Koha si Personazh është trajta e dytë që del në pah te Loja, shembja e qiellit. Koha e vërtetë dhe koha e jetuar, dy elemente për të cilat ia vlen të ndalemi

Koha e vërtetë dhe koha e jetuar, sipas Bergson-it, nuk janë gjë tjetër veçse kohëzgjatja e vetëdijes. Në fakt jemi ne që i japim asaj kuptime përmes përjetimeve të vetëdijes sonë. Kështu, nëse arsyetojmë mbi kohën e vërtetë të historisë, themi se është ajo që gjithsecili ka përjetuar në vetëdijen e tij. Pra, një rrjedhë e gjendjeve të vetëdijes në të cilat dallimi mes para dhe pas, nuk ka asnjë kuptim,nëse përdorim fjalët e Bergson-it.

Në fakt edhe në narracion nuk kërkohet një kthim i kohës, i rinisë, por është një ritregim i vetëdijes dhe i pavetëdijes (përmes ëndrrave) të një shoqërie të mbërthyer brenda disa skemash sjelljeje. Koha e vetëdijes është  përbërë nga çaste të dallueshme që mbivendosin njëra-tjetrën, përzihen dhe përbëjnë një tërësi të pacopëtueshme. Kështu edhe jetëshkrimi i Aleks Krastës është një tërësi e pacopëtueshme në kohë sistemesh apo regjimesh, është  koha e vetëdijes ku çdo çast është tërësisht i ri dhe krijon kësisoj një “ortek” të memories.

Ekzistenca e një kohe të jashtme nga ndërgjegjja dhe një kohe të brendshme ndaj saj –  të dyja këto kohë nuk kanë një raport mes tyre. Por perceptimet janë të ndryshme. Perceptimi që kemi për kohën reale është përmes dritës apo errësirës që na japin jo vetëm elementet fizike që rrethojnë personazhet, por në të shumtën e rasteve janë aty edhe për të na orientuar në kohë. Ndërsa koha e ndërgjegjes, pra koha e brendshme, është intuita, parandjenja, ajo që i shpëton racionales, asaj që shquhet me sy. […] vdekja e babait, internimi në fshtin N., vdekja e të ëmës, pater Shtjefni, loja me Fiorën, eksperienca e parë seksuale, dashuria e munguar, nga Xhimi në Jimmy […]. Asnjëra prej tyre nuk mund të përcaktohet në një kohë të vërtetë, por janë të gjitha kohë të ndërgjegjes të pakontrollueshme dhe të paindoktrinueshme nga asnjë regjim.

Personazhet që lëvizin brenda kohës dhe që e kthejnë atë nga racionale në irracionale janë komplekse, me historitë e (për)jetimet e tyre. Narratori është ai, i cili në pasqyrë sheh dhe (për)jeton të gjitha ndjesitë, dhe përmes përzgjedhjes së një fjalori të kujdesshëm përçon këto përjetime. Aleks Krasta, djali i një funksionari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa e ëma ishte mësuese muzike. […] nga nëna ai trashëgoi atë ndjeshmëri artistike që do t’i shfaqej më vonë, sado në trajta të shpërqendruara. Porse ajo çka do ta shenjonte jetën apo fatin e Aleksit kish të bënte me punën e babait […]. Pra Aleksi ishte rritur në një ambient të ndryshëm nga ai në të cilin u detyrua të kalonte pjesën e rinisë së tij. Fjalën Zot, nuk e kish dëgjuar, atë e dëgjoi thuajse menjëherë me fjalën armik… kur ishte vetëm katër vjeç e gjysmë… duke luajtur me atë që do të ishte dashuria e tij platonike, Fiorën. Atij iu ndalua të shoqërohej me të.

Xhimi-Jimmy, miku me të cilin kish bërë aventura, një personazh mbështetës dhe përmes të cilit kuptojmë gjendjet në të cilat ndodhej Aleksi. Përshkrimet mbi Jimmy-n janë shumë të veçanta. Duke filluar nga periudha e paraburgimit të Aleksit, në të cilën ai ishte një hajdut xhepash, dhe deri në periudhën pas viteve ’90 ku u kthye në bosin e drogës dhe ku elaboronte mbi domethëniet e amfiteatrit. Fredi, vëllai i Fiorës dhe babai i Linës, asaj femme fatale e cila e bëri të kujtonte se ishte i dashuruar, rrobaqepësi i cili qe dënuar me burgim për vrasje dhe gjendej në spitalin psikiatrik dhe prej aty qepte kostumet e VIP-ave. Secili prej këtyre personazheve është aty, në kohë dhe në hapësirë, për të treguar shndërrimet dhe botëkuptimet e ndryshme të individit. Secili prej tyre është një botë më vete brenda botës në të cilën ndodhet Aleksi.

Pater Shtjefni, dialogët me të cilin e ndihmonin të kuptonte besimin dhe të hidhte më shumë dritë mbi një personazh të mistershëm, Luigji C. (për të cilin do të flas më poshtë). Nga bisedat me pater Shtjefnin, Aleksi mundohej të përbrendësonte një besim tek i cili, ndoshta, shihte një fuqi për të gjetur një rrugëdalje. Por, e pamundur, rrugëdalje nuk gjen. Sepse autoriteti i babait dhe i mësimeve ateiste dominuan mbi të. Madje edhe pas venitjes së tyre, ajo që zëvendësoi autoritetin ishte çorientimi, por  […] nga një valë marramendëse fantazmash që e kanë ndjekur tërë jetën. Pater Shtjefni, zëvendësimi i shëmbëlltyrës atërore dhe i Atit qiellor njëherësh, në fakt është edhe shtysa e Aleksit për të shkruar jetëshkrimin e tij, në një tjetër kuptim të fjalës rrëfim. Narratori na shpjegon se në një farë mënyrë dy rrëfimet, ai i Aleks Krastës dhe ai i pater Shtjefnit, janë të nyjëzuara me përjetime në kufijtë e së pamundurës.

Është pikërisht pater Shtjefni, ndoshta, personazhi më stabël në të gjithë romanin, i cili përmes besimit të konsoliduar arriti të mbijetonte në të dy sistemet, duke pasur bindjen se forcat madhore janë aty për ne në jetë.  Është përmes fjalëve të pater Shtjefnit që rrëfehet terri në Kuvendin Françeskan të Shkodrës. Në fakt, rrëfimet e pater Shtjefnit janë vetëm dy në të gjithë romanin, por janë rrëfime të një diapazoni më të gjerë se sa vetëm rrëfimi. Përmes tyre kuptojmë se si njeriu shndërrohet në bazë të rrethanave dhe kushteve në të cilat gjendet. Se si edhe pse ato apo këto rrethana ndalojnë këtë apo atë, është njeriu përmes vetëdijes së tij që mban gjallë atë për të cilën beson. Pikërisht, do të jetë pater Shtjefni ai i cili do ta ndihmojë Aleksin vite më vonë duke i ofruar kësisoj disa muaj qetësi, duke e punësuar si ndihmës të një sakristani të moshuar.

Luigji C. Personazhi misterioz, ish-nxënës në kuvendin Franceskan, kish braktisur fenë e krishterë për të përqafuar një fe tjetër, atë të ideologjisë. Kish qenë gjithnjë prezent në rrëfimet e pater Shtjefnit, por edhe në jetën e Aleks Krastës. Toka vazhdonte rrotullimin e saj të pandryshueshëm rreth Diellit, dhe vitet kalonin, dhe Aleksi vazhdonte të mendonte për atë lojë shpaguese. Kështu, sapo iu dha rasti të kish përballë Luigji C.-në, atë qenie që i shfaqej në ëndërr e stërmadhe me flatra të bardha që i vërvitej përsipër dhe e mundon paprerazi me klithma rrëqethëse, ai e shfrytëzoi për të marrë prej tij rrëfimin e fundit. Banaliteti i së keqes shkonte përtej asaj që Aleksi kish shpresuar të dëgjonte… dhe kështu merr vendimin të zhbëjë zërin e personazhit Luigji C.

E gjithë kjo duket ëndërr brenda një realiteti. Ose si një realitet brenda një ëndrre. Përbindëshi me flatra në ëndërr kthehet në përbindësh të vërtetë në realitet, apo në fakt ishte realiteti që e kish kthyer atë në përbindësh (me flatra të bardha). Jeta dhe ëndrra janë faqet e të njëjtit libër, sipas Schopenhauer-it. Kur Aleksi kishte ndjesinë se ishte në vagonin e gabuar, atë me numër 47, në realitet ishte në vendin që përbindëshit. Në atë që do të shënjonte gjithë jetën e tij. Nr. 47 tregon një ekuilibër të mangët në çdo gjë, paqëndrueshmërinë. Realiteti-ëndërr dhe ëndrra-realitet. Është pikërisht kjo marrëdhënie e cila na bën të krijojmë, të jetojmë dhe të përballojmë (apo t’i japim fund përmes rrëfimit), përbindëshit që na përndjek.

[…] nuk ka asnjë rrëfim tani, asnjë fjalë, vetëm heshtje, një heshtje që i ngërthen të gjitha ato që u rrëfyen … heshtje që ngërthen gjykimin dhe ndëshkimin e dhënë nga gjykatësi i botës së përtejme…  […] protagonisti i këtij rrëfimi, aktor dhe autor dhe shikues njëherësh… sepse në fund të fundit gjithkush pasi ka performuar aktin e fundit nuk ka më fuqi të luftojë banalitetin e së keqes.

“Kukulla” e Kadaresë, një roman që lexohet me një frymë

$
0
0

Çfarë sekreti duhet të ketë një shkrimtar i vërtetë, që  të rrëmben qysh në faqen e parë dhe të detyron ta lexosh me një frymë. Kjo ndodh pasi, përveç stilit të tij brilant  të rrëfimit, shkrimtari  di të prekë subjekte intriguese, dhe tema të rëndësishme për njeriun dhe kombin.

Nga Sulejman Mato

Romanin më të ri të shkrimtarit I. Kadare ,”Kukulla”,  e kam pritur me padurim, ashtu si çdo vepër  të këtij  shkrimtari , krijimtaria e të cilit  ka disa dekada që i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Kjo gjë ka ndodhur me mua, qysh me “Ëndërrimet” (viti 1957) e gjer te ky roman i ri “Kukulla” (viti 2017) Ka gjashtëdhjetë vjet që Kadare  nuk resht së sjelli një krijimtari unike për nga vlerat dhe unë  kam gjashtëdhjetë vjet që i pres veprat e tij si të jetë një festë, nuk i lexoj, i përpij. Ka ndodhë që të blej një roman në librari dhe ta nisë leximin  qysh te stenda, pa u dhënë rëndësi personave që më shohin me çudi. Kjo gjë ka ndodhur fillimisht dhe me librin poetik “Shekulli im” ( 1959) i cili i theu të gjitha klishetë e poezisë së kohës. Kjo gjë ndodh sot, pas 60 vjetëve, me romanin e tij të fundit “Kukulla”. Tani që po hedh në letër këto shënime për këtë roman të mrekullueshëm, mendoj ftohtësisht, se çfarë sekreti duhet të ketë një shkrimtar i vërtetë, që  të rrëmben qysh në faqen e parë dhe të detyron ta lexosh me një frymë. Kjo ndodh pasi, përveç stilit të tij brilant  të rrëfimit, shkrimtari  di të prekë subjekte intriguese, dhe tema të rëndësishme për njeriun dhe kombin. Tema e romanit është tejet e thjeshtë dhe tejet personale. Sipas E. Muir .”Mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë asnjëherë të thjeshta.” Mënyra se si fillon romani, me një lajm  të keq, që të mban qysh në fillim në suspans. Në kapitullin vijues, autori i thyen të gjitha rregullat e rrëfimit, duke kaluar në një kohë para-Kadare, te fejesa e një vajze të  familjes së njohur të Dobatëve. Më pas ngjarjet zhvillohen në familjen  Kadare, për të cilën kushdo që ka lexuar veprat e shumta të Kadaresë, do të ishte kureshtar të dinte dicka më shumë, mirëpo, autori dhe këtu jep aq sa duhet dhe, aq sa duhet thënë, duke sjellë dhe ca imtësi tejet origjinale, të cilat vetëm një shkrimtar i vërtetë mund t’i konstatojë. Them me bindje se një roman të tillë të tipit “biografi familjare”, mund ta shkruante vetëm një shkrimtar me përvojë të gjatë si I.Kadare,duke nxjerrë “nga thesi i kujtimeve”, ca imtësi që përbëjnë sekretin e letërsisë së vërtetë. Unë e kam kaluar fëmijërinë në sokaqet e Gjirokastrës, shtëpinë e kemi pasur pranë Dobatëve, në oborrin e Dobatëve  loznim me Rexhepin. Më kujtohet se si,  aneja e Rexhepit na ndiqte pas me fetat e bukës, lyer me marmalade. Pra, unë, lexues dhe dëshmitar njëkohësisht i atyre  mjediseve dhe personazheve të një kohe të largët, sigurisht,  do ta shijoja dhe më shumë “Kukullën” e dhe çastin kur ajo niset në shtëpinë e madhe të kadarejve. Magjia e penës së Kadaresë  më gjallëroi pamjet e viteve pesëdhjetë, Qafën e Pazarit, portën e madhe të shtëpisë së doktor Vasilit, shkollën “Drita”, gjimnazin “Asim Zeneli”, shtëpinë e rrënuar të Hoxhatëvë, shtëpinë aristokrate të Kokalarëve, gjer te legjendari “Sokak i të marrëve” i njohur në gjithë botën prej romanit të Kadaresë “Kronikë në gur”.

“Çdo autor nxjerr ujë nga pusi i vet” thotë shkrimtari Milan Kundera. Pusi i Ismailit është Gjirokastra. I. Kadare ka kohë që hedh kovat në atë pus të thellë me ujë qelibar. Hidh kovën e nxirr nga një roman. Kujtimet e mia përzihen me kujtimet e autorit, pasi, autori jo vetëm në këtë roman ,por dhe në romanet e tjera, si “Qyteti pa reklama” “Kronikë në Gur”,Çështje të marrëzisë”,”Darka e gabuar” etj. përshkruan episode, personazhe, rrugë, zakone dhe mjedise nga  qyteti i gurtë, por nuk shkruan kujtime, ai  na shfaq artistikisht shkumën e kujtimeve. Dhe në këtë roman të ri, autori, edhe pse  më së fundi i afrohet me dinjitet përshkrimit surealist të nënës së tij, nuk ka ndëmend të sajojë një nënë kukull, as të trillojë ngjarje befasuese, as të  fantazojë një qytet të pa qenë. Ajo është Gjirokastra, me personazhet e saj realë, me rrugët e saj reale, me zakonet, bisedat, legjendat, tipat realë. Ky realitet jo i shpikur ,ose me pak shpikje,  futet me guxim në letërsi dhe me një siguri të papërballueshme, duke i thënë jo vetëm lexuesit që i njeh mirë ato ambiente, por dhe lexuesit tjetër, të madh, se kjo është nëna e tij reale, ky është qyteti ku u rrit ajo  dhe ai, dhe kjo  është letërsia. Lexon romanin dhe vëren me kënaqësi se është po ai stil psikologjik i të treguarit, është po ajo letërsi që I.Kadare ka dhe te romanet e tjerë…Një realizëm i thellë, përzier me pak magji trillimi. Kështu nisi Kronika…, Gjenerali. Kështu nisi dhe “Dasma”’’ e cila fillimisht u quajt nga Ll.Siliqi, në diskutimin e tij të gjatë ,”himn për klasën punëtore” . “Problemi që një shkrimtar kërkon të zgjidhë në punën e tij është një problem që u takon të gjithëve”- thotë  J.P.Sartre. Atëhere unë jetoja në Berat, arsimtar.Fati im që ishte dhe Ismaili në Berat dhe mundja ta ndjek me kujdes jetën e tij dhe krijimtarinë e tij…Të prekje  një temë të tillë aq aktuale, të futje ne letërsi ,për herë të parë klasën punëtore, aksionet, rindërtimin e hekurudhave, të kapje temën e ditës, ishte një risi  që nuk mund ta bënte kushdo. Duhet të shqetsoheshe vërtet për fatet e vendit tënd  që të shkruaje  “Dimrin e vetmisë së madhe…”duke futur personazhe dhe njerëz realë, ngjarje reale, madje si personazh dhe E.Hoxhën, një gjë tepër e frikshme dhe e guximshme në ato vite…

“Eksperimentimi që nuk thellohet në problemet themelore të shoqërisë sjell rënie të publikut” thotë nobelisti Pessoa.Kjo gjë nuk ka ndodhur me  poezitë e Kadaresë si “Fillrojtësi”. Njeriu me shat” ,‘”Mësueset e fshatit” ku thyheshin klishete e  një poezie të vjetëruar duke futur me guxim  heronj te gjallë dhe temat  të kohës.Kjo gjë ka ndodhë me 20 romanet e tij, gjersa erdhi tek ky roman intim, njerëzor, human tepër i veçantë , tepër i thjeshtë në stil, tepër muzikal në frazë, tepër poetik në ngjarjen që trajton.

Gjatë gjithë këtyre viteve romanet e I.Kadarese  i kam me emocion dhe i kam lexuar me një frymë.Nuk kam shkruar për to. Kam heshtur? Po. Kam heshtur modestisht, sië hesht  një mik për mikun, kur të tjerët  e lavdërojnë në sy. Më janë dukur gjithmonë natyrale sukseset e tij. Është detyrë e kritikës, thoshja.Ndërkohë që vëreja rreth e rrotull që kritikë nuk kishte.Kritikët dhe studiuesit e letërsisë kishin nisur të vdisnin, njeri pas tjetrit. U desh ky libër, i lehtë si lehtësia e Kukullës, që hyri si një hije në familjen e madhe të Kadarejve,  e që lindi tre fëmijë, më i madhi do të bëhej dhe më i madhi i letrave shqipe…që unë të ulesha e të shkruaja.Po dhe autorit, iu desh tetëdhjetë vjet jetë, kur të sigurohej nga zoti se do të jetonte shumë gjatë, të ulej e të shkruante një libër si ky, për nënën dhe për jetën e vet. Nëna të tilla, të heshtura dhe të pa pesha në famijen e prindërve por, dhe  pas lindjes së tre fëmijëve janë shumë të dhëmbshura. Ishte “kukulla” ajo që kishte lindur atë, që më vonë do të quhej  ”gjeniu i letrave shqipe.” Shkrimtari Kadare,pas krijimit të qindra personazheve realë e gjysmë realë, një ditë do të kujtohej se kishte  harruar  pa përmendur  një grua që e priste pas dere. Ishte ajo, Shën Mëria e autorit, e cila, i ngjante “maskave të teatrit japones”,apo heshtjes sublime të Mona Lizës.E lehtë si ajri, e rëndë si kujtimet..Priste që të futej në një libër.Ky roman s’ mund të shkruhej më parë. Më pas jo e jo. Mjeshtër në dhënien e atmosferës së kohës dhe nxjerrjen në dritë të disa imtësive të cilat përbëjnë bërthamën e letërsisë..”shkrimtmari ruan artin e të gjeturit të fjalëve plot shkëlqim”Sartre .Për një lexues serioz Kadareja është një shkrimtar që duhet lexuar me laps në dorë.Për të kapur  fjalë të humbura dhe të reja, shprehje filozofike psikologjike dhe humoristike.Edhe pse në qendër të romanit autori vendos nënën,  është një fëmijë inteligjent  që vëzhgon imtësitë e asaj familjeje. ”Gjithçka në atë shtëpi ishte ndërtuar enkas për të ruajtur sa më gjatë ftohtësinë dhe moskuptimin”- shkruan autori, për familjen e vet.Personazhet, si Xhexheja, Izmini Kokobobo, gjyshja, Shahini, Helena, janë personazhe realë.Në atë shtepi të madhe, me mëri të fshehura duhet të ishe vërtet një qenie e heshtur “kukull” “me naivitetin e saj të papëlqyer” në kuptimin e një “përzierje bardhësore dhe gipsi, enigmë, si në ato maskat e teatrit japones, për të përballuar denjësisht konfliktet e zgjatura përtej kufirit të tejzagjatjes.”

Në këtë roman në pjesën e parë gjen atmosferën e një kohe kur  edhe pse hynte një nuse e re në shtëpi, kyçet e dollapeve duhet t’i mbante nënëmadhja. Në pjesën e dytë, autori bën një truk tjetër.Historinë e nuses së vjetër të kadareve e zëvendëson  me historinë e nuses së re të kadarejve ,shoqja jonë e kursit, shkrimtarja e njohur, Helena Gusho. Edhe pse në pjesën e dytë të romanit ka më shumë jetë dhe  atmosferë tiranase,  unë do të doja të dija diçka më shumë për “Kukullën”. Biseda e fundit me të ishte një çast para nisjes së familjes Kadare në Paris.Ajo i kishte bërë një pyetje të çuditshme  të cilën duhet ta kishte menduar gjatë:”Francez je tani?”  Një pyetje  e cila, sado për të qeshur të ishte, më pëlqeu shumë.Mund ta kisha bërë dhe unë.

Do të doja të shkruaja dhe më gjatë për këtë roman të ri kaq mbresëlënës, dhe për ta ilustruar më konkretisht me thënie të spikatura, me figura dhe shprehje inteligjence dhe humori, njëkohësisht,  duke treguar dhe një farë pendese për atë që unë për vite me radhë, edhe pse i kam lexuar me padurim  të gjitha veprat e Kadaresë, nuk kam shkruar asnjë fjalë në shtyp, mirëpo, çfarë t’u themi botuesve  tanë që kanë filluar t’u vënë limite shkrimeve tona.  Një arsye tjetër, është dhe  përshtypja e keqe e disa  “titullarëve të letrave shqipe”, të cilët, ashtu si unë, gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar një heshtje fyese ndaj krijimtarisë së Kadaresë. Mund të kenë pasur arsye.Si për shëmbull; “Ismaili i arriti të gjitha ato që donte, dhe në sajë të ndihmës së shtetit”, ose; “Ismaili nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve, “se po të donte ai dhe Driteroi…” Ose; “Ismaili dhe Driteroi pas krijimit të kultit të vet, nuk bënë asgjë për të tjerët.” Mund të jenë të pranueshme të gjitha ,mirëpo, unë që s’kam pasur kurrë ndonjëherë  xhelozi për të tjerët arsyetoj me mendje të qetë.Të  krijojmë veprën tonë. Të bëjmë atë  që bëri Ismaili,që bëri dikur  Jeronimi,  Migjeni, Noli, Mjeda. etj.  Një shkrimtar, thotë diku Ismaili, “lë lëkurën si gjarpëri.” Kadareja e krijoi veprën e vet. Sikur ta bënte çdo shkrimtar këtë gjë Shqipëria do të kishte dhe shumë shkrimtarë të njohur në botë.

Ju flet Konica: Bota është atdheu i madh i çdo njeriu të kuptuar!

$
0
0

Një botim simpatik i formatit të xhepit, i edicionit Zenit, të vitit 2016, ndërtuar me shprehje të përzgjedhura, prej këtij autori, me titullin “Ju flet Konica”, u bë shkas i këtij shkrimi. Shprehjet i përzgjodhi Fotaq Andrea dhe duket se ka punuar me kujdes, për të sjellë material i cili zgjon ndjenjën kombëtare të vetëkritikës si dhe dashurinë për gjuhën (edhe presidenti ynë theksoi rëndësinë e alfabetit shqip në një takim para disa ditësh).

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

“Gjuha përfaqëson, me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e tij të zakontë për të përcjellë idetë. Gjuha nuk është një copë dru pa shpirt, është e gjallë dhe gjithë finesë. Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli… Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë në vesh çdo tog germash si një copë muzikë”.

Këto janë disa porosi për bashkatdhetarët, rreth gjuhës së tyre, të autorit të madh të letrave shqipe, Faik Konica.

Faik Konica u lind më 15 mars 1875; u konsiderua nga Noli si “njeri me kulturë të gjerë”, kurse nga Apolineri një “enciklopedi shëtitëse”. Ishte një eseist i shkëlqyer, i stilit dhe sensit kritik, ndoshta nuk e teprojmë po të themi, “themelues teorik dhe praktik” i kritikës letrare shqiptare e që, në tërësi, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Këto janë disa të dhëna përmbledhur shkurt nga një përshkrim i gjerë, online, rreth këtij personaliteti, vepra e të cilit u mënjanua për shumë vite nga kontakti me lexuesin prej intensitetit introspektiv që përmbante.

Por një botim simpatik i formatit të xhepit, i edicionit Zenit, të vitit 2016, ndërtuar me shprehje të përzgjedhura, prej këtij autori, me titullin “Ju flet Konica”, u bë shkas i këtij shkrimi. Shprehjet i përzgjodhi Fotaq Andrea dhe duket se ka punuar me kujdes, për të sjellë material i cili zgjon ndjenjën kombëtare të vetëkritikës si dhe dashurinë për gjuhën (edhe presidenti ynë theksoi rëndësinë e alfabetit shqip në një takim para disa ditësh).

Libri i përket kolanës Galeria e Bibliotekave, pjesë nga koleksioni Libër Libër, dhe përmbledh qëndrime në shprehje rreth mendësisë dhe traditave shqiptare, kufizimeve dhe përmirësimeve të mundshme të stereotipit shqiptar, por ajo që veçanërisht më tërhoqi, është dashuria për gjuhën tonë, si mjet bashkimi e përçimi, të një kulturë shumë të vjetër, me një gjuhë më mundësi të gjera shprehje dhe të një autenticiteti po aq sa dhe mosha e saj. Por jo vetëm kaq: si mjet shprehjeje ajo është e lidhur me letërsinë dhe nëpërmjet saj me mundësitë e transformimit shpirtëror të kombit. Për herë të parë ky autor dallon qartë principin patriotik nga ai letrar dhe pranon se këto dy principe mund të takohen por jo gjithmonë mund të koincidojë të takohen; takimi mes tyre nuk mund të ndodhë artificialisht:

“Të studiosh një letërsi, do të thotë të marrësh pjesë kryekëput në një trashëgimi të mrekullueshme nuancash dhe elegancash të mendimit… Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent (letrar), a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje- ngaqë një qenka atdhetar i mirë- që unë të kasnecoj se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur”. “Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit është stili”.

Autori gjithashtu e shikon gjuhën si një mjet që gdhend qëndrimin e folësit dhe tregon për shkallën e zhvillimit të tij qytetar: “Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli; sa më shumë përgjithësohen tek një popull mirësjellja, takti dhe ai qëndrim i përmbajtur për të respektuar rregullat e vendosura në një shoqëri të zhvilluar, aq më shumë pasthirrmat priren drejt zhdukjes. Si të tilla, tek formonin fjalorin e njeriut të egër primitiv, teksa i shohim aq dendur midis popullatave…, teksa ende çmohen në letërsinë e racave të ngrohta dhe komunikuese të Jugut, pasthirrmat nuk janë veçse një kujtim disi qesharak ndër shkrimtarët gjithë elegancë të shumicës së vendeve të Veriut.

Në kursin e gjuhës, shkrimit dhe vetëdijes, për të cilat ai mban qëndrime, nuk harron të shprehet edhe për përkthimin, e cila është një barrë e rëndësishme e lidhjes së kulturës sonë me të tjerat, por që shumë pak i kemi vlerësuar në të vërtetë përthyesit tanë deri më tani, megjithëse frutet ua kemi shijuar. Konica, megjithatë ndalet te diçka tjetër, te cilësia dhe kriteri që duhet të ndjekë përkthyesi në metodologjinë e punës së tij:

“Detyra parësore, detyra e vetme e përkthyesit është të ketë dije dhe një ndjeshmëri të tillë sa të mund të shohë e të ndjejë krejt mprehtësitë dhe ngjyrimet e tekstit origjinal, të shohë e të ndiejë idenë e autorit, as më lart e as më poshtë, si dhe ta japë përkthimin në mënyrë të tillë që të veprojë në trurin dhe nervat e lexuesit në masë të njëtrajtshme”.

Duke qenë kërkues e shumë i stërhollë kundrejt trashëgimisë që shkrimtari u lë brezave, në një mënyrë disi paraqortuese ai ka bërë edhe një lutje për shkrimtarin:

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s´kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë më parë se të shkruajmë përmbi të, frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”. Konica është një autor me një sens brendësor autokritik si ndoshta asnjë kritik i deri më sotëm shqiptar. Është ndër të vetmit që i drejtohet komunitetit të vet me një sinqeritet të pamëshirshëm për të metat që ia konstaton, sigurisht sipas parametrave të tij: “Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose një çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët…; besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht”.

Por nga ana tjetër, po ky autor nuk ua ha hakun bashkëvëllezërve të tij për meritat që tregojnë dhe që janë të pazakonta në botë të tjera: “Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Europë, ku nuk ka pasur luftëra fetare”.

Konica jep porosi për përmirësime dhe mënyra se si mund të përmirësohet vetëdija kombëtare, ai përpiqet të motivojë bashkësinë e vet njerëzore: “Duhet përdorur artileria e rëndë e trurit për të çarë udhën drejt përparimit… Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme”.

Por disa herë Konica kërkon të prekë ndërgjegjen e kombasve nëpërmjet deluzionit, pakënaqësisë, kritikës, ngucjes së krenarisë, si më poshtë: “Më tepër plakem, dhe më tepër më hyjnë dyshime në do të qytetërohemi ndonjë ditë. Kam frikë se jeni të mbyllur në një qark veskeq, nga i cili s´dilni dot. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Boll me politikë: po më nxjerr rruar, qethur”. Distanca kundrejt hipokrizisë, përsosja dhe virtyti, qetësia dhe dija, janë sipas tij siguresat kryesore të jetës së arsyeshme e mirëkuptuese të qytetëruar: “Baza e çdo morali është çiltërsia dhe ndershmëria, dhe i pari nga virtytet është urrejtja kundër hipokrizisë. (Letër Apolinerit, 1905). Qetësia mbetet garancia më e sigurt e të gjitha zgjidhjeve të mira. Bota është atdheu i madh i çdo njeriu të kuptuar. Vetëm gjysmë të mësuarit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet”. Megjithëse autor i mendimit klasik, që supozon kazualitetin si bazë të mendimit dhe përgjithësimit, Konica të mahnit me disa pikëpamje moderne për fusha të ndryshme të aktivitetit të vetëdijes ku përfshihet edhe politika, të cilat edhe sot nuk janë dhe aq të kuptuara në mjedisin tonë: “Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”.

Integrimi i Shqipërisë në BE: Ç’do të ndodhë me identitetin tonë

$
0
0

Nga Hazbi Lika

Integrimi europian si projekt politik natyrisht ka dhënë dhe vazhdon të japë impaktet e veta në sfera të rëndësishme të jetës së këtij komuniteti shumëkombësh që e popullon kontinentin e vjetër. Sfera ekonomike, ajo institucionale, vendimmarrja dhe legjitimiteti janë tema debati të përditshme dhe ka hulumtime shkencore në këto fusha pasi janë më të ndjeshme dhe të prekshme në jetën e këtij komuniteti. Studimet për këto çështje janë të matshme dhe empirikisht të provueshme. Kurse në lëmin e kulturës, këto studime janë hapa prapa dhe ato që pak janë, janë të vështira për t’u verifikuar dhe për t’u provuar si të vërteta, pasi operojnë në sferën abstrakte të mendimit dhe të perceptimit. Nëse në aspektin ekonomik, kostoja dhe përfitimet e integrimit të Shqipërisë, maten në njëfarë mënyre dhe përkthehen në shifra, nëse sovraniteti i shtetit tonë tkurret në raport me numrin e vendimmarrjeve që iu transferohen institucioneve të BE-së, shtrohet pyetja se çfarë ndodh me ne në aspektin e identitetit tonë kombëtar? Pra, vijon pyetja se do të pasurohet më shumë në kuadrin e integrimit, identiteti ynë kulturor, apo do të kemi më shumë penalitete për shkak të integrimit? Në aspektin identitar, sa dhe si do jetë kjo kosto për shkak të këtij kooperimi politik? Po përfitimet dhe favorizimet si do t’i marrim konkretisht? A do të jetë identiteti ynë më i imunizuar nga trendet kulturore të Globalizimit duke qenë brenda BE-së apo do të bëhet lehtësisht më i prekshëm? Pra, e thënë ndryshe, kur të pyetemi nesër se a e ndiejmë veten më shumë shqiptarë dhe më pak europianë, apo më shumë europianë dhe më pak shqiptarë, kush do të jetë përgjigjja? Këto janë çështjet që ngenë aksin kryesor të kësaj kumtese dhe që premtoj t’u jap përgjigje pavarësisht se kjo përgjigje në këtë kumtesë do të ngelet brenda stadit hipotetik, dhe me siguri me studimin tim doktorial që po vazhdoj në këtë linjë do të jenë të provuara me të dhëna dhe me shifra konkrete.

***

Kjo kumtesë vendoset në hullinë e vet, nëse fillimisht do të përpiqemi të shpjegojmë se ç`kuptojmë me fjalën identitet, pastaj të përkufizojmë me pak fjalë identitetin europian dhe të formulojmë qasjet tona për identitetin tonë kulturor. Me pak fjalë, me identitet nënkuptojmë veçantitë apo tiparet që ka një send, të cilat nuk ndeshen si të tilla në sendet e tjera. Në gjirin e shoqërisë njerëzore çdo hallkë e saj ka identitetin e vet, i cili mund të jetë fizik, moral, kulturor, juridik e politik. Kështu për shembull, njeriu, si qenie humane dhe shoqërore, ka si tipar themelor identitetin fizik, në vështrimin antropologjik, ka veçori personale që nuk ndeshen të gjitha së bashku te qeniet e tjera: emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, atësia, amësia, seksi, lartësia trupore, ngjyra e lëkurës, e flokëve, e syve, defektet fizike dhe kohët e fundit shenjat e gishtërinjve ose shenjat biometrike. Në të njëjtën kohë si qenie shoqërore ka edhe identitetin e vet kulturor e qytetar, me të cilin nënkuptohen: gjuha amtare, një memorie historike e përbashkët, disa simbole me të cilët identifikohet, përkatësia etnike, deri diku qytetaria shtetërore,(pasi kjo e fundit është subjekt i ndryshimeve të shpeshta), në disa raste (por jo kurdoherë) edhe përkatësia fetare (në rastet kur manifestohen me të sentimentet etnike). Njeriu, si qenie humane ka një prirje natyrale të dyfishtë: të jetë identitet në vetvete, por në të njëjtën kohë, kërkon që të identifikohet me një entitet shoqëror sa më të madh ku jeton në një territor të kufizuar, me një memorie historike dhe mite origjine të përbashkëta, me një kulture popullore dhe publike të standardizuar, me të njëjtat ligje të pashkruara, brenda një mobilimi ekonomik dhe territor të përbashkët, me të drejta dhe detyrime ligjore të njëjta për të gjithë anëtarët e kolektivit. Me pak fjalë kjo pranohet deri diku si përkufizimi klasik për identitetin kombëtar. Kjo mënyrë perceptimi e konceptit të identitetit në përgjithësi dhe atij kombëtar në veçanti natyrshëm shtron pyetjen: a mund të flasim për identitet kulturor europian? A ka Europa sot një identitet të vetin që është i veçantë nga të tjerët? Nëse po, për çfarë lloj identiteti bëhet fjalë? Nëse jo, pse nuk ka një identitet të vetin? Pasi të trajtohet kjo çështje do hulumtohet më tej për t’i dhënë përgjigje pyetjes: po identiteti ynë kombëtar është apo nuk është europian apo është disi si lara-lara (manifeston njëhershëm tiparet e qytetërimit perëndimor edhe lindor)? Pastaj do të rrekemi për t’i dhënë përgjigje tezës se do të mbushet apo do të zbrazet përmbajtja e kuptimit të identitetit tonë brenda projektit politik europian? Në vijim vjen pyetja: a do ta dobësojmë apo do ta forcojmë identitetin tonë në kuadrin e këtij projekti? Me fjalë të thjeshta nesër si pjesë e gjithë institucioneve politike europiane a do të ndihem më shumë europian apo kështu siç jemi?

***

Korniza e debateve mbi identitetin tonë dhe raportet me atë europian

Nuk do të merrem shumë në këtë kumtesë me debatet e studiuesve seriozë që ndjekin hap pas hapi proceset e integrimit europian dhe ofrojnë këndvështrimet e tyre për të ardhmen e Europës kulturore, këtu do të mjaftohem vetëm me disa qasje të autorëve shqiptarë që kanë diskutuar çështjen e identiteti tonë kombëtar në raport me identitetin europian. Ky do të jetë materiali ku unë do të mbështes analizën dhe interpretimin tim, në favor të hipotezës që ngre dhe mbroj.

Fusha e këtij debati është e gjerë dhe ka ndezur polemika të gjata, por unë do të fokusohem vetëm në komponentin identitar të kulturës. Jo se nuk është diskutuar edhe më parë një çështje e tillë gjatë këtij tranzicioni shqiptar, por personat që e hapën këtë temë nuk kishin peshën dhe influencë dominuese në opinionin publik shqiptar. Debati ndizet kur shkrimtari i mirënjohur I. Kadare boton esenë e tij; “Identiteti Europian i Shqiptarëve” që kjo menjëherë provokoi reagimet e Akademikut Rexhep Qose në Kumtesën e tij “Realitet i Shpërfillur”. I. Kadare në veprën e tij në mënyrë kategorike pranon se Europa ka një identitet kulturor të saj dhe në themel të këtij identiteti vendos krishtërimin Perëndimor. Kadare i ka qëndruar vazhdimisht kësaj linje dhe e mbron këtë në mënyrën e tij duke e lidhur identitetin tonë me identitetin europian me anë të krishtërimit. Ismail Kadare në esenë e vet me titull “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, (botuar nga “Onufri”, Tiranë 2006), i vë një theks të tepruar komponentit fetar, qoftë i krishterë, qoftë mysliman, kur flet për identitetin shqiptar të shekujve të kaluar. Ai pohon se për një kohë të gjatë identiteti kombëtar shqiptar u gatua duke patur si komponent fenë e krishterë. Me këtë komponent fetar, shqiptarët sipas tij, kishin një identitet të plotë “europian”. Por më vonë, (po sipas tij) me pushtimin osman të Shqipërisë, kur feja islame e diktuar nga Perandoria e Gjysmëhënës për interesat e saj politikë zëvendësoi fenë e krishterë si përbërëse në identitetin kombëtar të shumicës së popullsisë shqiptare, identiteti i tyre “evropian” u dëmtua. Në një farë mënyre Kadare, këtu del kontradiktor me vetveten, pasi në njërën anë komponentin fetar (në këtë radhë krishtërimin) e shikon si element substancial në ngjizjen e identitetit kombëtar, kurse në anën tjetër religjionin islam e quan si deformues të gjenit që mban identitetin kulturor të kombit tonë. Ndryshe mendon Rexhep Qose. Në polemikën me Ismail Kadarenë, pikëpamjet e veta në këtë çështje i ka parashtruar në tri broshura të botuara njëra pas tjetrës – “Realiteti i shpërfillur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Të vërtetat e vonuara” (Toena 2006). Edhe Rexhep Qose pranon se dikur identiteti kombëtar shqiptar ishte gatuar duke patur si komponent fenë e krishterë. Ai pranon gjithashtu, se feja islame u përqafua nga shumica e shqiptarëve gjatë shekujve të sundimit osman. Por, ndryshe nga Ismail Kadare, ai ngul këmbë se fetë, ritet, dhe sektet fetare pa dallime (islamizmi, ortodoksia, katolicizmi), ndërhynë në identitetin kombëtar të shqiptarëve duke u integruar aq thellë, sa edhe në ditët tona janë përbërës të tij. Në këtë pohim, Qose qëndron më afër logjikës së studiuesit duke iu ruajtur retorikave populiste. Edhe studiuesi Aurel Plasari në veprën e tij “Rrëmbimi i Europës” pohon se Europa ka një identitet të vetin dhe këtë e lidh me krishtërimin në përgjithësi. Për këtë Plasari shkon edhe më tej duke ju referuar poetit dhe mendimtarit Paul Valery në esenë e tij me titull: “La crise de l`esprit” të pranuar deri diku si Manifesti Europian. Sipas Valerysë: Europa ekziston aty ku zotëron ndikimi i besimit të krishterë, i botës latine dhe i letërsisë helene. Pra, sipas tij: as bota greke vetëm, as ajo latine vetëm, pa krishterimin nuk kanë mundur të konstituojnë Europën. Nuk lë pa cituar edhe poetin gjerman Gëte që mendonte se çfarë e bashkon Europën është kultura dhe çfarë e ndan, janë idetë politike. Plasari shkon deri aty sa edhe themeluesit e Europës së Bashkuar i konsideron politikanë dhe mendimtarë me orientim dhe besim të krishterë si, De Kasperin, Adenaurin, Shuman, Monnet, Speaak. Po sipas Plasarit: është fakt që shekuj me radhë kultura europiane ka qenë e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë dhe nga shpirtërorësia e krishtere; fakti që demokracia sipas parimit bergsonian ka një thelb ungjillor dhe ka si forcë shtytëse dashurinë e tij. Po sipas Plasarit, Europa nuk është thjesht konstrukt gjeofizik, por pikësëpari është strukturë kulturore që është blatuar nga fryma ungjillore dhe e bën Europën të ketë një identitet të vetin. Plasari nuk pohon se në ç`raport është identiteti ynë kombëtar me historinë e krishtërimit dhe me islamizmin, vetëm se aprovon hipotezën e ngritur nga studiues të tjerë; “ krishtërimi është bërë në Europë si refuzim i Islamit”. Nuk mendon kështu studiuesi i historisë Kristo Frashëri. Pikë së pari, Kristo Frashëri e përjashton religjionin si element të rëndësishëm të identitetit kulturor, dhe rrallë e pranon si element të tillë, vetëm në rastet kur ky religjion reflekton nuancë etnike, si p.sh. te polakët dhe irlandezët të qenurit katolik plotëson më shumë identitetin etnik të tyre. Frashëri në polemikën e tij; “Të metat e debatit Qose- Kadare” botuar në vitin 2006 në shtypin e asaj periudhe mbron pikëpamjen se Kontinenti Evropian nuk ka një identitet kulturor dhe qytetar të përcaktuar. Ai përbëhet nga një larmi identitetesh kulturore dhe qytetare kombëtare, nga të cilët asnjëri nuk mund të përfaqësojë identitetin kulturor dhe qytetar të Kontinentit. Edhe në këtë rast, identiteti kulturor dhe qytetar i çdo kombi europian është në raport me atë që do të ishte identiteti kulturor evropian, si pjesa me të tërën. Shkurt, Europa si kontinent, nuk ka asnjë identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar të saj. Nëse nga kjo pikëpamje duhet të flasim për një identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar europian, -shprehet Frashëri- këtë duhet ta kërkojmë te mungesa e një identiteti të mirëfilltë europian. Edhe Jurgen Habermas në librin e tij: “Ah Europë” përkthyer nga gjermanishtja në Shkup 2011 mendon që Europa sot nuk ka një identitet të vetin, dhe i quan të kota rrekjet për të krijuar një identitet të përbashkët kulturor europian, pasi Europa as nuk e ka patur as nuk e ka një identitet të mirëfilltë të vetin, dhe kjo do të ishte një shantazh semantik për një numër popujsh që janë margjinat e qytetërimit perëndimor europian dhe shpreh besimin se Europa e Bashkuar shumë mund të krijojë një opinion të përbashkët europian dhe jo një identitet të vetëm, kjo është e pamundur pasi i mungon baza historike. F. 110.

Retorikat populiste janë të pamjaftueshme për të përcaktuar identitetin tonë kombëtar

Përveç përkufizimeve tjera që rëndom përdoren për t’i dhënë kuptimin kombit vjen edhe kuptimi në këndvështrimin sociologjik, ku kombi paraqitet si vizioni më potent i ideologjisë për manifestim të identitetit individual dhe kolektiv. Nevoja për të manifestuar identitet kolektiv dhe individual i jep identitetit konstrukt social dhe e bën veten të dallohet nga të tjerët dhe në të njëjtën kohë të identifikohet në grupime sa më të mëdha. Ky është aspekti psikologjik dhe social që kombet pavarësisht orientimeve kulturore kanë një komponent unikal në themelet e tyre. Ndonëse në disa pikëpamje duken uniform nuk është se janë të njëjtë të gjithë. A. Smith dhe E. Kondure janë përpjekur të bëjnë klasifikimin e llojeve të nacionalizmave sipas orientimeve kulturore. Që të dy bien dakord për faktin që nacionalizmi është produkt i rrethanave dhe përvojave historike të popujve të ndryshëm dhe për këtë arsye pranojnë dy lloj nacionalizmash: nacionalizmin Perëndimor dhe atë Lindor.

Dhe konkretisht dy modelet kanë emërtim gjeografik, por në fakt janë me orientim kulturor dhe mbahen brenda këtyre përkufizimeve. Modeli i kombit Perëndimor, ka një qendër territori, një komunitet politik, një sistem ligjor të përbashkët, barazinë e qytetarëve para ligjit, dhe një shoqëri civile. Përkundrejt këtij ngrihet modeli Lindor i kombit; “Ky lloj kombi niset nga konstrukti gjenologjik, është më tepër i preokupuar për përmbajtjen etnike dhe lidhjet kulturore, thekson elementet popullore dhe folklorike, kërkon pa fund rrënjët e folkut, traditat, zakonet, gjuhën, religjionin, ritualet, rizbulon intelektualet urban, si filologë, historianë, folkloristë etnografë, linguistë etj. Në një farë mënyre këtë lloj klasifikimi do ta marrim me rezervë dhe është lehtësisht i atakueshëm, pasi ndarja midis këtyre nacionalizmave nuk është si me thikë, dhe aq më tepër për faktin se entitetet etnike nuk është se linden dhe mbeten kategori statike, ato kanë përjetuar periudhat e transformimeve dhe transfuzioneve të formës dhe të përmbajtjes në kohë dhe në hapësire, kanë patur dhe kanë ciklet historike dhe ”biologjike” të zhvillimit dhe për këtë arsye ndodh që tiparet e njërit mund te shfaqen tek tjetri dhe anasjelltas, por deri diku një përkufizim i tillë qëndron dhe ia vlen të bësh qasje korrekte ndaj tyre.

Duke ju referuar përkufizimit klasik të dhënë nga dy autorët e mësipërm, nuk mund të shmanget kurioziteti se në cilin etnitet etnik qëndron nacionalizmi ynë? I përkasim nacionalizmit Perëndimor apo atij Lindor, apo një lloj entiteti që shfaq herë tiparet e njërit dhe herë tiparet e tjetrit? Në fakt ka patur dhe ka qasje ndaj këtij fenomeni dhe studiues tanë dhe të huaj kanë hartuar trajtesa me përmbajtje; “ Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit” dhe a do të thotë kjo se ne si entitet i shfaqim përgjysmë këto dy lloj nacionalizmash? Apo shitemi si Perëndimor kur në fakt për arsye historike, nuk e fshehim kollaj karakterin lindor? Apo tendencat për t’u arratisur nga Lindja e quajnë të mjaftueshme për t’u vetëquajtur perëndimor? Me siguri kjo kumtesë nuk zotëron hapësirat e duhura për ta provuar plotësisht këtë (ndonëse në një studim tjetër po) pasi duhet të merren në shqyrtim rrethanat historike që kanë prodhuar këto dy lloj kombesh në dy gjysmat e Europës dhe kryesisht në Ballkanin ku ne jetojmë, dhe të mundohemi të jemi korrekt me ato realitete historike që kanë influencuar dukshëm për të determinuar natyrën e kombit tonë. Për hir të vërtetës një debat i tillë për natyrën e kombit tonë, ka fillesa të hershme në mjediset intelektuale dhe akademike shqiptare dhe ënde ngjall dhe frymëzon debat sa herë që shkenca çlirohet nga utilitarizmi dhe komercializmi politik. Këto “zënka” fillojnë dhe e gërvishtin “shkëlqimin” oriental që në periudhën e Rilindjes Kombëtare kur perandorisë otomane i kërkohej të dorëzonte Ballkanin Perëndimor. Çfarë ndodh në këtë periudhë? Fati i Shqipërisë nuk vendosej nëpër “mexhliset” turke, por në kancelaritë e Europës. Në të njëjtin kah do të jetë edhe orientimi politik i lidershipit të kohës. Dhe më tej…? Elita intelektuale dhe politike e vendit u hodh menjëherë në “sulm” për të shndërruar gjithë përmbajtjen e identitetit tonë kulturorë. Në traktatin politik dhe filozofik të Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qënë ç`është dhe ç`do të bëhet” hidhet baltë mbi kombin turk – “ç`janë turqit? Një komb i egër, të ardhur nga shkretëtirat e Azisë së Veriut, me nga një hosten në dorë. Këto me egërsinë e tyre zunë më të bukurat vende të botës dhe të qytetëruarat; dhe si i rropën dhe i dogjën, po i mbajnë sot në të njëjtën egërsi, nën një varfëri dhe në një tirani që tmerron gjithë botën. Në anën tjetër himnizon vlerat dhe qytetërimin europian. Ndërkohë që i njëjti autor pak më parë kishte shkruar traktate himnizuese dhe admirohej në mexhliset turke si ndër hartuesit e enciklopedisë së atij kombi. Nuk rrinte pas edhe Naimi në veprën “Historia e Skënderbeut” ku mbi kombin turk lëshon epitete denigruese. Ndërkohë edhe Çajupi jepte kushtrimin me vjershat e tij për t’u çliruar nga robëria shumë shekullore turke. Në këtë linjë pothuajse ishin gjithë Rilindasit deri te Pashko Vasa ose Vaso Pasha në thirrjen e tij të famshme: “mos ndigjoni kisha e xhamia; feja e shqiptarit asht shqiptaria”(që në fakt mbante dy emra, njërin për karrierë dhe tjetrin si Rilindas siç thotë I. Kadare në veprën “ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” Në këtë mënyrë gjeopolitika diktonte gjeokulturën. Shpëtimi nga Lindja orientale, dhe orientim nga Perëndimi, gjente shpjegim në një metaforë gjeografike që rëndom përdorej në atë kohë; “dielli që lind andej nga perëndon”.

Në periudhën e mëvonshme pas pavarësisë në vitet ‘30, vijon ky debat por më i ekuilibruar. Sintagmat themelore- Oriental apo Oksidental?; “Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit; “Shqipëria kopsht shkëmbor në Jug-Lindje të Ballkanit”, tregojnë se kushtrimet e Rilindjes filluan të zëvendësohen më sintagmën edhe- edhe. Në këtë kohë periudha ishte më e ftohtë dhe analizat filluan të thellohen në sferën kulturore. Orientimi politik në këtë periudhë ishte thellësisht perëndimor, por ndjesitë e identitetit filluan të përzihen dhe nisen të reflektojnë reminishenca kulturore. Në aspektin konstitucional- monarki kushtetuese, institucione parlamentare dhe qeverisja bëhej me parimet dhe principet kushtetuese europiane. Zogu në sjelljen politike dhe në stilet e jetës mundohej të shfaqej plotësisht perëndimor duke u munduar të fshehë çdo gjë që ishte orientale. Në periudhën e sundimit komunist ndonëse kishte ndonjë belbëzim të vogël nuk pati qasje të tilla. Pas viteve ‘90- sloganet politike “E duam Shqipërinë si Europa” u priten me brohoritje nga të gjitha qarqet intelektuale dhe akademike me përjashtim të atyre që ishin indoktrinuar nga ideologjia zyrtare e kohës. Çdo gjë lindore u bë e pështirë dhe e neveritshme. Përsëri Shqipëria hyri në një inkubator të ri ideologjik duke e shpjeguar të kaluarën e vet dhe të ardhmen vetëm si pjesë e sferës perëndimore, dhe ashtu ndihet “mirë” deri nga vitet 2000 kur historian S. Feraj dhe publicisti A. Baleta bëhen zëdhënës të një rryme nacional- islamike duke provokuar qasje të ndryshme ndaj fondamentit tonë kulturor në përgjithësi duke arritur deri te figura e Skënderbeut. Kjo siç u tha edhe më lart tërhoqi në debat edhe figura të tjera me peshë në jetën publike dhe akademike. Studiuesi Aurel Plasari i vendos shqiptarët para dilemës pa dhënë ndonjë orientim të qartë kulturor me esenë e tij “Vija e Tedostit rishfaqet nga duhet t`ia mbajnë shqiptarët”. Në këtë shkrim bën analizë historike, por pa u lodh me argumente për identitetin tonë kombëtar. Në vitin 2006 nis polemika Qose-Kadare pas botimit të esesë së I. Kadaresë; “Identiteti Europian i Shqiptarëve”. Nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri më sot Shqipëria përjeton një realitet të dyfishtë që në të shumtën e rasteve del si kontradiktore dhe përjashtuese të njëri-tjetrit. Gjatë Rilindjes e deri në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, elita drejtuese e vendit u mundua dhe arriti aq sa arriti të ndërtojë perspektivën politike të kombit tonë drejt sferës perëndimore mbi një popull që kishte shekuj i akomoduar politikisht dhe kulturalisht në lindjen bizantine dhe në Orient. Në 50–vjeçarin e regjimit të E. Hoxhës përsëri elita drejtuese e vendit e mori dhunshëm kombin tonë duke u munduar të shkatërrojë atë substance kombëtare me identitet perëndimore për ta përfshirë brenda sistemit politik lindor. Në këtë kohë çdo gjë Perëndimore sipas propagandës ishte e huaj dhe e dëmshme për shëndetin e kulturës sonë kombëtare. Pas viteve ‘90 gjithë kapitali politik dhe intelektual i yni investohet në funksion të përfshirjes së Shqipërisë në Projektin e Europës së Bashkuar. Europa e Bashkuar është e vetmja alternative për vendin tonë sot dhe të shpikësh alternativë tjetër është marrëzi. Dhe nuk ka asnjë të keqe pse të gjithë fokusohemi për të ngritur perspektivën tonë brenda projektit politik europian, e keqja është se këtë perspektivë të Shqipërisë e ngremë në mënyrë retorike dhe populiste pa qasje korrekte dhe shkencore në definimin e identitetit tonë kulturor. Kjo është kontradikta e thellë që na mundon sot. Identitetin politik shtetëror tonin e njësojmë me identitetin kombëtar. Kombi dhe shteti janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, por janë edhe identitete të ndryshme. Kombi është nocion kulturor, kurse shteti dhe qeverisjet janë nocione politike. Këto dy të fundit influencojnë për ta orientuar një komb drejt një qytetërimi apo një tjetri, por nuk është e thënë që mund të transformojnë gjithë përmbajtjen kulturore të identitetit të tij. Edhe rilindasit si romantikë frymëzuan dhe ngjallen shpresën që populli t`i kthej sytë nga Oksidenti, dhe bën mjaft punë në këtë drejtim, por kombi ynë për shumë arsye historike një pjesë të mirë të trupit dhe të shpirtit i kishte në orient. Edhe gjatë sundimit të E. Hoxhës elita drejtuese e vendit u mundua ta përfshijë vendin tonë në sferën sllavo-bizantine, por ajo çka u arrit ishte thjesht njohje dhe afrim në nivel elitash, jo pajtim kombesh. Kështu perspektiva europiane sot le të na ndihmojë ne për të plotësuar komponentin e kulturës perëndimore që na ka munguar kaq shumë, por kjo nuk do të thotë që ne plotësohemi më mirë në veten tonë duke fshirë ato elemente që me hir ose pahir janë bërë pjesë e thellë e identitetit tonë.

Identiteti ynë në marrëdhënie me të tjerët

Kur flitet për nacionalizmin bëhet fjalë për të eksploruar një nocion me të cilin identifikohet kulturalisht një komunitet njerëzor. Kombi del si entitet kulturor dhe vazhdon pafundësisht procesin e bërjes së identitetit të vet. Tendenca e natyrshme e këtyre entiteteve është e dyfishtë njëkohësisht; edhe kërkojnë të dallohen nga grupimet tjera, duke thënë se jemi ndryshe, por në anën tjetër kërkojnë të njëjtësohen me grupime sa më të mëdha. Kjo është një prirje natyrale e qenies humane që është zhvilluar vazhdimisht dhe e ka zgjeruar shoqërinë nga rrethet e ngushta fisnore deri në nivel kombesh apo qytetërimesh siç shprehet Hantingtoni. Edhe ne si komb që nuk mund të përjashtohemi nga kjo prirje e natyrshme, në një anë kërkojmë të jemi konstrukt i veçantë gjenealogjik (pellazgë, ilir, shqiptarë), kurse në anën tjetër mundohemi të shpjegojmë se i përkasim sferës së qytetërimit Perëndimor apo Lindor. Për këtë arsye mjedisi intelektual dhe politik në Shqipëri për periudhën që bëhet fjalë (nga Rilindjes e deri më sot) ushqen polemika për të definuar përmbajtjen kulturore të identitetit tonë. Përveç regjimit të periudhës së E. Hoxhës në pjesën tjetër të kohës pjesa dominuese e elitës drejtuese të vendit mundohet ta shpjegojë kuptimin e identitetit tonë brenda suazës së identitetit kulturor europian. Mirëpo sintagma; “identiteti europian i shqiptarëve” deri më tash përkthehet si njëjtësim i përkatësisë sonë me identitetin kulturor europian dhe si refuzim i identitetit lindor. Të thuash sot që shqiptarët kanë identitet europian kë bërë mire se shpall një broshurë propagandistike me stil retorik dhe utilitar, por nuk është e thënë se ke shfletuar historinë e kombit tonë me rigorozitet shkencor. Pse ngre këtë pohim? Duke iu referuar Kristo Frashërit dhe shumë studiuesve të tjerë europianë si Ernest Gellner, Jurgen Habermas, Athoni Gidnnes etj., Europa nuk ka një identitet të vetin kulturor, bile Habermas shkon deri aty sa thotë është e pamundur të bëhet. Edhe themeluesit e Europës së Bashkuar kuptuan pas disa dekadash se projekti politik i tyre, do të ishte i qëndrueshëm po të ishte nisur puna nga Europa kulturore. Kështu që kur Europa nuk ka krijuar deri më sot identitetin e vet kështu nuk kemi se si ne të mjaftohemi me veten duke u identifikuar me të. Megjithatë nuk është ky qëllimi i kësaj kumtese, qëllimi është se ne bëjmë identitetin tonë perëndimor si refuzim total të elementit lindor ku elementet e këtij qytetërimi lindor me mënyra të dhunshme ose të natyrshme kanë depërtuar në brendësi të jetës shqiptare. Megjithëse edhe perceptimi lindor ngelet mjaft i paqartë kur merren në shqyrtim këto çështje. Kërkojmë të “arratisemi” nga Lindja, por përsëri nuk shpjegojmë se për cilën Lindje bëhet fjalë; për Lindjen ish-komuniste që shtrihet kryesisht në entitetin sllavo-bizantin, apo për orientalizmin me fondament kulturor islamin, apo të dyja përnjëherësh? Të mohosh gjithçka lindore nga cilado Lindje që të vijë nuk mjafton për të përcaktuar dhe formatuar veten nga pikëpamja e identitetit. Vetja bëhet duke pohuar atë që e ke dhe të mundohesh ta transformosh në funksion të perspektives tënde kombëtare. Kështu t`i ikësh botës lindore ku dominoi sllavo-bizantizmi dhe me vonë komunizmi, përveç të tjerave do të thotë të mohosh nocionin gjeografik dhe administrativ që natyrshëm kanë influencë në bërjen e komponentit kulturor në një entitet të caktuar, kurse të braktisësh lindjen orientale në mënyrë populiste, do të thotë të shprishësh substancën që ka bërë religjionin shpirtëror për komunitetin më të madh në Shqipëri prej 4-5 shekujsh. Për arsye madhore fati i Ballkanit do të vihej nën administrimin shtetëror bizantin dhe më vonë nën sundimin otoman, dhe kjo bëri që shqiptarët gjatë periudhës së mesjetës së hershme dhe të vonë t’i largohen krishtërimit perëndimor. Studiuesi Aurel Plasari e dëshmon kështu këtë fakt; “Në viset arbër largimi prej sferës shpirtërore e mendore latine që pati zotëruar gjatë mesjetës është zhvilluar nëpërmjet dy procesesh; mbajtjes me kishën lindore dhe myslimanizmit. I gjejmë të regjistruara më së miri këto procese prej relatorëve të Papatit që popullsinë shqiptare e regjistrojnë në tre ndarje: latinë (shqiptarët katolikë), skizmatikë (shqiptarë të lidhur me kishën lindore greke dhe sllave) dhe turq (shqiptarë të myslimanizmit). Se në ç`shkallë kishin arritur këto procese fjala vjen në territoret e Kosovës mësohet nga relacioni i Shtjefen Gaspërit, i cili me 1671 numëronte në Dioqezën e Shkupit vetëm 2.169 katolikë arbër që kishin mbetur. Siç e ka llogaritur edhe S. Driza në vitet ‘70 të shekullit XVII nuk kishin mbetur as edhe 1% e popullsisë së Kosovës latinë. Plasari shkon më tej. Regjimin komunist të E. Hoxhës nuk e shikon si doktrinë politike, por si ideologji që ishte ngritur qëllimisht për të refuzuar Krishtërimin Perëndimor dhe si një mënyrë për t’i ndarë përfundimisht shqiptarët nga ky qytetërim. Dhe sipas tij, po të studiohet me kujdes gjithë sistemi ideologjik i Enver Hoxhës do të kuptohet se antieuropianizimi i tij do të gërshetohej me një kompleks latent antikristian. Plasari mundohet ta provojë këtë supozim duke cituar Hoxhën që i dukej rast i paprecedent për një diktator ateist kur në një fjalim të tij lartësonte Islamizmin dhe denigronte Krishtërimin: “E vërteta është se Kur’ani është më i plotë dhe më i pastër se Bibla e izraelite dhe Ungjilli i të krishterëve”. E pabesueshme për gojën e një marksisti-leninist, ateist- shprehet Plasari. Megjithëse është e vështirë të besohet se sistemi komunist i E. Hoxhës ka qenë projekt politik dhe ideologjik, për të ndarë përfundimisht shqiptarët nga qytetërimi perëndimor, kurse relatorët e Papës mund të kenë bërë gabime të vogla në shifra, por nuk mund të themi që nuk relatojnë fakte dhe dëshmi që njihen mirë nga studiuesit. Ne mund të mblidhemi për t`i kthyer kokëposhtë ato shifra, por nuk mund të mohojmë një të vërtetë që Perandoria e Bizantit dhe më vonë ajo otomane e vendosen nën presion elementin shqiptarë kështu që identiteti ynë gjatë asaj periudhe historike është krijuar në marrëdhënie me ta (marrëdhënia do të thotë qoftë si refuzim qoftë si pajtim me ta). Nuk është korrekte dhe shkencore (e di që nuk u shkon për shtat retorikave të romantizmit nacionalist) të pretendosh që identiteti ynë qëndron vetëm në ato elemente të kulturës sonë që kanë ngel të paprekura dhe të padeformuara nga ky presion i madh. Në sferën kulturore është e paimagjinueshme ta ruash kaq të imunizuar elementin tënd identitar, në një mjedis kaq kompleks social. Teoritë e imunitetit janë të shëndetshme për retorika populiste, por jo argument shkencor i shëndoshë. Identiteti (kolektiv dhe personal) bëhet dhe plotësohet vetëm në marrëdhënie me të tjerët, jashtë këtij konteksti nuk mbahet. Nuk i mjafton vetvetja për të mbijetuar, por vetëm duke hyrë në marrëdhënie me të tjerët, qoftë si refuzim, qoftë si pajtim.

I duhet domosdoshmërisht; – i ndryshmi; i kundërti, me të cilin do të masë, të plotësojë, dhe të krahasojë vlerat me të. Ky proces sociologjizmi është i domosdoshëm për identitet personal dhe kolektiv, kështu që është e mira edhe ne, ta shikojmë në këtë këndvështrim formimin e identitetit tonë. *Doktorant në UET në fushën e Marrëdhënieve ndërkombëtare. Pedagog në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës.

Shënim: Kumtesë e mbajtur gjatë Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare”, organizuar nga UET

Teknologjia e tekstit, lexuesi shqiptar: Me zë apo i heshtur?!

$
0
0

Mapo letrare nxitur nga fushata kombëtare e leximit, bashkon në një forum botues, shkrimtarë, kritikë dhe, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës si e ka përcjellë shoqëria shqiptare Leximin, sidomos në kohën e teknologjisë së tekstit, çfarë lexuesish janë shqiptarët sot, një debat që në shoqëritë e zhvilluara po  merr një përmasë të ashpër për praktikën e leximit: me zë apo i heshtur?!

Në fund të viteve 700-t historiani Robert Darnton shkruante se për njerëzit e zakonshëm në Europën e modernizmit të hershëm, leximi ishte një aktivitet social që zhvillohej në punishte, plevica dhe taverna. Ai ishte gjithmonë oral sipas historianit. Leximi në privatësi u bë një normë për njerëzit e pasur, të arsimuar e që mund t’i lejonin vetes librat në vitet 1800.

Leximi sot ka marrë dimensione të tjera, për mënyrën se si praktikohet sot. Në Shqipëri pas një kaosi të gjatë, përgjatë viteve ’90-të, kur letërsitë e vendeve të ndryshme ankoroheshin për herë të parë edhe tek lexuesi shqiptar, nisën simultanet e para të leximeve të hapura.

Nga nënsirtarët e librave të verdhë, që shoqëroheshin me burgime, tek etja e gjatë, dhe kriza një festival i poezisë, Poeteka krijoi agorën e parë mes poetëve e lexuesve.  Në leximet  hapura që kulmuan në vitin 2010-2012, “Poeteka” krijoi të parin tur në gjashtë qendra të Tiranës, të hapura në natyrë, si dhe klube leximore…Një praktikë që u shumëfishua, vite të tjera, në klube letrare, që këto dy vite e kemi parë pothuaj të transferuar në një projekt kombëtar leximi nga Ministria e Kulturës, trajtuar si fushatë leximi, apo duke vazhduar ne Takohemi për një libër…Megjithatë, është duke u pranuar nga studiuesit sot, se ka një debat të ashpër për nga ndryshimet që ofron teknologjia e tekstit, dhe nxitjen e praktikës së leximit të zëshëm, duke e lidhur me një kohë tranzite mes kalimit nga: lexim i zëshëm në atë të heshtur. Grekët e lashtë i lexonin me zë të lartë tekstet e tyre e ashtu bënë europianët për shekuj me radhë, por nga shekulli i 17, praktika e leximit në Europë ka ndryshuar në mënyrë drastike. Po në Shqipëri?! Në këtë forum të organizuar nga Mapo letrare, kemi bashkuar nismëtarin e turit me zë të leximeve në vitet 2000, Arjan Lekës, përmes Poetekës, botuesen e “Diturisë”, Marjana Ymerin, drejtoren e letrave në Ministrinë e Kulturës, Mimoza Hysa, e cila prej dy vitesh ka iniciuar projektin, duke realizuar mbi 100 aktivitete në gjithë Shqipërinë, që ndjekin praktikën e leximeve me zë, si dhe shkrimtaren, e kritiken Diana Çuli, si ata e shikojnë praktikën e leximit në Shqipëri, dhe a janë lexus shqiptarët?

***

Lexim i heshtur apo me zë?!

Një nga nismëtarët e leximit të hapur, ideatori i Poeteka, Arjan Leka mbi mënyrën e leximit thotë se: “Vërej se me gjithë rimodelimet fomale dhe disa përpjekje, kemi mbetur ende pjesë e kulturës së leximeve të detyruara, kur letërsia përjetohej si propagandë dhe kur besohej se shpejtësia dhe gjerësia e përhapjes së leximit ishte detyrimisht e lidhur me cilësinë e tekstit letrar. Nëse dikur leximi i zëshëm na shoqëronte kudo, nga shkolla, me një fjalim të Frontit mbi mbi varr dhe bashkë me këtë lexim nxitej edhe lexuesi masiv e i planifikuar në tirazhe prej mijëra kopjesh të shpërndara në qindra biblioteka dhe librari, sot këtë rol të propagandës mass-kulturore e kanë marrë mediet, faqet e gazetave, sidomos televizionet, nga të cilat bëhen jo thirrje për lexim e lexues të mirë dhe me shije të pavarura, por për masivizim shijesh dhe lexues sa më të gjerë, masivë. Arrihet aty sa edhe gazetat na i lexojnë çdo mëngjes me zë, duke diktuar emra tituj dhe duke ngritur tituj mite. Kjo strukturë ka marrë përsipër atë që dikur e merrte përsipër partia: ndërtimin dhe orientimin e shijes së publikut.

Por paradoksalisht leximet e detyruara dhe shija jo e mirë në lexim nxiten dhe mbahen gjallë pikërisht nga krijuesit e debateve mbi të lexuarit dhe ata që ofrojnë statistika mbi uljengritjet e leximit, thua se vetë ata nuk kanë të bëjnë fare me shijen e keqe që është përhapur në lexim, thua se nuk kanë qenë ata në borde ku janë miratuar tituj të dobët librash për lexime në shkollë, thua se nuk botojnë recenca të sponsorizuara në hapësira letrare a televizive kushtuar librit, thua se nuk gjejnë vlera dhe te librat që nuk i kanë lexuar dhe që shpallen në çdo promovim, thua se nuk kanë qenë ata pjesë e jurive ku janë dhënë çmime për libra që tashmë janë harruar, thua se nuk ua diktojnë shijet e tyre edhe auditorëve apo atyre që i ndjekin përmes ekraneve. Praktika e të lexuarit, si akt individual, intim, vetjak, është e brishtë, shthuret dhe nuk e rindërtojmë dot sa hap e mbyll sytë. Lexuesi e gjen vetë rrugën për te libri dhe mëtimi i autorit, siç besoj se Borges të jetë shprehur, nëse unë kujtohem mirë, nuk është masivizimi i librit dhe i leximit, por të lexuarit e një paragrafi të vetëm, por shkëlqyer, ndonjë mbrëmje, për ndonjë mik. E kundërta e këtij mendimi është ajo që ka ndodhur në vitet ’50, kur besohej se “Arti i takon popullit” e që në forma merkantile përsëritet edhe sot, sa herë që na thuhet se libri i mirë është libri që shitet shumë dhe se libri i mirë lë përshtypje të njëjta si kur e lexojmë përpara masave të popullit ashtu edhe kur e lexojmë përpara vashës së vetmuar.” Marjana Ymeri, drejtore e botimeve, Shtëpia Botuese DITURIA, mendon se “E ka zgjidhur praktika tashmë. Leximi është art, është praktikë. Sigurisht, të lexuarit në heshtje, në privatësinë, dëshirën, mundësinë, nevojën, zhurmën që gjithmonë i zgjedh ti vetë. Leximi me zë është pjesë e deklamimeve dhe gjithashtu e promovimit të letërsisë, më shumë për të tjerët, jo për qejfin dhe nevojën tënde. Këtu e kam fjalën  për lexuesit e  rritur, sepse ndryshon puna te fëmijët, që kanë kërkesa të tjera. Leximi me zë për ta është jo vetëm edukues dhe argëtues, por, sipas specialistëve, ka edhe një rol me peshë në lidhjet familjare. Po kjo është një çështje tjetër”. Shkrimtarja, dhe përkthyesja Diana Çuli, shprehet se: “Nëse ju me lexim të zëshëm nënkuptoni leximin e bujshëm të librave të mbështetur edhe nga kritika, pa dyshim kemi ndryshim të madh. Sot, librat nuk lexohen aq shumë nga reklama, nga buja, nga hierarkia e kritikës letrare, por mjaft nga rastësia, nga kërkimi individual. Moria e pambarimtë e librave të botuar nga shtëpitë botuese, por pa orientim të kritikës letrare – ose me orientim të paktë – nuk e ndihmon lexuesin. Nga ana tjetër, kjo mori librash dyndet në fare pak librari – ka qytete ose qyteza me asnjë – dhe kjo sjell një pengesë tjetër të madhe. Pra, kemi një kontradiktë të dukshme: ka shumë libra të botuar, të mirë, letërsi shqipe dhe të huaj, por nuk ka librari dhe nuk ka frymë nxitëse për leximin. Ky debat është një kontribut për këtë frymë të munguar. Dikur, leximi shërbeu edhe si alfabetizim i shoqërisë sonë analfabete. Sot, ai shërben për përparimin dhe emancipimin e saj. Pra stadi është i ndryshëm.” Reflektimi i përkthyeses, Mimoza Hysa, në funksionin e drejtores së librit në Ministrinë e Kulturës, se si shoqëritë i kanë kushtuar vëmendje leximit, ndalet: Natyrisht kjo është pyetje për studiuesit e historisë së kulturës e veçanërisht të shkrimit dhe leximit, meqenëse të dyja veprimtaritë studiohen paralelisht, si të pandara nga njëra-tjetra.  Nëse i referohemi të dhënave historike mendohet se kalimi nga leximi me zë në leximin pa zë të jetë bërë në Mesjetën e Hershme. Studiuesi Malkom Parkes në librin “Historia e leximit në botën perëndimore” shkruan se që në Rregullin e Shën Benediktit që daton në vitin 540 përmenden përvoja individuale të të lexuarit me zë të ulët për të mos shqetësuar të tjerët. Shembulli i parë në letërsi për lexuesin pa zë na vjen nga “Rrëfimet” e shën Augustit, i cili dëshmon për mentorin e tij, shën Ambrozin se “gjatë leximit i kalonte faqet me sy ndërkohë që me mendje përpiqej të rrokte kuptimin, e sakaq zëri dhe gjuha pushonin.” Vështirësia më e madhe që hasnin në lexim në atë periudhë ishte shkrimi i pandërprerë dhe mungesa e shenjave të pikësimit. Sipas Makiavelit leximi në periudhën e Rilindjes Europiane ishte një veprimtari shumë e ndërlikuar ku duheshin zbatuar një sërë rregullash dhe kërkonte vëmendje të posaçme. Pas Gutembergut u botuan një sërë tekstesh ndihmëse dhe shpjeguese për mënyrën e leximit. Në Mesjetë lexoheshin ato pak libra që ishin në qarkullim, sidomos Bibla, dhe ishte e zakonshme të lexohej në grupe e me zë të lartë. Por edhe pse leximi pa zë dëshmohet në periudhën e parë të Mesjetës, leximi me zë vazhdonte të ishte një praktikë e natyrshme. Është e njohur dukuria e qarqeve letrare të përbëra nga personalitete të njohur, në grupime të vogla ku lexohej me zë, në shekujt XVII e XVIII. Çarls Dikensi, për shembull, adhuronte të lexonte librat e tij me zë në qarqe të mëdha me lexues. Po kështu dhe autorë të tjerë”.

Çfarë ka ndryshuar në praktikën e leximit nisur nga teknologjia e tekstit?

“Leximi është bërë më i shpejtë, i mundshëm në më shumë platforma. Por jo për këtë arsye edhe më i dobishëm.  U ngjan paksa praktikave të slow food. Sipas meje, duhet t’u biem kambanave të alarmit. Jemi të sfiduar në çdo moment nga interneti. Të fiksuar me shpejtësinë dhe të kërrusur në peshën e aq shumë teksteve, ne nuk po ndalemi të reflektojmë. Pastaj vjen puna të shkruash me ironi si Woody Allen, që duke folur për teknikat e quick rea­ding, shkruante: “Kështu kam lexuar Lufta dhe paqja. Fliste për Rusinë.”, shprehet Ymeri.

Çfarë ka ndryshuar në praktikën e leximit nisur nga teknologjia e tekstit, për shkrimtaren Diana Çuli është “forma e të lexuesit më së shumti, por jo dhe aq në përmbajtje: që do të thotë se sot, veçanërisht të rinjtë, lexojnë në forma të ndryshme nga ato tradicionalet: ata lexojnë në Ipad, në Kindle, dhe në telefon, disa prej tyre dëgjojnë në makinë me kufje. Shumë lexojnë on line në kompjuterin e shtëpisë. Pra leximi është zhvendosur mjaft nga letra në ekran – të madh apo të vogël – por është gjithnjë lexim. Brezat më të vjetër janë më tradicionalë. Por, të mos harrojmë se sot njerëzit janë më të ndërgjegjshëm për efektin e leximit.

A është pakësuar leximi? E vështirë të thuhet. Statistikat nuk të shtyjnë të besosh, kur sot ka dhjetëra shtëpi botuese në krahasim me dy të vetme deri 27 vjet më parë. Dhe një numër jo i vogël i këtyre shtëpive të sotme botuese janë të suksesshme, sjellin autorë bashkëkohorë, nga e gjithë bota dhe…nuk mbyllen. Nuk falimentojnë. Përkundrazi, përforcohen. Kjo nuk shkon në favor të statistikës negative të leximit.”

“Nuk dua të merrem se çfarë ka ndryshuar, pasi ndryshimi është i dukshëm. I pandryshueshëm ka mbetur lexuesi dhe leximi. Më të rëndësishmit domethënë. Të tjerat kanë të bëjnë me mjetin mbartës libri apo e-book. I njëjti debat si sot do të jetë bërë kur kaluam nga dorëshkrimet në tekstin e shumëfishuar tipografik. Leximi ka mbijetuar gjithmonë, veçse populizmi, “format e reja” të  leximit të detyruar, sidomos për shoqërinë tonë që ia njeh shijen e hidhur, nuk është rrugë më e mirë sesa liria në përzgjedhje dhe në lexim”, thotë Arjan Leka.

Ndërsa Mimoza Hysa, duke iu referuar edhe një përvoje aktuale mbi praktikën e leximit nga projekti i Ministrisë së Kulturës thotë: “Ndryshimi në mënyrën e leximit ka nisur që me perëndimin e shekullit të ideologjive dhe utopive. Më vjen në ndihmë këtu Montale që e ndante lexuesin në lexues që lexon për të mësuar, për t’u informuar, për të kujtuar dhe lexues që lexon thjesht për kënaqësinë e të lexuarit, ose për të kaluar kohën. Në kohët moderne lexohen gjithnjë e më pak libra e gjithnjë e më tepër gazeta, revista apo tashmë dhe lexime fragmentare. Këta të fundit, sipas Montales, nuk lexojnë por shikojnë. Shikojnë dhe kalojnë shpejt. Kjo sipas Montales sepse lexuesi sot është tërësisht i lirë në zgjedhje, dhe i pandikuar apo detyruar nga institucionet si kisha, shkolla etj. Teknologjia e ka ndryshuar shumë mënyrën e të lexuarit duke e thjeshtuar dhe duke i ofruar mendjes edhe elementë të tjerë ndihmës për të kuptuar tekstin që nuk janë vetëm shenjat, shkronjat. Për mendimin tim kjo risi do të çojë dhe në një mënyrë tjetër të përthithjes së dijes që do të jetë më e natyrshme për mendjen, duke qenë se perceptohet hapësira, tingulli, pamja si plotësuese të shenjave, shkronjave. A do të çojë kjo në një stad tjetër të zhvillimit të njeriut? Kjo mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që teknologjia të vihet në shërbim të përçimit të dijes dhe vlerave që njerëzimi ka grumbulluar ndër shekuj.”

Çfarë lexuesish janë shqiptarët?

Marjana Ymeri, mendon se shqiptarët janë lexues modestë, shumë më të “fortë”, se më parë, duke e lidhur me arsye globale dhe lokale. “Gjithsesi të diferencuar sipas moshave dhe gjinive. P.sh., në moshat shkollore, fëmijët e moshës 8-13 vjeç, të ashtuquajturit middle age, janë lexues të fortë dhe të përgjegjshëm, që e zgjedhin librin sipas parapëlqimeve të tyre. Pas kësaj moshe nisin e  ‘robërohen’ nga teknologjia. Sipas një anketimi  të Diturisë, ndër 10 fëmijë vetëm 4 janë lexues të mirë. Tek të rriturit, raporti është më pesimist: ndër dhjetë, 5 veta lexojnë nga 1-2 libra në vit dhe vetëm 2 janë lexues të fortë. Gratë janë lexuese më të mira se burrat.

Jam e bindur që edukimi i të lexuarit kërkon angazhim të shumë subjekteve: shkollës, bibliotekave shkollore, bibliotekave të tjera publike, librarive, botuesve. Dhe sidomos, për të edukuar e pasur një lexues të fortë, duhet të interesohet shteti. Me të gjitha mekanizmat, që vetëm ai mund t’i menaxhojë: me taksa më të ulëta për librin, për libraritë, për krijuesit, me fushata leximesh, me përfshirje në kurrikulat mësimore të aktiviteteve për librin, me pasurimin e menjëhershëm, të vazhdueshëm dhe “pa e mbajtur” dorën të bibliotekave, me blerjen e një kohe televizive në TV kombëtare dhe lokale, kushtuar librit etj.”

Ja ç’mendon Diana Çuli për lexuesit shqiptarë: “Shqiptarët janë lexues buzëhollë – që do të thotë se janë lexues cilësorë. Ata e lënë në baltë kritikën e rreme, shpesh  me qoka dhe “bamirësi”,  mund dhe të tërhiqen nga një reklamë e fortë për një autor, por, nëse libri nuk i përmbush shijet e tyre të holla, këtij autori nuk ia blejnë librin e dytë. Dhe kjo ndodh vazhdimisht dhe e kemi parë në shumë raste. Mendoj se lexuesit shqiptarë nuk janë ata të tridhjetë vjetëve të para, që ‘lexonin më shumë”, sepse sot jeta është më ritmike, televizioni zë shumë vend, interneti po ashtu. Atëhere lexuesi bëhet më përzgjedhës, sepse nuk ka kohë dhe nuk mund t’i lejojë vetes të lexojë çdo gjë që i bie në dorë. Botuesit dhe autorët duhet ta falënderojnë lexuesin shqiptar për besnikërinë dhe cilësinë e gjykimit. Pa ta nuk do të kishim as shtëpi botuese dhe as autorë.  Kjo vihet re sidomos në rastin e “fishekzjarreve”” – librave pa ndonjë vlerë, por që lëvdohen për miqësira apo lobime të ndryshme. Lexuesit rrallë herë bien pre e kësaj gracke.

Ng ana tjetër,  Nisma e Ministrisë së Kulturës është mjaft nevojshme dhe duhet përshëndetur. Ishte në kohën e duhur dhe po bëhet me vullnet të mirë e të qartë.  Në këtë periudhë kur moda e shoë-t pushton televizionet dhe depërton në botën e brendshme të të rinjve, duke u krijuar një imazh të rremë të jetës dhe të së ardhmes, leximi është një gomë shpëtimi e domosdoshme. Ai e përpunon mendimin, shijet, thellon reflektimin, përmirëson të shprehurit, qartëson gjykimin….me një fjalë e bën njeriun më të mençur, më të përgjegjshëm, më të matur, më të ditur. Besoj se nisma të tilla i shtojnë lexuesit.”

Tregon se janë mbi 200 aktivitete të organizuara këtë vit nga projekti i MK-së, “Takohemi për një libër” në të gjithë Shqipërinë. Mbi këtë përvojë, Mimoza Hysi, mendon se: “Ne ende ruajmë një traditë të mirë të leximit. Kjo sepse vijmë nga një shoqëri totalitare dhe me rregulla të ngurta ku leximi ishte një veprimtari shpesh e detyruar dhe njëkohësisht nga të paktat veprimtari argëtuese. Duhet kuptuar që të lexuarit është një veprimtari e vështirë që duhet të edukohet që në vogëli. Sot ka nisma të shumta në botë për edukimin e fëmijëve që në lindje me leximin, siç është për shembull në Itali “Nati per leggere” ku nënave të reja u mësohet sesi t’u lexojnë fëmijëve që bebe. Leximi me zë e afron fëmijën natyrshëm me librin, po kjo kërkon kohë e durim. Mund të përmenden dhjetëra fushata të suksesshme në vendet e zhvilluara, të cilat synojnë afrimin e lexuesit me librin. Për këtë arsye Ministria e Kulturës për të dytin vit ka ndërmarrë fushatën “Takohemi për një libër”. Suksesi qe befasues: mbi 200 aktivitete në të gjithë Shqipërinë. Kjo dëshmon se të rinjve sot duhet të dish t’u qasesh.”. Me përvojën e një “testi” me lexuesin, shkrimtari Arjan Leka thotë se: “Lexuesi shqiptar ka mbetur ende lexues i telekomanduar, një lexues që pret t’ia bëjnë të tjerët detyrën që lipset ta kryejnë vetë dhe me duart e tyre. Detyra ka të bëjë me kënaqësinë e madhe të zbulimit të një autori të panjohur më parë dhe me gjetjen e një titulli të mirë, për të cilin nuk të ka folur kush. Por kjo nuk është sigurisht as e lehtë”.

Përgatiti: Violeta Murati

Pëshpërima për të rezistuar

$
0
0

(Shënime për romanin “Pëshpërimë gruaje” të autores Klara Buda)

Nga Agim Baçi

Një shoqëri që nuk është e gatshme të presë ardhjen e një fëmije në jetë ajo ka vulosur vdekjen e saj, edhe pse nuk e di. Klara Buda ka mundur ta sjellë si një pëshpërimë gruaje atë që arriti të mbijetonte në një shoqëri ku gjithkush ishte i rrethuar, edhe pse mendonte se kishte një hapësirë për të lëvizur. Duke vënë në betejë dashurinë me fytyrën e vdekjes pikërisht në jetën studentore, Buda ka mundur të ndërtojë filozofinë e kohës, që prodhonte njerëz pa identitet, të cilët duhej të çliroheshin edhe nga dashuria, si e vetmja ndjesi që e rrezikonte fytyrën e diktaturës. Ashtu siç e ka theksuar edhe filozofja Hanah Arendt, teksa shkruante në librin e saj “Gjendja njerëzore” se, “Dashuria, nga natyra e saj, është hyjnore dhe pikërisht për këtë a është jo vetëm apolitike por edhe antipolitike, ndoshta me e fuqishmja e të gjitha forcave antipolitike njerëzore“.

Alma dhe Adriani janë edhe dy anët e medaljes të vëna përballë. Alma që ka mbështetjen dhe Adriani që duhet të luftojë. Mjaftojnë ca këngë, ca fjalë të thëna , e sidomos një ditar, që Adriani të arrestohet. Por pse një ditar përbën një dëshmi për ta burgosur një njeri në një sistem? Sepse diktatura do njerëz pa kujtesë, do njerëz pa të shkuar. Të shkuarën e rindërton partia ndaj njerëzit nuk kanë nevojë të mbajnë shënime. Një rrëfim i vendosur në emocione arrin të plotësojë një mozaik personazhesh që bashkohen në një moto skllavi: “Të hamë bukë!”. Një shprehje që përfshin gjithë angazhimin e një populli që humbi gjithçka dhe tashmë duhej të numëronte vaktet që duhet të siguronte. Duket një garë e njëjtë si qentë e qytetit që shqyhen për një copë bukë që duhet ta gjejnë në mbeturinat, të cilat mezi gjenden.

-Partia ka vendosur për këtë ushqim dhe refuzimi i tij është refuzim i kushteve të aksionit. Armiku i klasës këtë kërkon, t’i largojë të rinjtë nga rruga e drejtë dhe ju jeni një vegël e tij. Ky është një aksion rinie, roli i tij është edukimi i njeriut të ri dhe çdo hollësi e jetës këtu është në këtë funksion. Qëllimi i aksionit të rinisë është edukimi jo vetëm përmes punës, por ushqimit të mensës dhe pushimit në kolektivitet, që është grada më e lartë e bashkëjetesës në grup e që rrjedh prej moralit komunist; këtu nuk ka vend për sjellje të tilla; të rinjtë punojnë vullnetarisht. Ushqimi që ofrohet duhet të plotësojë nevoja biologjike, por jo tekat dhe preferencat borgjeze…” (Klara Buda, “Pëshpërimë gruaje”, “Mapo Editions” 2017, f. 136)

Për të arritur në majën e absurdes Buda fut në skenë debatin për një palë mbathje në nivelet më të larta qeveritare. Janë mbathjet që Alma ka harruar në shtëpinë e të dashurit, që tashmë është i ndëshkuari i sistemit sepse nuk ka pranuar të jetë në rreshtin e skllevërve. Mamaja e Adrianit ia dërgon të atit të Almës që është në krye të kulturës, duke dhënë kështu skenën e asaj çka prodhonte ai sistem- kontrollin e jetës deri në imtësi, deri te gjithçka që duhej të ishte vetëm e jotja.

Mozaiku i personazheve që plotësojnë humbje pas humbje të vlerave njerëzore ka në qendër edhe Qanon, përgjegjësin e morgut në Universitet. Janë të vdekurit dhe forma që u jepet atyre ata që janë të rëndësishëm për një sistem. Atje kërkohet edhe të dorëzohet “pasoja e dashurisë” e më pas rikthimi në shoqëri “të riqepur sipas parimeve socialiste”.

Rrëfimi, i ndërtuar me fjali që duket sikur nuk përfundojnë, me mendime që nisin e nuk mbërrijnë, jep edhe një shoqëri në kaos, që ka frikë nga gjithçka. E vetmja shpresë janë të rinjtë që nuk do të vijojnë të pranojnë skllavërinë, edhe pse jetojnë në një sistem ku numërohen duartrokitjet, ku gjykohesh për vështrimin se nuk kishte “entuziazmin e duhur revolucionar”. Një pamje e tillë që ka sinonim veç vdekjen merr formën e vet më të ashpër te pafuqia për të lënë jetën të mbërrijë, si firma e pakundërshtueshme se gjithçka nën diktaturë kundër jetës.


Diçka për donkishotët (negativë) që po lodhen në mbrojtje të “realizmit socialist”

$
0
0

Shkrimtari Agron Tufa nga zërat më aktivë për historiografinë e letërsisë së pas ’90-ës, në një debat të risjellë së fundi në qendër të vëmendjes, edhe pse kanë kaluar 27 vite nga rënia e diktaturës, e për rrjedhojë edhe të termit “Realizmi socialist”, sidomos në letërsi, sheh të arsyeshme të shfaqet në përkufizimet e sakta të termit, dhe çfarë e ndan atë nga letërsia e sotme, bashkëkohorja në letërsinë shqipe, e sidomos raportin e këtij sistemi me autorë, kritikë e studiues

Nga Agron Tufa

Realizmi Socialist

Termi (në fillim “letërsia proletare”) është futur nga A. Lunaçarskij që më 1905.

Në kongresin e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të BRSS me 1934, Maksim Gorki pohon: «Realizmi socialist e konfirmon realitetin si bëmë, si krijimtari, qëllimi i së cilës është – zhvillimi i pandërprerë i aftësive më të çmuara individuale të njeriut për hir të ngadhënjimit mbi forcat e natyrës, për hir të jetës së tij të shëndetshme e të gjatë, për hir të lumturisë siperane të të jetuarit mbi këtë tokë, të cilën ai, në akord me nevojat e bën të prodhojë pandërprerë, e selit atë, si një parajsë të bukur njerëzore, të bashkuar në një familje»[3].

Realizmi socialist, duke qenë metoda themelore e letërsisë, kritikës dhe arteve pamore sovjete, i kërkon artistit  pasqyrimin e të vërtetës historike-konkrete të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Madje ky pasqyrim objektiv i të vërtetës konkrete historike të realitetit duket të kombinohet me shndërrimet ideore dhe edukimin në frymën e socializmit.

Ky përkufizim u bë pikë referuese për krejt interpretimin e artit socrealist deri në fund të viteve 1980.

«Realizmi socialist është një metodë artistike thellësisht jetësore, shkencore e përparimtare, e zhvilluar si rezultat i sukseseve të ndërtimit socialist dhe edukimit të njerëzve sovjetikë në frymën e komunizmit. Parimet e realizmit socialist …janë shtjellime të mëtejshme të mësimeve leniniste mbi partishmërinë e letërsisë.» (Enciklopedia e madhe sovjetike, 1947)

Në këtë mënyrë Lenini shprehu mendimin, se arti duhet të qëndrojë në anën e proletariatit: «Arti i përket popullit. Gurrat e thella të artit mund t’i gjejmë vetëm midis klasës së gjerë të masave punonjëse … Arti duhet të bazohet në ndjenjat, mendimet dhe kërkesat e tyre dhe duhet të rritet bashkë me ta».

Parimet e socrealizmit

  • Fryma (tabani) popullore. Me këtë nënkuptohet, që letërsia dhe artet pamore duhet të jenë të kuptueshme për popullin e thjeshtë, së këndejmi kemi dhe shfrytëzimin e të folurës popullore, me proverbat dhe idiomat e tij.
  • Ideshmëria. Të tregohet jeta e paqtë e popullit, kërkimi i rrugëve të reja, risive, për ta bërë më të mirë jetën, përmes akteve heroike me qëllim final arritjen e një jete të lumtur për të gjithë njerëzit.
  • Konkretësia. Në paraqitjen e realitetit të tregohet procesi i zhvillimit historik, i cili nga ana e tij duhet t’i përgjigjet të kuptuarit materialist të historisë (në procesin e ndryshimeve të kushteve të tyre të jetesës njerëzit ndryshojnë dhe ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë marrëdhëniet ndaj realitetit përreth).

Siç theksohej në dispencat shkollore sovjete, metoda nënkuptonte shfrytëzimin e trashëgimisë së artit realist botëror, por jo si një imitim i thjeshtë i modeleve të mëdha, por me një qasje krijuese. «Metoda e realizmit socialist paracakton një lidhje të thellë të artit me realitetin bashkëkohor, një pjesëmarrje aktive të artit në ndërtimin e socializmit. Detyrat e metodës së realizmit socialist kërkojnë prej çdo artisti një të kuptuar esencial të domethënies së ngjarjeve shndërruese në vend, zotësinë për t’i vlerësuar dukuritë e jetës shoqërore në zhvillimin e tyre, në bashkëveprimin e tyre të koklavitur dialektik».

Metoda përfshinte në vetvete unitetin e realizmit dhe romantikën sovjetike, duke ndërthurur heroiken dhe romantiken me “pohimin realist të vërtetësisë origjinale në realitetin e përditshëm». Pohohej se, në këtë mënyrë humanizmi i «realizmit kritik» përplotësohej me «humanizmin socialist».

Shteti jepte direktivat, i dërgonte artistët me detyra krijuese, organizonte ekspozitat, duke stimuluar kësisoj zhvillimin e asaj konjukture arti për të cilën kishte nevojë. Ideja e «porosisë shoqërore» është pjesë e socrealizmit.

Në letërsi

Shkrimtari, sipas shprehjes së njohur të shkrimtarit Jurij Oljesha, është «inxhinier i shpirtrave njerëzor». Me talentin e tij ai duhet të ndikojë te lexuesi si propagandist. Ai e edukon lexuesin në frymën e besnikërisë ndaj partisë dhe e ndihmon atë në luftë për fitoren e komunizmit. Veprimet subjektive dhe përpjekjet individuale duhet t’i përgjigjen ecurisë objektive të historisë. Lenini ka shkruar: «Letërsia duhet të jetë e partishme … Poshtë shkrimtarët e papartishëm. Poshtë shkrimtarët supernjerëz! Puna letrare duhet të bëhet pjesë e çështjes së përbashkët proletare, “tyrrjela dhe rrotativa” të një mekanizmi madhështor social-demokratik, që vihen në lëvizje nga gjithë avangarda e ndërgjegjshme e gjithë klasës punëtore».

Vepra letrare në zhanrin e socrealizmit duhet të jetë e ndërtuar «në idenë e çdo forme të shfrytëzimit çnjerëzor të njeriut nga njeriu, të demaskojë krimet e kapitalizmit, të flakërojë mendjet e lexuesit dhe shikuesit me urrejtjen e vërtetë, t’i frymëzojë ata në luftën revolucionare për socializmin”.

Maksim Gorki ka shkruar për socrealizmin kështu:

«Për ne shkrimtarët me domosdoshmëri jetike e krijuese është të kapim atë pikë botëkuptimore, nga lartësia e së cilës – dhe vetëm nga ajo lartësi – të dallojmë qartë të gjitha krimet e ndryra të kapitalizmit, të gjitha qëllimet e tij të poshtra, dinake, dhe ku të duket e qartë në këtë sfond gjithë madhështia e punës heroike e diktaturës së proletariatit».

Ai gjithashtu ka shkruar se:

«…shkrimtari duhet të zotërojë një dije të mirë të historisë së të shkuarës dhe dijen mbi dukuritë sociale bashkëkohore, në të cilat ai është i thirrur të përmbushë njëkohësisht dy role: rolin e mamisë dhe të varrmihësit».

Gorki predikonte, se detyra kryesore e realizmit socialist është edukimi i  një pikëpamjeje socialiste dhe revolucionare mbi realitetin, në akord me sensibilitetin përkatës të këtij botëkuptimi.

Shkrimtari sovjet bjellorus, Vasilij Bikov e konsideronte realizmin socialist si metodën më të përparuar e më të sprovuarën. “Kështu që ne, shkrimtarët, mjeshtërit e fjalës, humanistët, që e zgjodhëm atë metodë për krijimtarinë tonë, nuk njohim një metodë tjetër më të përparuar e më të sprovuar”.

Shkrimtari disident Andrej Sinjavskij (vs. Abraham Terc) në esenë e tij «Çfarë është realizmi socialist», duke analizuar ideologjinë dhe historinë e zhvillimit të realizmit socialist, e po ashtu edhe tiparet e veprave të tij më tipike në letërsi, ka dalë në një përfundim, se ky stil në fakt nuk ka asnjë lidhje me realizmin e “vërtetë”, por ai është një variant sovjet i klasicizmit me një surrogato romantizmi. Po në këtë ese ai gjithashtu propozon, që për shkak të orientimeve të gabuara të instruktirëve të artit sovjet kundrejt veprave realiste të shek. XIX (veçanërisht ndaj realizmit kritik), krejt të huaja për natyrën klasiciste të socrealizmit, – dhe, sipas mendimit të tij, për shkak të sintezës së pafalshme dhe kureshtare të klasicizmit me realizmin brenda një vepre – krijimi i veprave të shquara të artit në këtë stil është një dukuri krejtësisht absurde. I përket këtij shkrimtari përkufizimi i famshëm te kjo ese se socrealizmi është: “…një gjysmëart gjysmëklasik, jo shumë socialist dhe aspak realist”.

Mitologjizmi i Realizmit socialist

Tragjedia (apo komedia) e socrealizmit ka të bëjë me faktin se ai ekzistoi në epokën e lulëzimit të vetëdijes neomitologjike, modernizmit dhe artit avangardist, të cilët nuk mund të mos ndikonin në poetikën socrealiste.

Kështu, për shembull, në romanin “Nëna” na paraqitet mjaft hollësishëm miti kristian mbi Shpëtimtarin (Pavel Vllasovi), i cili flijon veten në emër të të gjithë njerëzimit, dhe nënës së tij (domethënë shën Mëria) – kësaj figure kyçe për vetëdijen ruse dhe mitit kristian të adoptuar prej saj. Kjo që thamë nuk kundërshton faktin se kjo vepër është diçka krejtësisht mediokre. Rëndësi ka që, duke i shpallur luftë religjionit, bolshevikët megjithatë shpallën një religjion të ri, shumë të njohur e të harruar, për të krishterët e lashtë. Për këtë ka shkruar bindshëm një nga historianët më të njohur të kulturës sër Arnold Xhozef Tojnbin. “Kishës së zhvilluar bolshevikët i kundërvunë bashkësinë kompakte kristiane, por primitive, të shekujve të parë pas Krishtit me kultin e varfërisë, shoqërizimin e pasurisë dhe agresivitetin ndaj paganëve ideologjikë. Po ashtu si kristianët e parë, “republika e re sovjete” gjendej në “rrethin e armiqve”, veçse në rastin e parë kjo ishte Perandoria e shpartalluar Romake, kurse në të dytin – shoqëria e përparuar kapitaliste. Në rastin e parë fitoi krishterimi, në rastin e dytë – kapitalizmi.

Një vepër tjetër është romani i A. S. Serafimoviçit “Përroi i hekurt”, i cili rrëfen si e nxjerr divizionin e Tamanskit nga rrethimi, një komandant i kuq, Kozhuh-u, – nën dritën e mitologjisë evangjeliste, historisë së daljes së judejve nga Egjipti dhe përftimit të Tokës së Premtuar. Kozhuhu këtu del gjoja në rolin e Moisiut, për çka gjejmë edhe aludime të drejtpërdrejta në tekst. Me vite realizmi socialist përpunoi mitologjinë e vet ideologjike, me tipare jo më romantike, por më së shumti të planit klasik. Siç dihet, konflikti bazë në ideologjinë e klasicizmit është konflikti ndërmjet detyrës/arsyes dhe ndjenjës, ku fiton detyra. Në vepra të tilla të socrealizmit, si: “çimentoja” të F. Glladkovit, “Si u kalit çeliku” të N. Ostrovskijt, “Rrëfim për njeriun e vërtetë” të B. Polevojit, dalin në pah qartazi këto karakteristika. Heroi i veprave të tilla heq dorë nga dashuria për hir të revolucionit. Realizmi socialist e tejkalon edhe klasicizmin. Heroi i tij, i shpërblyer nga pushteti, e humbet në përgjithësi kurmin njerëzor, duke u shndërruar në robot. Diç e këtillë ndodh me Pavel Korçaginin. E përmbyll këtë mitologjemë Aleksej Meresjev me “Njeriu i vërtetë”, i cili zëvendëson “njeriun e vogël”, “njeriun e tepërt” me “njeriun e ri” të letërsisë ruse të shek XIX. Njeriu i vërtetë – është një mutant teknologjik. Atij i kanë shkurtuar këmbët, por ai vazhdon të mbetet pilot, përveç kësaj, shkrihet me makinën – ky episod është përshkruar mjaft hollësisht në romanin e Boris Polevojit. Trupi i personazhit socrealist zëvendësohet me hekurin, ai kalitet me çelik – një “druvar i hekurt” i socializmit të zhvilluar. Në shumëçka këtë poetikë të papërsëritshme të socrealizmit rus e kanë “zbuluar” poetët dhe artistët e konceptualizmit rus (1960).

Ermir Nika: ‘Kuarteti bohem’ ose fatet e njerëzve të një qyteti

$
0
0

“Kuarteti Bohem”, vepër e autorit Ermir Nika, botuar nga Shtëpia Botuese Ombra GVG, është një vëllim poetik që tashmë i ka ardhur poezisë shqipe, si një rrëfim i pakohë me anë të së cilit autori rreket të zhvendosë vetëdijen e shoqërisë së sotme në epokat e ndryshme nëpër të cilat ka depërtuar ekzistenca e bashkësisë njerëzore

Që në zanafillë, mendoj se përbën një fakt të pomohueshëm se poezia dhe e kaluara njerëzore u përhap në vise e kombe të panjohura nëpërmjet shtegtimeve bohemike të rapsodëve që endeshin nëpër botë, pas shkretimit të njëpasnjëshëm të qyteteve dhe rrëzimit nga fronet të sundimtarëve që zotëronin hapësirat e pakufizuara mbi tokë.

Ky ritual ndikoi në krijimin e ndërgjegjes njerëzore, jo vetëm duke evokuar të kaluarën por njëherësh edhe duke parafytyruar një të ardhme me një fillim dhe fund të pritshëm. Dhe në fund, gjithkush ka ndjerë se fatet njerëzore nuk janë veçse një destin i paracaktuar nga një paranojë e përjetshme hyjnish dhe njerëzimi një mërgatë e ngërthyer në fate të dorëzuara vullnetit të perëndishëm.

Disi rastësisht përfshihesh nga kjo ndjesi kur hasim në kryqëzime përjetimesh të mbrujtura brenda vargut dhe frymës që interferon në botëkuptimin e një kalimtari më se të zakonshëm, lexuesi a një ndjekësi të simbolikës që përvijohet në poetikën e kohës, pjesë  e së cilës është cilido prej nesh.

“Kuarteti Bohem”, vepër e autorit Ermir Nika, botuar nga Shtëpia Botuese Ombra Gvg është një vëllim poetik që tashmë i ka ardhur poezisë shqipe, si një rrëfimi i pakohë me anë të së cilit autori rreket të zhvendosë vetëdijen  e shoqërisë së sotme në epokat e ndryshme nëpër të cilat ka depërtuar ekzistenca e bashkësisë njerëzore, duke pranuar se dikush apo gjithkush ka mundur të jetojë brenda dhe përtej kohës së tij, në atmosferën ku u mbrujt qenësia e krijesës prehistorike e deri në parafytyrimin për marrëdhënien virtuale, duke synuar të dëshmojë se  formula e vijimësisë ndër njerëz do të jetë po e njëjta e ndërvarur ndërmjet aspiratës, mëkatit dhe pendesës.

Vepra në fjalë, nëpërmjet poetikës pikëtakon fate dhe tragjedi njerëzore të ngërthyera brenda historisë së një qyteti që zë fill në Trojë, Tebë, Neë York, Tiranë, për të shkuar deri në amshim. Në fund e fillim të gjithçkaje mbi çdo kryeqytet të botës antike, në mesjetë e në periudhat moderne nëpër të ashtu si për ironi, gjithkund shfaqet një kalë i gdhendur,  i cili zë gjithmonë vend në sheshet kryesore të qyteteve. Pikërisht kjo simbolikë parathotë tashmë fundin, nëpërmjet mëkatit, konfliktit dhe eksodit për të gjithë vendasit, që pason rëniet e njëpasnjëshme të dinastive dhe në përfundim gjithkush i përket përjetësisht trinisë Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Më tej, në kumtin e çdo akti, pas çdo kataklizmoje kemi një përpjekje mbinjerëzore për rinisje, dhe vazhdimësi, një bir që ndjek gjurmët e të atit dhe një grua e trysnuar nga natyra njerëzore që nguron t’i jepet çastit.

Tashmë është një dukuri e njohur se format e shprehisë poetike kanë pësuar transformime në periudha të ndryshme dhe se arti poetik sot nuk yshtet e s’mundet t’i përgjigjet më qasjes panoramike. Poezia moderne lind e përhumb brenda subkoshiencës e si e tillë, ajo bart në vetvete gjithë traumën e kohës së cilës i përket.

Vetiu, poeti i çdo gjuhe apo kulture është misionari i shtrirjes në kohë dhe fushëpamje të botëkuptimit të njerëzimit  duke ndikuar në evolucionin e mendësisë dhe ndjesisë së qenies humane.

Në këtë prizëm do të pohonim se shoqërisë amerikane iu desh afro dyqind vite për të mbërritur e për t’u njësuar me vizionin që përçoi Waltz Whitman me kryeveprën e tij Fije Bari. Po ashtu kultura evropiane tashmë ka prekur dhe bashkëjeton me përfytyrimin e Tomas Eliot për bashkekzistencën dhe marrëdhënien mes vetes dhe tjetrit. Po ashtu shoqëria shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, për vetë rrethanat e kohës u ndie disi e papërgatitur për ridimensionimin në koncept, formë dhe estetikë që shpaloste krijimtaria e Ismail Kadaresë, porse sot letërsia shqipe është modeluar në shtratin e këtij shndërrimi epokal duke vijuar të përafrohet gjithnjë e më shumë me modelin autentik të  Martin Camajt, Frederik Rreshpjes, Luan Starovës, për të vijuar deri tek poetët e shkrimtarët modernë Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Ermir Nikës etj.

Ndër te tjera  mendoj së lëvrimi dhe botimi i poezisë bashkëkohore është një provë e guximshme që dëshmon se arti i fjalës dhe poetika mbijeton përballë sfidave të çdo epoke, dhe letërsia shqipe do të vijojë ta pasurojë identitetin e saj me vepra që arrijnë ta përfaqësojnë denjësisht në kohë të ndryshme. Në këtë aspekt i përmbahem mendimit se “Kuarteti Bohem” është një ndër veprat që zë vend me dinjitet në këtë proces evolutiv që ndjek Letërsia Bashkëkohore Shqipe.

 

ERMIR NIKA,

 

I FUNDMI I TROJANËVE

 

Ai u shfaq sërish me kapën gdhendur në muzg

si prijësit në epilogun e betejës së humbur,

me plagën varur mbi gjoks si hajmali

verbuar nga dritat e neonëve dhe kujtimet.

 

U ndal një grimcë mbi pezulin e dritares,

mbi qelq deliroi dashnorin e tij Narcizin,

vajtoi si dikur Akili mbi trupin e Patroklit,

dhe heshtur mori udhën si drejt turrës së drurëve.

 

Një çast iu lut perëndive t’i falnin zjarrin

me harpën e lodhur përlidhi gjymtyrët,

nën një zgavër të purpurt resh Ati thirri:

O njerëz çlirojeni heroin e dëbuar prej qytetit të djegur

që mbi kurm heshtur nënshkruan lutjen e fundit!

 

Përtej vehtes asnjë pipëtimë,

vetëm erërat arktike rrinë e vështrojnë

asketin  që verbërisht flijon të shkuarën

tek rri dhe vdes çmendurisht nën shiun vetmitar!

 

Juvenali- Satira: Nga libraria e trotuareve

$
0
0

Kalimi buzë një librarie të shtrirë përgjatë trotuaresh në Tiranë, është një përshkrim i një ndjenje të shumëfishtë, ku nostalgjia, paragjykimi, dëshira, ikja, rikthim-krye, tundimi e më në fund blerja e një libri, shoqëron veprimin. Kështu ndodhi edhe pardje, ku pas një tërheqjeje të përkundërt, më mposhti dëshira për të blerë një libërth të hollë, me titullin: Juvenali- Satira.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Kalimi buzë një librarie të shtrirë përgjatë trotuaresh në Tiranë, është një përshkrim i një ndjenje të shumëfishtë, ku nostalgjia, paragjykimi, dëshira, ikja, rikthim-krye, tundimi e më në fund blerja e një libri, shoqëron veprimin. Kështu ndodhi edhe pardje, ku pas një tërheqjeje të përkundërt, më mposhti dëshira për të blerë një libërth të hollë, me titullin: Juvenali- Satira.

Libri ishte aq i imët, botim i vitit 1973, kur unë isha ende pa mbushur dhjetë vjeç… Me një parathënie të shkëlqyer nga Andrea Varfi dhe kopertinë nga Svietllana Strazimiri, emra të dashur këta, bashkë me përkthyesin Spiro Çomora, të tre signifikantë të konstituimit letrar të brezave në vite, së paku deri në vitet e ndryshimit radikal, por ndoshta kjo është një kuotë jo e saktë, pasi kënaqësia që mora nga ky libërth është aq e madhe…

Futesh në një librari kaotike dhe nuk zgjedh dot një libër. Të rregullta janë vetëm kolonat e shkrimtarëve tashmë të njohur e të konsakruar prej epokash. Libra të trashë që peshojnë me kile dhe që kam frikë mos më rrëzojnë përgjatë leximit në karrige, ose mos më ndrydhin qafën në dyshek, pasi janë më voluminozë sesa jastëku im petuq që ka vetëm një funksion dekorativ…

Po kush ishte Juvenali? i librit me satira, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, në një tirazh plot 12 mijë kopje, megjithëse më pak se pesëdhjetë faqe, me një format që nuk e kalon shuplakën e dorës, në vitin ‘73?

Decimo Giunio Givenale (Juvenali) ishte poet romak i kohës para dhe përgjatë pushtetit të Cezarit në Romë, lëvrues i satirës, që unë do ta quaja: i sarkazmës, kundër regjimit, veseve dhe gjithë dekompozimit të shoqërisë romake, e cila të çudit me ngjashmërinë në shumë aspekte, të një simetrie absolute me bashkëkohoren, thua se jemi tatuar me të njëjtat dëshira mishi e materiali qysh prej më shumë se dymijë vjetësh.

Andrea Varfi shkruan: “kur thotë Juvenali se romakët e kohës së tij kishin nevojë vetëm për padronë, bukë dhe festa, këto fjalë nuk duhet të merren si një përbuzje për bashkëqytetarët, por si një pohim burrëror lidhur me realitetin e hidhur të kohës”.

Megjithëse Cezari para vitit ‘49, para erës sonë, premtoi se do çlironte popullin nga zgjedha e një grushti uzurpatorësh, kur u bë perandor, zgjedha u bë edhe më mbytëse.

Juvenali në vargjet e satirës së tij shkruante:

“ Përherë u dashka që unë të mbyll gojën

dhe vetëm të dëgjoj?..

Po ku vallë u gjendka aq durim, sa të durosh vendlindjen

të shthuret fund e krye?

Lëvdohet ndershmëria,

por të çon në varr; kurse çdo krim që bëhet

shpërblehet me bulqiza, me gostira,

nderime pretoriane, me takëme

ergjendi nga të moçmet dhe me kupa

që kanë si stoli fytyra cjepësh…Sado që poet

nuk linda, mua pezmatimi m´i dikton vargje të tilla…

Këtu te ne tani gjëja më e shenjtë

qenkërka Madhëria e saj- Kuleta,

sadoqë ti, Zot, ugursës- Kacidhe,

s´e ke akoma vendin në një tempull;

sado që gjer më sot s´u kemi ngritur Monedhave altar, ashtu si ka

altar për Besimin dhe për Paqen,

altarë për Fitoren e Virtytin!

Me kaq maisje vesesh që kemi

besoj se kurrë nuk ka për të mundur e ardhmja

të na shtojë më të liga.

Pasardhësit ne mjeshtra do na kenë

në këto turpe, nëse do na ndjekin

e s´do t´u vijë ndot nga turpet tona.

Çdo ves kur arrin kulmin, s´ka ku zbret

më poshtë.”

Andrea Varfi shkruan pastaj “ Karakteri kozmopolit, korrupsioni dhe prostitucioni vazhduan në Romë edhe kur skeptërin e cezarëve, si “Ponfeniksë të epërm”, e muarën papët e kohës feudale. Ky korrupsion e prostitucion vazhdoi të luftohej edhe shumë kohë më vonë prej Dantes e Petrarkës me shokë, ashtu siç u luftua prej Juvenalit, te poezia e të cilit po kthehemi, pas kësaj pasqyre të shpejtë të ambientit dhe të shoqërisë romake, para-gjatë dhe pas Juvenalit”:

“Me të vërtetë, nga sa kemi parë

në ç´vend të mjerë, ku, në ç´shkretëtirë

do të banonim më keq se në Romë,

ku kërcënohesh vazhdimisht nga zjarret,

nga shembjet e shtëpive, nga një mijë

rreziqet e kësaj Rome t´egër, ku

të ndjekin recitime poetucësh

edhe në gusht?

“Gjersa këtu, në Romë, nuk i ka

njeriu mundësitë të punojë

me nder, sepse çdo pune të nderuar

s´i jepet më asnjë shpërblim;

përgjersa gjendja e sotme ekonomike

është më e keqe se ajo e djeshmja

dhe nesër do të jetë ca më e keqe

se kjo që kemi(e s´ka ku shkon më tutje),

unë vendosa të shkoj në Kumë!

Tani që nisën të më thinjen flokët

tani që jam në prag të pleqërisë

edhe mezi mbaj trupin drejt kur eci,

po le atdheun tim sot, të përshtatshëm,

për të vepruar Artori e Katuli,

që e kthejnë ç´është e bardhë, në të zezë;

që marrin lehtësisht në sipërmarrje

shtëpi, skela, lumenj, tharje gjirizash;

që djegin edhe kufomat e të vdekurve;

këta nëpër ankande nxisin skllevër

për hiç të shesin kokën ndër padronë!…

Dikur, këta të gjithë s´kanë qenë

veçse britarë, që endeshin përherë

nër cirkuse krahinash, disa fyçka,

që mezi hanin bukë nëpër fshatra.

Por sot shpërndajnë çmimet nëpër ndeshjet

dhe, që t´i hyjnë popullit në zemër

me gishtin e madh nxisin që të vritet

prej gladiator, ai të cilin

duan ta shohin shtrirë…

do herë që ka qejf fati të lozë

merr një nga këta tipa dhe e ngre

në postet më të larta e plot shkëlqime!

Po unë, ç´mund të bëj në Romë? Unë

s´di të gënjej..”

“Juvenali “Satirat” e tij i shkroi në moshë mjaft të pjekur, pasi e kishte njohur mirë shoqërinë romake, si njeri i elokuencës e drejtësisë; i shkroi i shtyrë nga pesimizmi i fortë që ziente brenda kraharorit, kur shikonte se me duzina, poetucë, në vend që të pasqyronin realitetin e kohës dhe të godisnin krimet e poshtërsitë, arratiseshin në subjekte të stërshfrytëzuara të mitologjisë greke, të trajtuara në mënyrat më anemike dhe të një fryme kozmopolite”.

Juvenali gjithashtu shpesh flet për edukimin, se qeliza bazë e veprimit moral e social është edukimi. Herë-herë ai akuzon Perandorin për politikat e edukimit, por gjithashtu ai stigmatizon edhe familjen për keqedukim:

“Janë pikërisht prindërit, o Fushin,

ata që për së gjalli, ua tregojnë

edhe pastaj ua lenë trashëgim

fëmijëve ato vese të pështira,

që mbeten si një njollë e pashlyer

tek shpirti i bardhë i tyre…Asnjë gjë

e turpshme për t´u thënë o për t´u parë

le të mos prekë kurrë ato mure

të shenjta ku njeriu është babë…”.

Vërtet librat e librarisë së trotuarit shqiptar nuk janë si ato të Parisit- trashëgimia librore riciklohet atje e pështjellë në letër të tejdukshme për t´u mbrojtur nga pluhuri, buzë lëvizjes lumore e njerëzore të Senës, por edhe libraritë tona të varfra buzë rruge, kanë, mes librave të rëndomtë, margaritare të kulturave të cilat të impresionojnë me kthjelltësinë mendore, si rasti me satirat e Juvenalit, të cilat të plota mund t´i gjeni në gjuhën e tij, pasi jo vetëm nga përkthimi diçka është holluar, por edhe nga selektimi i censurës së kohës: nuk janë botuar të plota! Megjithatë, edhe për kaq: Faleminderit!

“Fuqia ndjell nakar të madh. Ca bëhen

viktima se u zë frymën

Regjistri shumë i gjatë e i lavdishëm

i vargut të nderimeve. Statujat

përmbysen dhe ndjekin pas litarin

që i heq poshtë; pastaj i vjen radha

spatës, që, me disa të rëna fort,

ia copton rrotat qerres triumfale…

Krishterimi dhe Islami: Dy fe, dy qytetërime

$
0
0

Ermir Gjinishi në librin “Krishterimi dhe Islami: Dy fe, dy qytetërime”, me parathënie nga prof. dr. Ilira Sulo, sjell një vështrim historiko-filozofik, si fetë dhe qytetërimet janë parë nga studiues të ndryshëm, marrëdhëniet e fesë me globalizmin, shekullarizimin, identitetin dhe kombin; tematikat, të përbashkëtat dhe kundërshtitë e dy librave, Bibla dhe Kurani; ndarjet e mëdha në rrjedhën historike…janë ide e mendime që prekin edhe rrugëtimin e dialogut ndërfetar

Në vitin 1880 kur Niçe shpalli se “Zoti kishte vdekur” me siguri as që e kishte menduar se sot, pas afro një shekulli e gjysmë, feja vazhdon të gjallojë në çdo shoqëri me praninë e saj edhe pse gjerësisht e debatueshme në shkallë botërore.

Dy shekujt e fundit studimet mbi religjionet kanë njohur një interes të shtuar, megjithatë te ne, për arsye të njohura, studimet mbi fetë janë të pakta. Për rrjedhojë, kur flasim mbi fetë, opinioni publik përgjithësisht “bombardohet” ose nga mentaliteti ateist ose nga ligjërime religjioze kryesisht teologjike, të cilat vijnë nga brenda mureve të kultit. Shpesh diferenca mes tyre është mjaftueshmërisht e bollshme për të iniciuar debate pa adresë të qartë dhe të keqkuptuara. Nisur nga ky vakum i trashëguar, ky libër është një kontribut i vyer i cili sjell një qasje njohëse dhe analitike të fesë në një kontekst ndryshe, si fenomenologji, duke u fokusuar në historikun e ndikimit të saj mbi ngjarje, çështje e problematika të cilat vazhdojnë të ngjallin interesin e studiuesve.

Pa dyshim, libri merr një rëndësi specifike edhe në kontekstin e sotëm, kur komplikimet ideologjike e praktike të keqinterpretimeve fetare kanë kulmuar në rritjen e ksenofobive dhe paragjykimeve që kanë përligjur në mënyra manipulative përplasjen mes feve, kulturave dhe qytetërimeve, gjë që është krejtësisht e kundërta e doktrinave fetare.

Krishterimi dhe Islami janë dy fetë më të mëdha në botë me rreth 3.5 miliard ndjekës, aq sa gjysma e banorëve të planetit, megjithatë, ndryshe nga ç’mund të mendojnë shumë njerëz, nuk mund të gjesh besime që të kenë aq të përbashkëta, siç janë tre fetë monoteiste në fjalë. Nga ana tjetër, fakti që këto religjione bashkohen në rrënjë të përbashkëta me Judaizmin monoteist, pranohet njëzëri nga studiuesit e fushës, duke i quajtur me termin, fe abrahamike.

Të studiosh në mënyrë komparative dhe kritike këto dy religjione të mëdha botërore, do të thotë të kuptosh ndryshe se si funksionon ekzistencialisht shoqëria njerëzore, e cila pak a shumë ndahet në tre pjesë përkatësie religjioze: grupime që e identifikojnë veten e tyre si të krishterë, të tjerë si myslimanë, dhe një pjesë e tretë po aq e rëndësishme që identifikohen si ateistë apo agnostikë. Sigurisht, ka edhe individë/grupe apo popuj që u përkasin feve të tjera, por numri i tyre është gati i papërfillshëm, krahasuar me tre kategoritë e sipërpërmendura. Dhe, ashtu siç funksionon natyra njerëzore, këta në çdo aspekt të jetës apo shkallë të hierarkisë shoqërore që të gjenden, do të veprojnë sigurisht, në përputhje me besimin apo mosbesimin e tyre.

Edhe pse me diferenca teologjike, Krishterimi dhe Islami, ndajnë të njëjtën traditë historike dhe gjeografike. Të dyja religjionet e kanë origjinën nga Lindja e Mesme, dhe e konsiderojnë veten e tyre si besime monoteiste. Myslimanët i quajnë të krishterët si Popull i Librit, por edhe të krishterët i konsiderojnë myslimanët, si ndjekës të një Zoti të vetëm (monoteistë) dhe të të njëjtëve profetë.

Gjithashtu, edhe pse kanë tekste të ndryshme, përkatësisht Biblën dhe Kur’anin, këta dy libra tregojnë në forma narrative të ndryshme, të njëjtën histori të njerëzimit, që nga fillimi i jetës, deri në ditën e fundit të historisë. Edhe nën këtë pikëpamje, studiuesit e historisë, nuk duhet të hezitojnë apo t’i kritikojnë këto libra si thjesht fetarë, dhe kështu ta mohojnë studimin e tyre, por mund t’i trajtojnë ato si burime të rëndësishme historike dhe të marrin prej aty, të dhëna të bollshme për studimet, në lëmin historik që kanë marrë përsipër të kurojnë.

Studimi ka karakter komparativ dhe gjithëpërfshirës, pasi qëllimi i tij është konceptuar si një kontribut në marrëdhëniet e historiografisë me dy religjionet kryesore botërore.

Punimi synon të jetë një studim me karakter historik të periudhës së lindjes, zhvillimit, kulmimit, ndarjeve dhe në përgjithësi vetë jetës së dy religjioneve kryesore botërore, Krishterimit dhe Islamit. Për këtë arsye është zgjedhur përdorimi i metodës cilësore, e cila të jep mundësinë të bësh një studim të thelluar, duke patur një përqasje kritike dhe një interpretim historik të burimeve parësore dhe dytësore të marra në referencë. Gjithashtu, autori ka patur mundësinë që të mbajë edhe qëndrimet apo të shprehë opinionet e tij në lidhje me këto zhvillime të rëndësishme sidomos për ato që kanë të bëjnë me karakteristikat e identiteteve të qytetërimeve kryesore apo raportet e fesë me procese të ndryshme të cilat kanë shënjuar zhvillimet historike botërore, bazuar mbi religjionet. Kjo, për vetë faktin se qasja metodologjike cilësore është qasje ontologjike interpretiviste dhe është më e përshtatshme për t’u përdorur për studime të tilla të karakterit historik dhe filozofik.

Studimi mbështetet në qasje të ndryshme metodologjike, ndër to mund të përmendim:

  • Për shkak të kohështrirjes së gjatë të dy besimeve dhe specifikave të temës, metoda bazë e ndjekur në këtë punim është kronologjiko–problematike e cila fokusohet në dy aspekte kryesore:

Së pari: në rolin e feve në formësimin e perspektivave ideologjike e organizative të shoqërisë njerëzore.

Së dyti: në ndikimin e konfigurimeve të brendshme fetare në zhvillimet historike jashtë saj.

  • Duke qenë se shumica e çështjeve fetare të ndikuara prej rrymave filozofike që shqyrtohen këtu nuk janë trajtuar sa duhet te ne, për të paraqitur në formë ravijëzuese teoritë filozofike të dy religjioneve, është ndjekur qasja përshkruese që të krijohet një pasqyrë e këndvështrimeve të ndryshme referuar studiuesve të historisë dhe filozofisë së feve.
  • Studimi ka kryesisht natyrë komparative, apo krahasimore, dhe studime të tilla, kanë si qëllim marrjen në shqyrtim dhe krahasimin e dy ose më shumë variablave, në rastin tonë të Krishterimit dhe Islamit, për të kuptuar më mirë, të veçantat dhe të përbashkëtat që këto dy religjione kanë mes tyre. Në këtë mënyrë libri arrin të paraqesë me kthjelltësi karakterin e këtyre dy religjioneve dhe kontekstin historiko–filozofik.
  • Analiza dhe sinteza. Për arsye se libri përveç dimensionit njohës, ka karakter të pastër komparativ apo krahasimor, me qëllim kuptimin e rolit që kanë luajtur dy religjionet që po shqyrtojmë në historinë botërore, është dashur patjetër të bëjmë analizën e elementeve përbërëse të çdo religjioni, dhe më pas të bëjmë sintezën e këtyre elementeve, për të arritur në konkluzionet tona. Për këtë arsye, jemi mbështetur edhe te dy qasjet kryesore filozofike, përkatësisht atë analitike dhe kontinentale.

Studimi në fjalë përbëhet nga katër kapituj, të cilët alternojnë një pjesë të rëndësishme të dy religjioneve dhe raportet e tyre me zhvillime kyçe historike, shoqërore, politike e kulturore, të cilat nuk kufizohen në hapësira të caktuara lokale apo religjioze. Për këtë arsye libri nis me parahistorinë e rajoneve dhe popujve ku u shfaqën të dy fetë, si pikënisje e ndryshimeve të mëtejshme. Semitizmi, është një pikëtakim i rëndësishëm midis Islamit dhe Krishterimit.

Në Kreun e Parë: “Fetë dhe qytetërimet nga këndvështrimi i studiuesve të ndryshëm” trajtohen raportet historike të feve me qytetërimet e kulturat, të para këto nën këndvështrimin e historianëve, antropologëve, etnologëve, sociologëve etj. Ai përqendrohet në të dhënat historike, perceptimet mbi religjiozen dhe evoluimin e botëkuptimit të saj ndërqytetërimor. Kronologjikisht vazhdohet me shfaqjen dhe evoluimin e kontekstit terminologjik dhe etimologjik i termave qytetërim, kulturë dhe fe.

E shenjta, si objekt apo ide, formësoi perspektivat ideologjike të popujve që në lashtësi, pavarësisht nëse pranohen nga logjika mendore apo jo, pavarësisht origjinës transcendente apo besëtyte. Në vazhdim qartësohen faktorët dhe karakteristikat që përcaktojnë diferencat dhe ndryshimin ndërmjet qytetërimeve ku dominojnë dy fetë, Krishterimi dhe Islami, me pjesën tjetër të qytetërimeve. Një analizë të veçantë në këtë trajtim zë ideja e përplasjes së qytetërimeve parë në këndvështrimin e pikëpamjeve teorike e praktike. Historiku i marrëdhënieve të fesë me pushtetin, politikën, identitetin, modernizmin etj., ka si qëllim të sjellë në vëmendje rolin dhe rëndësinë e fesë si në jetën individuale dhe atë shoqërore. Gjithashtu, modelet e ndryshme të këtyre raporteve shihen se si reflektojnë në qasjet kuptimore, ideologjike e praktike dhe në implikimet politike, ekonomike e sociale të çdo shoqërie.

Kreu i Dytë: “Dy librat e shenjtë (vështrim filozofiko–historik)” fokusohet në njohjen dhe krahasimin mes teksteve bazë të Krishterimit dhe Islamit, përkatësisht Biblës dhe Kur’anit. Krahasimi i feve hulumton rreth dallimeve e të përbashkëta mes feve të ndryshme ose fenomeneve fetare, jo vetëm për t’ju qasur kuptimit të plotë të objektit të tyre, por edhe për të përcaktuar ndërveprimet mes feve të ndryshme, si ato lidhen apo si ato ndikojnë te njëra–tjetra.

Boshti referues në këtë vështrim krahasues fokusohet vetëm mbi tematikën bazë të teksteve, pa hyrë në detaje të hollësishme, analizimi i të cilave ndërlikohet për shkak të aplikimit të metodave dhe kritereve të ndryshme në qasjet doktrinare përkatëse. Sigurisht që metodikat krahasuese mes feve përfshijnë qasje e analiza shumëdimensionale, filozofike, teologjike, politike, historike, qytetërimore…etj., por orientimi krahasimor referuar teksteve, siç vjen në këtë libër, është analiza më reale e thelbit të tyre, ku bota judeo–kristiano–islame takohet në qendrën e besimit të përbashkët. Nga ana tjetër, një trajtim i tillë qartëson dallimin midis teksteve dhe interpretimeve të tyre, midis fesë dhe fetarizmit, apo fesë së institucionalizuar dhe asaj burimore.

Kreu i Tretë: “Ndarjet e mëdha (skizmat, sektet) në rrjedhën historike” përqendrohet në një nga zhvillimet më të rëndësishme të ndodhura brenda feve, ndarjet dhe skizmat. Ai analizon faktorët kompleksë që ndikuan në fenomenin e skizmës, ndikimet që e pasuan atë në jetën politike e fetare të shteteve dhe në organizimin doktrinar e institucional të këtyre dy feve.

Skizmat veç të tjerash trajtohen si një interferim i kulturave dhe feve te njëra–tjetra. Një nga karakteristikat themelore të skizmave si proces është rritja e intensitetit të influencave fetare përtej kultit dhe anasjelltas, fenomen që u pasua me ndryshime të thella jo vetëm religjioze. Ato ndikuan dukshëm në orientimin fetar, kulturor e politik të shteteve. Kreu i tretë përmbyllet me paraqitjen e një numri sektesh e ndarjesh nga të dyja fetë, strukturën dhe përhapjen e tyre, të cilat sjellin në vëmendje kompleksitetin e situatës në kohën që ndodhën, arsyet e qëndrueshmërisë së tyre në komponentët specifikë deri në ditët e sotme dhe ndikimin e tyre përtej jetës religjioze. Në këtë analizë autori sjell modele sektesh e urdhrash që nga më të hershmit e deri tek ato të kohëve të vona.

Kreu i Katërt: “Dialogu ndërfetar evoluimi dhe perspektiva” si përmbyllje, trajton në një mënyrë të zgjeruar dialogun ndërfetar si koncept, fenomen, histori dhe evoluim. Në fokusin e këtij kreu paraqiten fazat nëpër të cilat është zhvilluar dialogu mes dy feve që nga koha e shfaqjes së tyre deri në ditët e sotme dhe influenca e tolerancës fetare në liritë kulturore dhe të drejtat e njeriut. Në vazhdim, trajtohen format e dialogut ndërfetar dhe rëndësia e tij si pjesë e domosdoshme e dialogut politik, kulturor e qytetërimor në ndërtimin e një shoqërie që respekton diversitetin e natyrshmërisë njerëzore. Zgjedhja e dialogut, në një larmi kulturash, gjuhësh, racash, e religjionesh është mundësia e vetme për arritjen e një bashkëjetese paqësore e cila garanton prosperitet dhe siguri. Kreu i katërt mbyllet me një analizë të gjerë mbi bashkëjetesën fetare në Shqipëri, e cila jo vetëm që përbën një rast unik por është një referencë studimore e mirëfilltë për të kuptuar se si fetë e ndryshme mund të bashkëjetojnë në paqe.

Literatura e përdorur, për shkak të prezencës modeste të botimeve në shqip dhe veçorive strukturore të temës, është kryesisht e huaj me një shumëllojshmëri burimesh bibliografike, rreth 300 tituj, për të mundësuar gërshetimin e qasjeve të ndryshme. Janë përcjellë analiza, teori, mendime, hipoteza e gjykime të studiuesve më të njohur të historisë botërore dhe qytetërimeve, duke filluar nga William Durant, Toyenbee, Spegler, Eduard Taylor, e deri te botimet më të vonshme si Hungtington, Fukayama, B. Lewis, Habermas, James Smith, John L. Esposito, Oliver Roy, Fernand Braudell, Roberto Dela Roka, Manilo Graziano.. etj., si dhe autorë të njohur arabë dhe hebrenj; Ahmed Shelebi, Ebu Mansur al- Baghdadi, Ismail Faruk, Tarek Ramadan, Al-Hadari, Talal Asad, Adin Steisaltz, Chaim Rabin…etj. Është shfrytëzuar gjithashtu një literaturë e pasur edhe në gjuhën arabe, ku studimet mbi çështjet fetare e qytetërimore janë të hershme, për këtë arsye kemi alternuar botimet e hershme me ato bashkëkohore për të sjellë një mendim gjithëpërfshirës, i cili veç të tjerash koncentron evoluimin e qëndrimeve kuptimore e analitike.

Për analizën teorike të dy religjioneve kryesore, jam bazuar së pari, te dy librat kryesorë, që përbëjnë edhe burimin bazë të teksteve, Bibla dhe Kur’ani. Ndërsa në burimet dytësore, veç të tjerash janë zgjedhur artikuj, botime, monografi përfaqësuese të të dyja religjioneve, që janë edhe objekti i studimit në këtë libër. Pjesë e rëndësishme e referencave kanë qenë dhe enciklopeditë e ndryshme të cilat kanë trajtuar gjerësisht çështjet religjioze.

I gjithë punimi si strukturë, metodologji e trajtim është risi. Qasja e studimit ndryshon nga teologjia dhe studimi i besimeve në thellësi të tyre. Ndërsa teologjia përpiqet të kuptojë natyrën e transcendentes, hyjnores apo të mbinatyrshmes, hulumtimet mbi fetë si fenomenologji studiojnë religjiozen dhe produktin religjioz jashtë ndonjë këndvështrimi apo pretendimi të caktuar fetar si një strukturë komplekse multidisiplinore e cila përshkruan, krahason, interpreton dhe shpjegon religjionin, ndërmjet metodologjive e disiplinave të ndryshme. Ajo përfshin historinë, antropologjinë, sociologjinë, psikologjinë, filozofinë, të drejtën etj., të cilat nuk kanë si qëllim vlerësimin e vlefshmërisë së besimeve, por njohjen dhe studimin në një dimension më të gjerë të marrëdhënieve dialektike që kanë të bëjnë me religjionin.

Studimi synon të ofrojë të dhëna njohëse, referuese, metodike, teorike, terminologjike, konceptuale e substanciale, mbi dinamikat religjioze, duke e ndërthurur atë me çështje të ndryshme historike, teorike, kulturore, ekonomike, sociale, politike etj., mbi interferimin e ideve dhe praktikave religjioze përtej jetës fetare.

Ky punim ndër të tjera, ka si qëllim të hedhë dritë mbi implikimet e mundshme të botës religjioze me atë joreligjioze në rastet e keqpërdorimit fetar, i cili mund të konfliktojë të gjitha sferat ku religjioni ushtron ndikimin e tij. Nga ana tjetër, ky punim kërkon të qartësojë hapësirat reale të veprimit religjioz, natyrën dhe tendencat e tij në strukturat shoqërore. Gjithashtu, për një lexim më korrekt të qëndrimeve fetare në përgjithësi, është e domosdoshme të bëhet diferenca midis fesë dhe fetarizmit apo parimeve doktrinare në tekstet e shenjta nga interpretimet e tyre. Orientimi krahasimor referuar teksteve, është analiza më reale e thelbit të tyre, ku bota judeo – kristiano – islame takohet në qendrën e besimit të përbashkët. Bazuar në këtë qasje, ky punim përbën një risi në hapësirat hulumtuese të historiografisë sonë.

KONKLUZIONE

  • Fetë dhe qytetërimet kanë një marrëdhënie ekzistenciale mes tyre. Natyrshmëria e diversitetit njerëzor na ka trashëguar një koleksion kulturash e qytetërimesh të shumëllojshme. Ekzistenca e këtij diversiteti njerëzor, popujsh, qytetërimesh e kulturash të ndryshme, ka pjesë të pandarë aspektin e tij religjioz. Ai dallohet nga prania e tempujve të ndryshëm, të asaj që njerëzit kanë besuar, në çdo etapë historike. Feja është pjesë e rëndësishme e kulturës njerëzore, dhe qytetërimet veç të tjerash, janë panoramë e diversitetit religjioz– fetar. Nuk ekziston asnjë qytetërim pa përvojën shpirtërore të shprehur në kulturën e tij, nga format pagano–bestyte, deri në ato transcendente. Ato personifikojnë një realitet të lidhur ngushtë me ndërveprimin njerëzor e kulturor. Koncepti i të mbinatyrshmes bashkëjeton në çdo qytetërim, i cili reflekton në strukturën shoqërore të tij, motivet social-psikologjike në tradita, mendime e ide. Historia e qytetërimeve dëshmon se, duke nisur nga çasti kur në një fe ka marrë formë përvoja fetare, ajo i prek të gjitha sektorët e jetës me një orientim reformues, duke qenë vetë burimi që i dha jetë këtyre ndryshimeve.
  • Marrëdhëniet midis popujve para së gjithash janë marrëdhënie midis kulturash e qytetërimesh. Që nga koha e shfaqjes së qytetërimeve, marrëdhëniet midis tyre kanë evoluar. Në kohët e hershme, kontaktet mes tyre ishin të kufizuara, thuajse nuk ekzistonin, me disa përjashtime të vogla. Qytetërimet ishin të ndara në kohë e hapësirë, të ndara gjeografikisht, çka i dallonte më shumë në strukturat e tyre sociale e psikologjike. Tre janë faktorët bazë që përcaktojnë avantazhin midis qytetërimeve: elementi etik, shpirtëror dhe material.
  • Qytetërimet lindin, lulëzojnë dhe zhduken, për t’ia lënë vendin të tjerave që vijnë. Nga të gjitha qytetërimet e mëdha vetëm Krishterimi dhe Islami thyejnë tabutë e etnicizmit dhe monokulturalizmit me prezencën e tyre në hapësira ndërkontinentale. Ato janë qytetërime të ndikuara fort nga feja, saqë identifikohen me emrat e feve përkatëse. Për shkak të universalizmit të tyre ato kanë dimension pluraliteti multietnik dhe multireligjioz. Kryesisht këto karakteristika kanë ndikuar dukshëm në përhapjen dhe ndikimin e tyre në popuj të ndryshëm.
  • Fetë sikurse civilizimet kanë ulje–ngritjet e tyre. Marrëdhëniet mes tyre ngjasojnë me ato të qytetërimeve, në këmbime, solidaritet, bashkekzistencë dhe kontradikta. Historia ka njohur një mpleksje kontradiktore mes asaj që predikojnë fetë dhe ndjekësve të saj. Kjo mospërputhje midis pacifizmit të doktrinës fetare dhe militantizmit të praktikimit të fesë nga ndjekësit e saj, është një realitet i pakontestueshëm por dhe një burim i madh keqkuptimi. Është e rëndësishme diferenca midis fesë si mënyrë jetese e përcaktuar në doktrinë dhe fetarizmit si formë sjelljeje e perceptuar individualisht.
  • Në disa raste ndarja e fesë nga politika nuk ka mjaftuar për të garantuar influencën e tyre te njëra–tjetra. Instrumentalizimi i fesë nga politika apo anasjelltas, është ndërthurje që sjell kaos për shkak të modelit të deformuar që krijon. Feja, sipas doktrinës së saj, është një mënyrë e të jetuarit sipas rregullave e kanoneve, të pandryshueshme, për shkak të burimit të tyre, ndërsa politika ekziston dhe realizohet nëpërmjet njerëzve si një veprimtari sociale, kolektive vendimmarrëse dhe evoluon sipas interesave që përfaqëson. Dallimi mes tyre nis nga ideologjia, ndiqet nga implementimi praktik, dhe sipas funksionit që kanë, përcjellin tek individi objektiva të ndryshëm në forma të ndryshme.
  • Pavarësisht se debatet mbi qytetërimet, kulturat dhe fetë kanë ardhur tani në plan të parë në politikën rajonale dhe globale megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato janë burimet kryesore të konfliktit në politikën botërore bashkëkohore. Çështja themelore nuk është nëse kultura, feja apo politika, është burimi parësor i konflikteve, sepse ato të gjitha janë të implikuara në thelb me njëra–tjetrën, por konflikti në të gjitha format dhe manifestimet e tij, është një strukturë më e gjerë. Ai nuk mund të ndodhë vetëm për shkak të diversitetit qytetërimor apo fetar, por nxitet nga aktorë socialë, ekonomikë e gjeopolitikë, që ndjekin interesat e tyre. Pjesa më e rëndësishme e idesë së përplasjes së qytetërimeve është përqendrimi kryesisht në konstantet gjeopolitike të përcaktuara si të pandryshueshme dhe zhvillimet globale. Fetë e shtrijnë ndikimin e tyre përtej këtyre përcaktimeve. Harta e feve nuk është identike me atë të qytetërimeve.
  • Konfliktet e sotme nuk janë konflikte apo luftëra fetare. Feja në vetvete nuk është shkak për konflikte por ajo mund të keqpërdoret si motivim i tyre. Problemet reale që shfaqin sot vendet me konflikte në natyrën e tyre janë me karakter social, ekonomik, politik, të drejtat e minoriteteve, të drejtat e njeriut, barazia para ligjit etj. Ato janë tregues të fanatizmave lokalë e nacionalë, të autoritarizmit politik dhe mungesës së demokracisë. Eliminimi i këtyre fanatizmave në kohën që jetojmë është prej nevojave më të mëdha.
  • Diversiteti kulturor meriton të shihet si një vlerë pozitive. Problemi i vërtetë nuk qëndron brenda qytetërimeve, por në faktin se nuk i japin vetes mundësinë për të komunikuar dhe kuptuar njëri–tjetrin. Njohja dhe vlerësimi real i diferencave midis njëri–tjetrit ul barrierën e keqkuptimeve, të mosbesimit, dhe i hap rrugën një dialogu human larg tendencave dominuese.
  • Kapërcimi globalist i kufijve kulturorë dhe etnikë, ka ngjashmëri relative me atë fetar vetëm në formë. Dallimi bazë i fesë me globalizmin modern është se fetë synojnë universalizmin me të vërtetat dhe parimet e tyre etike duke respektuar diversitetin në tiparet kulturore e identitare, ndërsa tendenca relative e globalizmit për shkrirjen e veçorive kulturore me qëllim zëvendësimin e tyre me “kulturën e re globaliste”, rend pas çdo risie e cila përcaktohet nga tregjet. Janë tregjet ato që përcaktojnë vlerat e shoqërisë dhe jo e kundërta. Pikërisht dominimi i këtij orientimi të globalizmit është esenca e refuzimit fetar. Thelbësore në filozofinë fetare mbetet ruajtja e standardit të vlerave njerëzore të domosdoshme, të cilat garantojnë një ekuilibër të nevojshëm jetësor.
  • Laicizmi nuk ka një standard të njëjtë të aplikuar njëlloj nga shtetet laike. Shekullarizmi anglosakson dallon nga laicizmi europian. Diferenca midis këtyre dy modele të ndryshme lidhet me historinë politike dhe përvojat unike që kanë këto vende me zhvillimin e marrëdhënieve mes kishës dhe shtetit. Laiciteti është themeluar me mjete politike, ndërsa shekullarizimi është krijuar nga ndryshimet në religjiozitetin e formës së besimtarit. Midis fesë dhe shtetit në historinë klasike islame, nuk mund të kishte as konflikt, as bashkëpunim, as bashkim, as ndarje (siç ndodh me kristianizmin) sepse institucioni qeverisës i islamit përmbledh të dy funksionet, për rrjedhojë, në botën myslimane pati një laicizëm hibrid. Atje ligjet nuk qenë plotësisht civile.
  • Çdo individ formëson domethënien dhe kuptimin e tij për fenë, në formën e identitetit personal apo grupor, nëpërmjet ndërveprimit. Marrëdhënia e fesë me identitetin përmbledh të gjitha mënyrat përmes të cilave feja frymëzon vetidentitetin (identitetin personal). Si të gjithë komponentët që formojnë identitetin edhe këndvështrimi fetar (i individit) zhvillohet e ndryshon përgjatë trajektores së jetës që përshkon njeriu sepse praktikat fetare nuk janë të bashkëlindura por zhvillohen në saje të procesit të shoqërizimit. Si i tillë, ai ndryshon sipas roleve që merr individi në ndërveprimet me të tjerët dhe nga ndikimi që të tjerët kanë në zhvillimin e identitetit personal të tij, megjithëse ky ndikim nuk është përcaktues i prerë. Në shoqëritë e padiferencuara (tradicionale), feja i përshkon të gjitha rolet sociale, ndërsa në shoqëritë me nivel të lartë diferencimi (shoqëritë moderne) feja përbën vetëm një burim të ndjenjës së individit për përkatësi dhe identitet.
  • Kombi dhe feja, nisur nga bazat teologjike, do të duhej të mos rivalizoheshin mes tyre, megjithatë në kushte specifike të veçanta kjo ka ndodhur. Qëndrimi doktrinar i krishterë dhe islam është kategorikisht kundër nacionalizmit etnocentrist sipas të cilit entiteti etnik është kriteri përcaktues i njeriut. Ai konsiderohet si shkelës e kërcënim i transcendencës hyjnore, ku njerëzit nuk shihen si krijesa të barabarta për shkak të fragmentimit të pafund në nëngrupe të familjes së përbashkët njerëzore.
  • Fenomenologjia fetare si një metodë e re në studimin e feve i ka hapur rrugën studimit të të gjithë termave fetarë në mënyrë objektive e sistematike. Konkluzionet e saj janë thelbi i trajtimeve joteologjike të feve dhe shtrati i analizave hermeneutike të teksteve. Ajo është analiza sistemore e aspekteve të institucionalizuara të fesë, ndërsa njohja e tematikës së librave të shenjtë është baza e vlerësimit dhe krahasimit të tyre. Studimi i tematikës së dy librave (Bibla dhe Kur’ani) ofron njohuri substanciale të strukturës, karakteristikave, mesazhit, vizionit dhe filozofisë që kanë fetë.
  • Studimi krahasues i feve është termi që nënkupton studimin e të gjitha traditave dhe formave të jetës fetare të grupuara në formacione e modele të ngjashme ose të përafërta. Ai adreson nevojën për të sintetizuar informacionin e akumuluar mbi fetë përgjatë historisë njerëzore, duke analizuar jo vetëm të përbashkëtat, dallimet dhe format e jetës fetare, por edhe fazat e zhvillimit historik dhe evolutiv. Materiali i grumbulluar nga objekti i studimit historik është një nga elementet bazike të kërkimit në evoluimin e interpretimeve fetare, jo vetëm për t’ju qasur kuptimit, por edhe për të përcaktuar ndërveprimet mes feve të ndryshme.
  • Metodikat krahasuese mes feve përfshijnë qasje e analiza shumëdimensionale, filozofike, teologjike, politike, historike, qytetërimore etj., por orientimi krahasimor referuar teksteve, është analiza më reale e thelbit të tyre, ku bota judeo–kristiano–islame takohet në qendrën e besimit të përbashkët.
  • Krishterimi dhe Islami janë dy fe më vete, por ndryshe nga ç’mendojnë shumica e njerëzve, Bibla dhe Kur’ani kanë shumë pika të përbashkëta. Në tekstet e dy librave pavarësisht dallimeve nuk ka thirrje për armiqësi e urrejtje, ndërkohë baza doktrinare, orientimet, interesat e përbashkët dhe pikëtakimet mes tyre, mjaftojnë për të garantuar zhdukjen e fanatizmave provinciale, qëndrimeve ekstreme politike dhe përbuzjes së krijuar ndër shekuj, ku një pjesë e madhe e keqkuptimeve iu dedikohet qasjeve interpretimeve të cilat jo domosdoshmërisht përputhen me qëllimin e tekstit apo domethënien e tij.
  • Skizmat dhe ndarjet brenda feve janë një proces i shtrirë në kohë që tregojnë fazat dhe format e evoluimit doktrinar. Ato janë produkt i mospajtimeve doktrinare, interferimeve kulturore e filozofike pa anashkaluar influencën e pushtetit i cili në disa raste ishte përcaktues.
  • Tri skizmat e mëdha të Krishterimit konvergojnë diferencat e perspektivave politike, ekonomike, kulturore dhe teologjike mbi të kuptuarit e doktrinës, konfliktet mbi hierarkinë, çështjet e liturgjisë, objektet e kultit, luftërat për pushtet etj., kombinimi i të cilave shkaktoi përplasje të mëdha, ku dallimet doktrinare shpesh nuk ishin qëllimi por mjeti në duart e pushtetit.
  • Impakti i skizmave në Krishterim kaloi kufijtë e debatit doktrinar dhe u shfrytëzua nga rivaliteti politik, i cili çoi në ndarjen administrative të Europës (Lindore-Ortodokse dhe Perëndimore-Katolike) dhe më pas përcaktoi kufijtë e shteteve sipas besimeve në Europën Perëndimore. Paqja e Vestfalisë shpalli shpërbërjen e rendit të vjetër dhe zëvendësoi pothuajse tërësisht autoritetin qendror të perandorisë me sovranitetin e rreth treqind princave.
  • Problematika e ndarjeve dhe sekteve Islame si fenomen, ka filluar në kohët e hershme dhe vazhdon deri sot. Në botën myslimane ndarjet dhe sektet, në shumicën e rasteve, nuk lindën për shkak të diferencave doktrinare, megjithatë, sektet islame për nga numri i kalojnë ato kristiane.
  • Në historinë islame ka patur luftëra të brendshme fetare, gjatë të cilave përfaqësues të kampeve kundërshtare shfaqën alternativa të ndryshme doktrinare kryesisht në lidhje me trashëgiminë e pushtetit, por në botën islame nuk mund të flitet për luftëra fetare apo ndarje të mëdha në kuptimin që ky term ka për skizmat në krishterim. Sektet islame reflektojnë interferimin e faktorëve historikë, kulturorë e politikë në diferencat doktrinare.
  • Megjithëse të gjitha fetë kanë në zanafillën e tyre përhapjen e paqes mes njerëzve, marrëdhëniet mes tyre jo gjithnjë kanë qenë paqësore. Historiku i këtyre marrëdhënieve transmeton mes të tjerash perceptimin që fetë kanë shfaqur ndaj njëra–tjetrës në kohë të ndryshme, ku jo gjithmonë kërkimi i të vërtetës dhe paqja kanë qenë qëllim. Kurba e marrëdhënieve krishtero–islame me ulje–ngritjet e saj, ka kaluar në një proces dialogu teologjik e institucional të gjatë e të ndërlikuar.
  • Dialogu nga këndvështrimi fetar është obligim hyjnor. Dialogu ndërfetar është forma e duhur dhe një përgjigje korrekte ndaj pluralizmit fetar, jo vetëm në situata konflikti. Ai lind nga domosdoshmëria për të kuptuar se njerëzit vijnë nga tradita fetare të ndryshme, për të kontribuar në ndërtimin e paqes sociale dhe nxitjen e respektit të ndërsjellë. Pluralizmi fetar nuk është burim konflikti, por intoleranca në forma dogmatizuese dhe fanatike, krijon terrenin e nevojshëm për keqkuptime dhe urrejtje.
  • Që nga shfaqja e dy besimeve abrahamite, Krishterimit dhe Islamit, dialogu mes tyre ka evoluar duke kaluar në etapa historike të cilat herë e kanë favorizuar atë e herë e kanë ndërlikuar. Megjithatë ai mbetet jetësor për nga misioni që kanë fetë. Largësitë mes tyre nuk janë më ato të mesjetës dhe gjykimet gjithnjë e më tepër po i largohen praktikave të mohimit, abandonimit e përjashtimit, duke krijuar hapësirat e nevojshme për të qenë më pranë njëri–tjetrit në një dialog të domosdoshëm i cili përtej shtratit teologjik, lehtëson bashkëpunimin mes feve në nivelin lokal, rajonal e më gjerë.
  • Modeli ndërfetar paqësor shqiptar përbën një sfidë ndaj shumë teorive mbi bashkëjetesën e feve të ndryshme në një shoqëri multifetare. Shqipëria, për shkak të pozitës së saj gjeografike në udhëkryq qytetërimesh dhe influencave gjeopolitike e kulturore, paraqet në miniaturë një model të veçantë të multifetarizmit paqësor në rang global. Te shqiptarët, tradita ndërfetare dëshmon se horizontet e kulturës e të civilizimit zgjerohen atëherë kur secilit i jepet vendi dhe hapësira e nevojshme. Shqiptarët, me fenomenin e tolerancës fetare të trashëguar ndër shekuj nga antikiteti dhe mesjeta, përbëjnë një eksperiencë interesante për botën dhe një dimension të veçantë kulturor. Studimi i bashkëjetesës fetare në Shqipëri është një metodë efikase për të kuptuar se implikimet konfliktuale që ka krijuar feja në vende të tjera janë pasojë e koniunkturave ndërvepruese dhe keqinterpretimit fetar.

Dashunia fillon mbas gjysmës

$
0
0

«Wär’ nicht das Auge sonnenhaft,
wie könnten wir das Licht erblicken?
Lebt’ nicht in uns des Gottes eigne Kraft,
wie könnt’ uns Göttliches entzücken?»-
(Johann Wolfgang von Goethe,  Teoria e ngjyrave, introduktë, 1810)*

Nga Ledia Dushi

Në Shqipninë e viteve ˈ60–të po konturohej një ndarje ndër shkrimtarë dhe artistë në dy grupime. Po punohej për përgatitjen e një grupi artistësh të angazhuem në shërbim të atij  që quhej realizmi socialist. Gjaja e parë që duhej ba ishte seleksionimi i traditës e cila e pengonte formimin e këtij grupi. Për këte u shpikën armiqtë e popullit. Të parët që ranë pre e kësaj propagande ishin poetët gegë të cilët kishin formue një lloj fryme të posaçme. Mandej ishin intelektualët me një formim të mirë bashkëkohor, të cilët u ndeshën fillimisht intelektualisht me regjimin që po formohej në vend dhe së bashku me poetët gegë banin pjesë në grupin tjetër.

Grupi i parë erdhi së bashku me atë që quhej diktatura e proletariatit e cila u kthye në luftë klasash. Sigurisht arsimi ishte mekanizmi i parë që e filloi përgatitjen e këtij grupi. Vitet ˈ60–të sollën maturantët e parë e mandej studentët e parë të cilët u formuen ne shkollat lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik e në Tiranë. Normalisht, si revolucion pati edhe revolucionarët e tij e në fushën e artit ku po punohej drejt një objektivi, “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të partisë për edukimin komunist”. Shkrimtarë të angazhuar ka pasë edhe në vende të tjera, por te ne u punue për një art të angazhuem. Tek ne ky angazhim erdhi me një denatyralizim  ku u krijue një “art” pa liri. Nëse ia heq artit lirinë dhe të vërtetën atëhere fillon me ndje erën e mykun të varfnisë shpirtnore. Gjaja ma e randë për poetin ashtë pandershmënia me vetveten. Me entuziazëm dhe trill revolucionar u sajue një arrë, ndoshta e  stërmadhe, të cilën nëse e hap, sheh se asht bosh.

Jam e bindun se në grupin e parë kanë pluskue edhe talente prej të cilëve disave jua ndjej dihatjen e talentit të tyne.

Jashtë gropës ishte burgu.

Sa ma nalt thashë, vlen për atë që e quejta grupi i parë, sepse unë sot kam ndërmend të merrem me një përfaqësuse të grupit të dytë. Në një mjedis ku poezia po shpërfytyrohet, në një kohë ku lëvrijnë shumë kritikë që flasin e flasin, por kritika mungon, ashtë e vështirë me vendosë në vendin e duhun  poetët e grupit të dytë. Poetin e vlerëson vetëm poezia. Në mjedisin letrar ku filluen me shkrue, e ndjenin  se nuk kishin të njëjtin formim dhe as të njëjtat mjete me poetët zyrtarë. Nuk mund të pajtoheshin me idenë e të qenunit të pandershëm me vetveten. Për ta poezia nuk mund të vinte nga idetë e komunizmit. Poezia, thjesht ishte mbrenda tyne. Arti nuk asht ajo çka mendimi krijon. Mendimi kurrë nuk mund ta justifikojë ndjenjën, madje as mundet me e arritë ate. Autori për poezinë e të cilit dëshiroj me folë, ishte pjesë e dy nëngrupeve׃ ishte i rritun në një mjedis ku gjallonte gegnishtja dhe ndikimi në formimin e tij intelektual vinte prej  një kulture të gjanë perëndimore.

Asht një emën shumë i njohun, pavarësisht mungesës së vlerësimit…

Quhet Primo Shllaku. Primo i shkruen asaj çka ndjen, mendimi dhe formimi i shërbejnë asaj.

Për këte përdor fjalë të zakonshme të cilat i shndërron në të pazakonta duke nxjerrë prej tyne magji. Në poezinë e tij fjalët kthehen në rranjët e tyne, sepse fjalët  kanë fillue si magjike qysh në krye të herës.

Në poezinë e tij gjallon dëshira për çlirimin e shpirtit të njeriut. Ajo që ai kërkon me çlirue nuk ashtë as dëshira, as realiteti i veprimtarisë njerëzore, as ndjenja e revoltës e “fshehun“ në vargjet e tij, porse një za i cili vjen ndër ne si një imagjinatë e pastër.

Kudo duket sikur e ndjek një demon, përtej kufijve të kohës dhe botës, ndoshta në kufijtë e qenies së tij.

Shllaku i shikon me vëmendje gjanat që e rrethojnë, asht një shikim që kthehet në soditje. Në një soditje të mprehtë dhe zhbiruese e cila rrëmon mendjes. Si nji rrymë elektrike ban me u ndezë dritat në botën e ndjenjave. Nuk përpiqet me e zbukurue shkakun e shqetësimeve. E vërteta ka kuptimin e kjartësisë. Natyra e tij nuk e lejon me marrë turr asht i përmbajtun, por nuk ban asnji hap mbrapa. Tashmë rrugon mbrenda vetes. Kujtimi asht si shpirti që largohet nga vetvetja dhe që përpushet me e mbërritë vetveten, në një kohë tjetër, ma të largët. Poezia e tij nuk flet thjesht për të kaluemen, por për çka ai ka kapërcye. Ndoshta herë mbas here i ashtë dashtë me humb veten për me e rigjetun ate.

I shtypun nga heshtja e i brejtun nga vetvetja, shkruen poezi. Vargu i tij asht një shpirt që kërkon shpjegim. Në te përplaset andrra me zgjimin, objektivja me subjektiven. Kërkon me hy thellë tek vetvetja dhe aty zbulon grimca hyjnore të çmendunisë njerëzore. Këto grimca bajnë që autori me kuptue se liria asht një aktivitet krijues.

E unë kam me të dashtë

si due tokën,

atë tokë

ku muzat e vdekuna nuk lanë skelet

por bar mbi sytë e pleqve.

Vargjet janë marrë nga poezia “Bashkëkohësit”. Zgjodha këte poezi sepse përmban në vetvete atë që aq shumë diskutohet sot. Autori thotë: “muzat e vdekuna nuk lanë skelet” dhe këtu e ka fjalen për muzat që janë “foshnjet” e linduna të artit. Ky asht dami ma i madh që i asht ba artit e veçanërisht poezisë. Por nji pjesë të madhe prej tyne ne e shohim si “bar mbi sytë e pleqve”.

Them se kjo gja plotësohet me poezinë “Etyd” e cila në fund shenon׃

Ata ma duen vdekjen

Një vdekje te ngadalshme dhe te heshtun.

Një vdekje te natyrshme dhe hymse

që duhet t’i përngjasë

gati lindjes…..

Këtu s’kemi të bajmë me denim me vdekje, por denim me zhdukje. Autori thotë: “Një vdekje të natyrshme dhe hymse” sepse, “ duhet t’i përngjasë / gati lindjes…..”. Ata që jetuen “Në errësinën e krijueme nga ndalimi dhe harrimi” janë ma shumë se disidentë të qeverisë; ata janë heronj të artit dhe heronjtë e artit janë në të mirë të njerzimit.

Primo Shllaku me poezinë e tij nuk merr përsipër me na mallëngjye. Kur krijon një poezi për dhimbjen ajo vjen si vetë dhimbja. Kur sjell poezi ku tregohet gëzimi, ndjejmë një boshllek ose siç thonë ekzistencialistët, “flet për një gëzim që s’asht ma”. Mendoj se të gjithë njerëzit kanë në shpirt një gropë ku fundosin kujtimet e tyne. Ata harrohen aty e vetëm nganjëherë kujtesa mund tˈi nxjerrë. Në atë gropë fermentohen ndjenjat ma të fuqishme që përbajnë vlefshmëninë e jetës tonë. Njerëzit i ndjejnë, por për me ba art me to duhet tˈarrish me ndriçue zonat e saj të nendheshme. Rëntgeni na dha mundësi të shohim mbrenda trupit tonë, ndërsa poeti i vërtetë na mundëson të shohim mbrenda shpirtit tonë.

Në hinin e paktë të votrës sonë / vumë atë natë nje dru të moçëm. / Para se me u ndezë / e morem ne duer / me radhë, / njeni mbas tjetrit. / Gjete me gisht rrethin e datëlindjes tande. / Gjeta me gisht rrethin e datëlindjes sime. / Vune gishtin mbi rrethin e vjetit tand. / Vuna gishtin mbi rrethin e vjetit tim. / Dhe ndejëm ashtu mendueshëm / mbi jetën tonë…

Leximi i poezive të Primo Shllakut ashtë një andërr e lirë. Njeriu dhe bota zbulojnë të vërtetat e tyne. Tek ne ma shumë se ngjarja vjen gjurma që ajo le. Në poezi të ndryshme ka vargje të mrekullueshme: “Dhe shpinda jote mbeti në fundin e rrugës  / e në sytë e mi /e në mendjen time.”( Ditë e pacaktueme ), “Deshta me shkrue, / Por mes dorës e mendimit ura ishte thye.” ( Njeriu  para  misterit të largësisë ), “Pëllumbave zemra u këndon në fyt”. ( Pëllumbat )

Dëshiroj me u ndalue në një problem. Një miku im poet kambëngulte se poezia asht e lidhun me realitetin, madje e mendonte si vazhdim të tij. I thashë se vegimi i së vërtetës ashtë tjetër gja nga imitimi i saj. I thashë se e mendoj poezinë si zgjatim i shpirtit të njeriut.

Ka një poezi aq të bukur Primo Shllaku me të cilën due me përligj çfarë thashë ma nalt: “Ai të zbret te pragu i derës sime. / Ti sjell me vete mollë, / shkrepse / dhe trokitje pa durim. . .” Çfarë ndodh në këte poezi; realisht vjen autobuzi, e zbret, sjell molle, shkrepse….dhe mandej, mandej vjen arti e ndjejmë se ai fillon aty ku mbaron realiteti. Gishti i saj nuk troket në derë, por në shpirtin e tij. Asht një varg tjetër te Shllaku që na vjen me poezinë: (Po, po…..) “Por dashunia fillon mbas gjysmës…” Gjithnji kam dashtë me i thanë, më fol për gjysmën e parë…

Në poezinë “ Himni i jetës”, poeti shkruen:

Kam një zemër

që rreh dëshira të forta

te dyrt e fytit.

Kjo poezi vjen ma së shumti si një vegim i së vërtetës, të duket sikur i ke ndigjue.

Mendoj se ky ishte problem për shumë e shumë vite. Fjalët mbeteshin te dyert e fytit e kështu i merrej fryma poezizë. Primo Shllaku e kishte gjetë zgjidhjen׃ “mbyll derën e zhurmës / e unë hyj në dhomën e heshtjes”

( Treni ) nga e cila niset me ardhë poezia e tij.

Primo Shllaku sot ndeshet me një dilemë! Borgesi ka një thanie të jashtëzakonshme: “Arti ndodh sa herë që lexojmë poezi”. Dilema asht:

A lexohet sot poezia, dhe nëse lexohet, arti a ndodh?

Poezia e Shllakut stuhi ndërmjet pasioneve dhe ndjenjave që ka pasë dikur dhe pasioneve e ndjenjave që ka sot.

Unë mendoj se jeta e tij ashtë në vetë poezinë e tij. Dhe kjo vjen si një andërr. Ashtë një andërr të cilën na e bajnë me dije grimca hyjnore ndriçimi.

Sot Primo Shllaku ka datëlindjen dhe unë dëshiroj me e urue me një thanie të filozofit kinez Chun Tzu: “Pa andërr se asht flutur dhe kur i doli gjumi nuk dinte, a ashtë njeri që andërron tˈjetë flutur apo ashtë flutur që dëshiron tˈjetë njeri”.

Borgesi këte gja kishte dëshirë t’ia tregonte atyne që dinë me lexue poezi. Por te ne ka shumë që dinë me ba poezi, por nuk dinë me e lexue ate. Poezia e Primo Shllakut ashtë shkrue në nji natë dimni, si gjithçka që asht shenjue për me kenë e pambarim, ashtë shkrue për ata që dinë me e lexue dhe e ndjejnë se si përdriten ngase arti ndodh.

*Përkthimi:“Nse syni nuk do tˈishte i diellt,

Si mund të shihnim kah  drita?

Nse nuk do tˈna këndellte  forca e Zotit vetë,

Si mund të na magjepste hyjnorja?”

Viewing all 738 articles
Browse latest View live