Harold Bloom, kritik dhe profesor në Yale dhe Harvard, në librin e tij “Si dhe pse të lexojmë”, duke iu referuar autores Virxhinia Vulf, na sugjeron të shmangim klishetë gjatë leximit. Por a mundemi të mos kemi një shembull përpara kur lexojmë? A mund të shmangim të fshehtat tona, të fshehtat e asaj që dimë për më të afërtit tanë, për dëshirat tona të pathëna? A mund të harrojmë të shkuarën tonë teksa përballemi me “jetën tjetër” të sugjeruar nga librat?
Nga Agim Baçi
Kur themi “kushte në lexim”, këto kushte nuk kanë të bëjnë as me orën, as me vendin, as me pozicionin që marrim gjatë leximit, e as me gjuhën, por vetëm me lirinë tonë për ta interpretuar. Pra, pyetja më qartazi është: a duhet të lexojmë duke u bazuar thjesht në përjetimet tona apo duhet të mbështetemi në arsyetime? A duhet të mbështetemi gjatë leximit te raportet tona morale, apo duhet të jemi të hapur për pyetjet që na nxjerin në pah autorët?
Harold Bloom, kritik dhe profesor në Yale dhe Harvard, në librin e tij “Si dhe pse të lexojmë”, duke iu referuar autores Virxhinia Vulf, na sugjeron të shmangim klishetë gjatë leximit. Por a mundemi të mos kemi një shembull përpara kur lexojmë? A mund të shmangim të fshehtat tona, të fshehtat e asaj që dimë për më të afërtit tanë, për dëshirat tona të pathëna? A mund të harrojmë të shkuarën tonë teksa përballemi me “jetën tjetër” të sugjeruar nga librat?
Ne edhe në ecjen tonë të përditshme, vëren Bloom, kemi indiviualitetin tonë, që na dallon nga ecjet e të tjerëve. Por kjo ecje varet shpesh nga të menduarit tonë, ndërsa qëndrimi nga këndvështrimi ynë moral mbi botën. Dhe jo rrallë, personat me të cilët takohemi edhe më së shumti, janë në gjendje të dallojnë gjendjen tonë përmes qëndrimit tonë, përmes vështrimit tonë, përmes buzëqeshjes sonë.
Ndaj, duam apo nuk duam, kemi apo nuk kemi lidhje me realitetin, ne duhet të zgjohemi përballë pamundësinë sonë për të qenë “Robinson Kruzo” duke vështruar detin e letërsisë. Ne udhëtojmë për diku, vetëm apo me të tjerë. Ajo që shohim dhe na vjen përmes ndjesish mund të lidhet më situatën e mëngjesit, të fqinjës, të fëmijëve. Një humbje apo fitore në të përditshmen tonë mund të jetë shtysë apo frenim për të përfunduar disa faqe të nisura një ditë më parë. Këto “kushte” ndërfuten mes nesh dhe tekstit, duke na kushtëzuar në atë çka do arrijmë në fund të leximit.
Për të parë se si ndikon letërsia në gjuhën tonë të përditshme, mjafton të ndjekim etiketimet që kanë në fjalorin e përditshmërive nga figura që ka përshkruar letërsia. P.sh, ëndrrimtarin e mban mbi supe Don Kishoti. Dyftyrësinë e ka rrëmbyer Uriah Hipi. I dashuruari marrëzisht është Romeo me Zhuljetën. Të pabesit i shkon kostumi i Brutit dhe Makbethit. Ana Karenina dhe Madam Bovaria janë gratë që tundohen e që mbartin atë ves tradhtie që ka fundin e ndëshkuar. Robinson Kruzoja do të jetë fytyra e të vetmuarit, ndërsa Çiçikovi mundësia e së pamundshmes…
… E kështu, pa fund, shkrimtarë e personazhe vijnë e na bëhen pjesë e bashkudhëtimit tonë gjuhësor, duke nënkuptuar mendimin e përbashkët, ashtu siç është letërsia e përbotshme. Këto janë kushte të ëmbla, të cilat futen në hartën orientuese. Por kushtet e tjera janë jo thjesht koha e kushtimit por më shumë koha e meditimit, e qëndrimit me të pasi ke mbyllur librin. Kështu ndodh me Don Kishotin, Shvejkun, Hamletin, Makbethin, Uriah Hipin, Ana Kareninën, Zonjën Bavari, Konti Monte Kriston, Alioshën e Dmitrin e Karamazovëve, etj, etj, të cilët më pas dalin nga libri e hyjnë në jetën tonë, për t’u bërë përcaktues bashkëbisedimesh, pra bashkudhëtarë të mendimit të përbashkët. Janë si një gjuhë e përbashkët, që kushtëzojnë marrëveshjet. Një kushtëzim i ëmbël që shkurton kohën dhe afron kuptime.
Kritiku e psikoanalisti frëng J.-B. Pontelis shkruan: “Procesi i të lexuarit ta këshillon atë të shqyrtimit. Të dyja janë bartje, tejbartje përtej vetvetes. Të dyja ato janë përvoja të huaja. Por një të huaji që do të jetë sa më afër zanafillës”. E ne në fakt kemi nevojë gjithnjë të shqyrtojmë, rishqyrtojmë, rimendojmë. Ndërsa ndjesia nuk është në varësinë tonë edhe pse më pas është pjesë e jona. Eshtë si në rastin e ëndrrës, që shpjegon psikologu i njohur Jung, teksa shpjegon: “Endrrën që do shoh nuk e komandoj unë, por ama kur e shoh është e imja”. Pra ndjesia shkakton tek ne gjithë procesin e mendimit, rimendimit, shqyrtimit dhe rishqyrtimit, duke ardhur tek zanafilla.
Ndërkaq, ngjarja jonë, e shkuara jonë, familja jonë, vijnë e ndërfuten si “miti i Edipit” (Koncept i Harold Blumit në librin e tij “Si dhe pse lexojmë?”) mes nesh dhe tesktit dhe paragjykojnë ose çlirojnë leximin, i japin zgjidhje momentale, ose një fytyrë që mund të na mbetet gjatë gjithë jetës.
Pra, lexojmë pa u kushtëzuar, por kushtet janë historia jonë e brendshme dhe ajo që dimë për botën dhe të tjerët. Janë kushte fluide, të pakapshme, por njëkohësisht të pashmangshme, si vetë jeta, si vetë mendimi, si vetë përjetimi. Janë kushtet më të pakushtëzuara por njëkohësisht më të pashmangshme, pasi as veten e as botën nuk e shmangim dot. Vetëm varet se si i qasemi në pranim, qoftë asaj që na ndodh neve, ashtu edhe atë që u ndodh të tjerëve. Pikërisht përmes kësaj qasjeje vjen edhe qëndrimi apo përjetimi ynë mbi tekstin letrar. Fundja, siç thekson kritiku amerikan Norman N. Holland: “vepra është skenë e marrëveshjes së fshehtë midis autorit dhe lexuesit”.